“Rusia e di se çështja e pazgjidhur e Kosovës është sfidë për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, tha Damon Wilson, nënkryetar ekzekutiv i Këshillit Atlantik të Shteteve të Bashkuara.
“Shohim se strategji e Rusisë është të ruajë status quo-në. Status quo-ja e minon aftësinë e Serbisë për të hyrë në negociata serioze, për të përmirësuar marrëdhëniet me Prishtinën”.
“Shohim ndoshta edhe një luftë hibride kundër qeverisë, për të dekurajuar mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshjeje [v.j. midis Kosovës dhe Serbisë]”, tha Wilson.
Ai i bëri këto komente në panelin “Imagjinojmë partneritetin strategjik SHBA-Serbi”, në kuadër të javës së 8-të të NATO-s që po mbahet në Beograd, nën organizimin e organizatës joqeveritare Qendra për Studime Euroatlantike.
“Mendoj se në këtë pikë duhet të jemi të guximshëm dhe të ndërmarrim disa rreziqe. E ardhmja e Serbisë është e bllokuar pa marrëveshje dhe përfitimet e partneritetit tonë nuk mund të realizohen plotësisht. E ardhmja e Kosovës mund të jetë edhe më e keqe pa marrëveshje”, tha Wilson.
Duke folur përmes video-lidhjes në konferencën në Beograd, Wilson tha se “presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeveria e Republikës së Serbisë po bëjnë përpjekje për ndërtimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara” dhe shtoi se kjo gjë është e ditur në Uashington.
Ai po ashtu tha se Serbia ka “miq në Uashington që e kuptojnë se me çfarë përballet ajo dhe që duan ta ndihmojnë”.
Megjithatë, Wilson paralajmëroi se “te miqtë e Serbisë jashtë Serbisë nuk duhet të dërgohen sinjale të përziera”.
“Ato i hutojnë nganjëherë, retorika politike ose bisedimet e Serbisë me Moskën, si dhe ajo se ku qëndron e ardhmja e Serbisë. Të gjithë e dimë se Rusia nuk është aleat i Serbisë. Kjo është një retorikë që mund t’i ngatërrojë politikanët këtu në Kongresin amerikan, mund t’i dekurajojë njerëzit që e mbështesin Serbinë”, tha Wilson.
Ai tha se, në bazë të hulumtimeve që ka parë, 65 për qind e qytetarëve të Serbisë duan marrëdhënie më të afërta me Shtetet e Bashkuara dhe se këtu e sheh bazën për ndërtimin e marrëdhënieve edhe më të mira.
Wilson tha se pozicioni i rajonit të Ballkanit Perëndimor në Evropën e sotme është “një nga çështjet e fundit kryesore strategjike evropiane”.
“Ai rajon dhe Serbia janë pjesë e Evropës dhe e komunitetit transatlantik. Unë mendoj se kjo pjesë është kyçe drejt këtij vizioni dhe kyçe për stabilitetin në rajon”, tha Wilson.
“Ne duam të ecim përpara me partnerët tanë në këtë rajon, duam të punojmë në reforma”, tha ai.
Vitale: Nuk ka ndryshim në mandatin e KFOR-it në Kosovë
Duke folur më herët në të njëjtën ngjarje, gjenerali i brigadës Tommaso Vitale, shef i zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje në Beograd, tha se nuk ka ndryshime në mandatin e KFOR-it në Kosovë.
Ai tha se KFOR-i është duke e përmbushur “atë që është përshkruar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
“Detyra jonë është që t’i mbrojmë të gjithë njerëzit në Kosovë, që të garantojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe dëshiroj të them që, në të njëjtën kohë, e mbështesim fuqishëm rinisjen e dialogut [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] nën ombrellën e Bashkimit Evropian apo cilitdo aktor tjetër ndërkombëtar, në mënyrë që të tejkalojmë mosmarrëveshjen historike”, tha Vitale.
“KFOR-i ka qenë, është dhe vazhdon të jetë plotësisht i përkushtuar, nuk do të ketë zvogëlim të numrit të trupave. Gjendemi në një mjedis kompleks, i cili është bërë edhe më kompleks me [pandeminë] COVID-19”, tha shefi i Zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje në Beograd.
Vitale theksoi se politika e neutralitetit ushtarak të Serbisë – për të cilën insistojnë autoritetet e saj – nuk paraqet kurrfarë pengese për bashkëpunim me NATO-n.
“Serbia është fqinji ynë dhe partner mjaft i vlerësuar. Roli i saj është kyç për rajonin dhe në kontekstin e gjerë ndërkombëtar. Ne e kemi thënë mjaft qartë se parimi ynë themelor është që NATO, si aleancë, e respekton të drejtën e secilit shtet sovran që t’i ketë zgjedhjet e tij dhe aranzhimet e sigurisë, pa kurrfarë përzierje ose vetoje nga jashtë. Kemi qenë mjaft të qartë lidhur me atë që NATO-ja e respekton të drejtën e Serbisë që t’i zgjedhë aranzhimet e veta”, tha Vitale.
Shefi i zyrës së NATO-s në Beograd rikujtoi se partneriteti ndërmjet Serbisë dhe NATO-s është vendosur rreth një dekadë e gjysmë më parë – më 2006 – përmes zyrës ushtarake, të cilën ai e drejton aktualisht, dhe tha se ky partneritet po zhvillohet “në interesin e Serbisë dhe NATO-s, si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Branimir Filipoviq, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, e falënderoi përfaqësuesin e NATO-s për qëndrimin lidhur me respektimin e politikës së neutralitetit ushtarak të Serbisë dhe gjithashtu tha se bashkëpunimi i Serbisë me Aleancën është në interesin e ndërsjellë dhe se kjo “është rruga e drejtë për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit”.
“Bashkëpunimi është i rëndësishëm edhe për shkak të çështjes së Kosovës, e cila për Serbinë është sfida më e madhe politike dhe e sigurisë e për të cilën dialogu është në vazhdim e sipër”, tha Filipoviq, duke theksuar se është e rëndësishme të punohet lidhur me perceptimin ndaj NATO-s në opinionin publik në Serbi.
Sipas hulumtimeve që janë publikuar më 21 korrik, anëtarësimin eventual të Serbisë në NATO e mbështesin 9 për qind e të anketuarve në Serbi, ndërkaq 72 për qind janë shprehur kundër.
Të tjerët, siç kanë thënë, nuk do të votonin në një referendum për një çështje të tillë.
Hulumtimin e ka zhvilluar Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, përfaqësuesi i së cilës tha se qëndrimet e qytetarëve për anëtarësim në NATO janë identike me rezultatet e dy vjetëve paraprakë.
Arsyeja themelore e mbështetjes së dobët për NATO-n në mesin e qytetarëve të Serbisë është intervenimi i NATO-s në Kosovë në vitin 1999, i cili zgjati 78 ditë dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes teknike-ushtarake në Kumanovë, më 9 qershor, 1999, pas së cilës forcat ushtarake dhe policore të Serbisë janë larguar nga territori i Kosovës.
Komentet