Në Tiranë ka nisur protesta e opozitës përpara selisë së Qeverisë, e 12-ta në radhë që nga 16 Shkurti kur Partia Demokratike, Lëvizja socialiste për Integrim dhe aleatët e së djathtës u larguan nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të tyre.
Mësohet se afër 1500 forca të policisë janë angazhuar për manifestimin e sotëm. E gjithë zona rreth godinës së Kryeministrisë është e rrethuar me një gardh metalik sikurse dhe rrugët anësore që të çojnë drejt saj. Tymuese dhe qeska me bojë nisën të hidheshin drejt dritareve te ndërtesës që në momentet e para.
Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të garantojë organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre. “12 javë pas nisjes së kësaj beteje jua them me gojën plot se gjysma e punës është kryer: Shqipëria do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjysma tjetër e punës do kryer akoma”, deklaroi dje gjatë një takimi me mbështetësit e partisë së tij kryetari demokrat Lulzim Basha, i cili i ka paraprirë protestës së sotme me një tur në shumë qytete të vendit.
Nga ana e saj shumica ka përsëritur se “zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 Qershor qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e tyre”, ripërsëriti pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama.
Komentet