Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd në duart e autoriteteve të hënën, ka shkaktuar tensione të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Protestat janë zgjeruar në shumë qytete të SHBA-së, përfshirë Nju Jorkun, Los Angelosin dhe Tulsën, ku protestuesit u kanë vënë flakën veturave të policisë dhe kanë thyer xhamat e dyqaneve.
Protestat filluan në Mineapolis pas vdekjes së Floyd të hënën.
Policët po ndiqnin veturën me të cilën po udhëtonte Floyd, nën dyshimin për përdorim të parave të falsifikuara. Sipas policisë, atij iu tha që të largohej nga makina dhe ai tregoi rezistencë fizike, pas së cilës u prangos.
Videot treguan sesi një polic i bardhë bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.
George Floyd më vonë ka vdekur në spital.
Zyrtari policor të premtën u arrestua nga autoritetet nën akuzat për vrasje. Por, protestuesit janë duke kërkuar arrestimin edhe të tre zyrtarëve tjerë policorë të përfshirë.
Incidenti nxiti protesta brenda komunitetit dhe krahasime me një seri të ngjarjeve të ngjashme të viteve të fundit, kur persona me ngjyrë kanë vdekur derisa janë arrestuar nga zyrtarë policorë të racës së bardhë.
Protestuesit përplasen me forcat e sigurisë
Shumë ndërtesa dhe prona private e dyqane u sulmuan nga protestuesit në Mineapolis gjatë kësaj jave të protestave të vazhdueshme.
Në Indianapolis, policia ka nisur hetimet për gjuajtje me armë zjarri, një nga të cilat la një person të vdekur në mesin e protestuesve. Policia dha pak detaje, por theksoi se nuk ka pasur zyrtarë policorë të përfshirë.
Në Uashington, qindra protestues pranë Departamentit të Drejtësisë kanë brohoritur “Nuk mund të marrë frymë”. Më vonë, ata u zhvendosën pranë Shtëpisë së Bardhë ku policia tentoi t’i shpërndajë me sprej për sy.
Njësitë e forcave ushtarake u mobilizuan në Ohajo, Misuri, Uiskonsin, Tenesi dhe Minesota.
Mijëra protestues vërshuan edhe rrugët e Çikagos dhe Nju Jorkut, pas 200 arrestimeve të premtën.
Ndërkaq, Në Los Angelos, protestuesit i vunë zjarrin shumë veturave të policisë, thyen xhamat e dyqaneve të shumta. Policia tentoi t’i shpërndajë protestuesit me shkopinj gome dhe plumba gome.
Përplasja e policisë me protestuesit vjen tri ditë pasi policia tentoi në mënyrë më paqësore të shpërndajë ata, deri kur u vendosën 4,000 trupa ushtarake në Minapolis dhe u tha se numri do të shkojë në 11,000.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte reaguar më herët në Twitter duke urdhëruar vendosjen e trupave ushtarake në Mineapolis dhe tha se policia në Nju Jork duhet të lejohet të kryej punën e saj.
Më herët, Trump e quajti vdekjen e Floyd “tragjedi të thellë” që ka mbushur vendin me zemërim dhe mërzi.
Por, ai theksoi se administrata e tij nuk do të lejojë që protestat të eskalojnë në dhunë.
“Situata në Mineapolis nuk është më vetëm për vdekjen e George Floyd”, tha guvernatori Tim Walz.
Më shumë se 1,300 persona janë arrestuar në 16 qytete të SHBA-së që nga e enjtja.
Dhjetëra-mijëra protestues në rrugë, pa maska dhe distancë sociale, kanë ngritur shqetësim tek ekspertët shëndetësorë për përhapje më të madhe të koronavirusit, në kohën kur SHBA-ja është duke tentuar rihapjen e ekonomisë.
Komentet