UASHINGTON – Kongresi amerikan zyrtarisht certifikoi fitoren elektorale të Presidentit të zgjedhur republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, duke i hapur rrugë betimit të tij më 20 janar.
Certifikimi i rezultatit zgjedhor të hënën në 50 shtetet dhe në Distriktin e Kolumbisë u përcoll me një ceremoni të shkurtër zyrtare gjatë një seance të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Kjo seancë u udhëhoq nga Nënpresidentja Kamala Harris, rivalja demokrate e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale, e cila u paraqit në rolin e drejtueses së Senatit.
Ky ritual, që bëhet çdo katër vjet, dalloi nga ngjarjet e para katër viteve kur një turmë përkrahësish të zotit Trump hynë me forcë në Kapitol, duke bërë një përpjekje të dështuar për ta bllokuar certifikimin e humbjes së vitit 2020 të Presidentit të atëhershëm Trump ndaj Presidentit demokrat Joe Biden.
Zoti Trump vazhdon të bëjë pretendime të pavërtetuara se humbja e tij në vitin 2020 ishte rezultat i një vjedhje të përhapur. Ai ka vazhduar të shprehë shqetësime të ngjashme gjatë tërë fushatës së vitit 2024, deri në momentin kur arriti të fitonte ndaj zonjës Harris më 5 nëntor.
“Kongresi certifikoi sot fitoren tonë të mahnitshme – një moment i madh në histori. MAGA (inicialet për sloganin “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme)”, shkruajti zoti Trump të hënën në platformën e tij sociale, Truth Social.
Seanca e përbashkët e Kongresit u mbajt megjithë stuhinë e borës e cila përfshiu kryeqytetin amerikan, me reshje dëbore që arritën deri në 15 centimetra dhe që penguan qarkullimin e automjeteve.
Certifikimi përfundimtar vulosi rezultatet paraprake se zoti Trump fitoi 312 votat e Kolegjit Zgjedhor krahasuar me 226 votat e zonjës Harris.
Republikanët do të kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin
Republikanët po ashtu fituan shumicën e vendeve në Senatin amerikan dhe një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, fitore që do t’i japin zotit Trump përkrahjen e partisë, e cila i nevojitet për të zbatuar planin e tij për shkurtim të taksave dhe dëbim të emigrantëve të jashtëligjshëm.
Demokratët nuk u përpoqën që të bllokojnë certifikimin e fitores së zotit Trump të hënën.
“Na duhet të angazhohemi sërish që të mbrojmë demokracinë amerikane”, tha nënkryetarja e ligjvënësve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, Katherine Clark. “Si përfaqësues të zgjedhur, ne duhet t’i jemi besnik, në radhë të parë dhe gjithnjë ndaj Kushtetutës. Jemi këtu për të respektuar vullnetin e popullit dhe sundimin e ligjit”.
Masat e sigurisë brenda dhe jashtë Kapitolit u përforcuan në prag të certifikimit dhe pritet që ato të mbesin të tilla deri në ceremoninë e betimit të zotit Trump.
Perimetri rreth Kapitolit u rrethua me barrikada metalike dhe hyrjet në pika të caktuara ruheshin nga policët me uniformë.
Autokolonat e veturave të zeza të policisë ishin të vendosura në afërsi. Përforcimet nga Departamenti i policisë i Nju Jorkut po ashtu janë dislokuar për të patrulluar në këtë zonë.
Brenda ndërtesës, ekipe shtesë të policëve të Kapitolit kontrollin dokumentet e identifikimit në hyrjet e ndërtesës, përfshirë tek dyert dhe tunelet e nëndheshme që çojnë në sallat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Zoti Trump ka deklaruar se planifikon t’i falë disa nga mbi 1,500 personat e paditur për pjesëmarrje në sulmin e 6 janarit të vitit 2021 ndaj Kapitolit, kur turma u përplas me policinë, duke u futur me dhunë përmes dritareve dhe dyerve, ndërsa brohoriste “Vareni Mike Pence-in”, nënpresidentin e atëhershëm të zotit Trump, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së zotit Biden nga Kongresi.
Në trazirat e vitit 2021 në Kapitol, protestuesit e dhunshëm çanë barrikadat e policisë, duke sulmuar 140 pjesëtarë të policisë dhe duke shkaktuar dëme, që kapën shifrën 2.8 milionë dollarë. Disa nga policët që u përleshën me protestuesit vdiqën gjatë javëve në vijim, disa prej tyre u vetëvranë.
Për shkak të dhunës së asaj dite, Kongresi miratoi ligje në fund të vitit 2022 për ndërmarrjen e masave shtesë për t’u siguruar që procesi i certifikimit të bëhet në mënyrë ligjore.
Shumë nga këto ndryshime janë bërë si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të zotit Trump përpara dhe gjatë 6 janarit të vitit 2021. Për shembull, ligji i ri thotë se roli i nënpresidentit është kryesisht ceremonial.
Komentet