Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar më 25 nëntor me presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi.
Temë e takimit ndërmjet presidentit serb, Vuçiq dhe presidentit rus, Putin ishin edhe çështje politike.
Presidenti rus deklaroi se sa i përket Kosovës, pozita e Rusisë është ‘parimore’.
“Sa i përket Kosovës, ju e dini që pozita e Rusisë është parimore dhe nuk nënshtrohet ndaj situatës aktuale politike. Ne e përkrahim pozitën tuaj, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit me Kosovën dhe shpresoj që do të zgjidhet duke ju përshtatur interesave të të gjithë njerëzve që jetojnë atje”, tha Putin.
Në anën tjetër, presidenti serb shprehi mirënjohje për përkrahjen e Rusisë në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.
“Siç e dini tashmë, në rajonin tonë jemi dëshmitarë të shtimit të provokimeve dhe tensioneve, sidomos në territorin e Kosovës”, tha Vuçiq.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ngase e konsideron pjesë e territorit të saj dhe e quan ‘Kosovë e Metohi’. As Rusia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe voton kundër anëtarësimit të saj në OKB. Rrjedhimisht Serbia refuzon të imponojë sanksione ndaj Moskës, e që është kërkesë e Bashkimit Evropian.
Vuçiq e Putin dakordohen për gazin
Gjatë takimit, presidenti rus Putin i ka thënë presidentit serb që do të gjejë zgjidhje të pranueshme për çmimin e gazit rus për Serbinë.
“Mendoj që do të dakordohemi, dhe do të kërkojmë nga palët relevante që të kryejnë këtë punë. Sidoqoftë do të gjejmë zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për miqtë tanë serbë”, tha Putin në Soçi ku u takua me presidentin serb.
Në lidhje me këtë, Vuçiq deklaroi se raportet mes Serbisë dhe Rusisë janë në nivelin më të lartë sepse shtetet janë partnerë strategjikë, dhe se bashkëpunimi po vazhdon në të gjitha fushat.
Këtu përfshihet edhe bashkëpunimi ushtarako-teknik. Duke folur për këtë Putin theksoi se manovrat e rregullta të forcave të sigurisë ‘padyshim që u shërbejnë të dyja shteteve’.
Vuçiq qëndron në Rusi për vizitë njëditëshe, (25 nëntor) dhe siç ishte paralajmëruar, takimi me Putinin është mbajtur në katër sy.
“Secili takim me presidentin e Federatës ruse, Vladimir Putin, ka rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin tonë”, shkroi presidenti serb në llogarinë e tij në Instagram, krahas një videoje në të cilën shihej duke u përshëndetur me Putinin në fillim të takimit mes tyre.
Vuçiq kishte deklaruar se do ta luste presidentin Putin për çmim më të arsyeshëm të gazit, e që në Serbi aktualisht paguhet 270 dollarë për 1 mijë metra kub.
Serbia në tërësi varet nga gazi rus. Marrëveshja me distributorin rus “Gazprom” do të skadojë në fund të vitit 2021, derisa në vazhdim janë negociatat për marrëveshje të re, e presidenti serb qysh më 15 tetor për transmetuesin publik serb kishte deklaruar që pala ruse propozoi çmim tri herë më të shtrenjtë krahasuar me atë aktual.
Takimi ndërmjet Vuçiqit dhe Putinit më 25 nëntor është i 19-i me radhë.
Vuçiq për herë të fundit ishte takuar me Putinin në qershor 2020, kur mori pjesë në paradën ushtarake në Moskë me rastin e shënimit të 75-vjetorit të fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
Komentet