Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ka hedhur poshtë para mediave të gjitha spekulimet se ka marrëveshje mes tij dhe ish kryeministrit Nikolla Gruevskit për tu larguar nga vendi.
Zaev është shprehur i bindur se Nikolla Gruesvki herët a vonë do të kthehet në Maqedoni ku duhet të vuaj dënimin për veprën për të cilën është dënuar nga Gjykata, si dhe veprat e tjera që janë në procedurë gjyqësore.
“Kemi lëshuar fletë-arrest ndërkombëtarë, kërkojmë që të ekstradohet Nikolla Gruevski dhe të kthehet në Maqedoni”, ka thënë Zaev.
Gjatë ditës së martë, ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski tha se ndodhet në Hungari ku ka kërkuar azil politik.
Gruevski në Maqedoni kërkohet nga policia për të vuajtur dënimin me burg prej dy vitesh për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se Hungaria si shtet që është pjesë e Baskimit Evropian, nuk guxon të lejojë që të shkelen marrëveshjet ndërkombëtare dhe se si një shtet pjesë e familjes evropiane, “nuk duhet të mbrojë një kriminel i cili i ka shkaktuar dëm shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë”.
“Është e palejueshme që një vend anëtar i Bashkimit Evropian të mos e respektojë sundimin e drejtësisë”, ka thënë Zaev duke shprehur besimin e tij se “Hungaria do të veprojë në përputhje me dispozitat e së drejtës ndërkombëtare dhe do ta ekstradojë Gruevskin në Maqedoni që ai të vuaj dënimin e caktuar nga gjykata”
Kryeministri i Maqedonisë, tha se Gruevski është larguar nga Maqedonia duke ikur nga përgjegjësia dhe sipas tij, ai ka frikë të përballet me drejtësinë.
“Çfarë qyqari është ai i cili gjatë gjithë kohës thoshte se do të shkojë në burg, dhe se pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë është i gatshëm të shkojë në burg për Maqedoninë, dhe se ai është i gatshëm të shkojë në burg që të mos shkojnë të tjerët. Por, kur erdhi koha që të përgjigjet para organeve të drejtësisë ai iku si qyqar”. Kjo vetëm se e vërteton se ai (Gruevski) ndjehet fajtor për atë që është i akuzuar”, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Njohësit e çështjeve juridike, thonë se Bashkimi Evropian ndodhet para një sfide shumë të madhe që sa më parë të dorëzojë Gruevskin para organeve të drejtësisë së Maqedonisë sepse Hungaria si shtet ku ai strehohet është pjesë e BE-së.
“Përderisa, vetë Hungaria është shtet anëtar i Bashkimit Evropian, në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojë që një person që ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe nuk bëhet fjalë për çështje politike, të marrë azil politik”.
“Me rastin e Gruevskit, dëshmohet se drejtësia jo vetëm që është përmbysur, por përfundimisht është varrosur dhe kjo bën që qytetarët të mos i besojnë sistemit gjyqësorë”, thotë Bashkim Selmani, jurist.
Ndryshe, në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës është arrestuar ish-ministri i Transportit në Maqedoni, Mile Janakievski si dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski, të cilët kanë mbajtur këto pozita kur partia opozitare VMRO DPMNE ka qenë në pushtet.
Ish-ministri Mile Janakievski dhe Kirill Bozhinovski akuzohen për disa vepra, për të cilat është duke vazhduar procesi gjyqësor bashkë me ish-kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski.
Arrestimi i tyre vjen pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga Maqedonia.
Komentet