Një zyrtar i lartë amerikan i zbulimit tha se Presidenti Donald Trump nuk i ka dhënë udhëzime specifike për t’iu kundërvënë përpjekjeve ruse për ndëhyrje në zgjedhjet e këtij viti për në Kongres, që u ngjajnë përpjekjeve ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, që synonin të ndihmonin zotin Trump të fitonte.
Admirali Mike Rogers, drejtor i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, tha gjatë dëshmisë së tij në Kongres se atij nuk i kishin dhënë autoritet shtesë në prag të zgjedhjeve të këtij viti. Ai tha se mendimi i tij është se nuk është bërë sa duhet për të marrë masa të gjithanshme për t’iu kundërvënë ndërhyrjes ruse, në fushën diplomatike, ekonomike dhe kibernetike.
Sipas admiralit, presidenti rus Vladimir Putin ka arritur në përfundimin se kostoja që i duhet të paguajë për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane është e vogël. Pas dëshmisë së admiralit Rogers, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders, nuk komentoi se për çfarë autoriteti e kishte fjalën admirali, por shtoi se Presidenti Trump po përpiqet të gjejë mënyra për të mos lejuar ndërhyrjen ruse.
Komentet