Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha këshilltarit të lartë të DASH-it, Derek Chollet, se për shtetin e tij çdo formë e njohjes formale apo joformale e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në Kombet e Bashkuara paraqesin “vija të kuqe”.
Më 12 janar, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, u takua në Beograd me Vuçiqin dhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
Vuçiq u tha gazetarëve se me diplomatin amerikan ka diskutuar për planin franko-gjerman për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Ne kemi treguar se cilat janë ‘vijat tona të kuqe’. Çdo formë e njohjes formale ose joformale e pavarësisë apo lejimi i anëtarësimit në OKB, ne nuk duam dhe nuk mund ta diskutojmë dhe kjo është pjesë integrale e atij plani”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se pjesa tjetër e planit franko-gjerman, që tani po njihet si plani i BE-së, mund të diskutohet.
Ky propozim synon normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë dhe ka mbështetjen edhe të SHBA-së.
Vuçiq shprehu mirënjohje ndaj administratës amerikane që po insiston në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje për Asociacionin, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. Kurti ka argumentuar se institucionet monoetnike bien ndesh me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Vuçiq tha “është e pamundur të arrihet përparim nëse dikush vazhdimisht i referohet akteve të veta ligjore”.
“Kur ju insistoni që diçka duhet të jetë në përputhje me, siç thonë, Kushtetutën e Kosovës, atëherë pse kemi negociuar, për çfarë kemi negociuar?”, pyeti presidenti serb.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se parimet për formimin e Asociacionit nuk janë plotësisht të harmonizuara me frymën e Kushtetutës, por tha se ato mund të harmonizohen.
Para qëndrimit në Serbi, Chollet vizitoi Kosovën, ku deklaroi se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Prishtina kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beorgadi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Komentet