Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç tha sot se ai ka marrë një njoftim zyrtar se Greqia synon të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Kosovën. Ai tha se beson në miqësinë e Beogradit me Athinën dhe se Greqia nuk do të shkojë një hap më tej për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Në një deklaratë për shtyp pas takimit me patriarkun dhe peshkopët e Kishës Ortodokse Serbe, anëtarët e Këshillit të Ipeshkvijve, Vuçiç tha se kur Kosova vendosi taksë për mallrat serbe, Greqia i dha mundësinë për të hapur zyra tregtare, dhe tani ky raport ka shkuar në një nivel më të lartë.
“Të premten, ne u informuam zyrtarisht se Greqia do të përmirësonte marrëdhëniet e saj me Prishtinën në një nivel më të lartë, drejtorë politikë, i cili është personi më i lartë i mundshëm në nivelin e një ministri”, shpjegoi ai.
Vuçiç tha se do t’i lutet Greqisë të mos e lejojë atë të ndodhë, sepse hapi tjetër do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, ky është një problem sepse tregon se jo vetëm Evropa mund të bashkohet kundër Serbisë për çështjen e Kosovës.
Ai theksoi se ekziston një rrezik shtesë që vendeve të tjera t’u bëhet presion për ta bërë të njëjtën gjë.
Pastaj, thotë ai, do të arriheshin marrëveshje bilaterale, ku një vend i tretë do ta përfaqësonte Kosovën në organizatat ndërkombëtare, dhe kështu të bëhej pjesë e NATO-s.
“Situata është shumë e vështirë për ne. Ne e ftuam ambasadorin grek për një bisedë, por nuk morëm asgjë, sepse kemi besim në miqësi dhe shpresojmë që ajo të mos shkojë në masa dhe afrime të mëtejshme”, theksoi Vuçiç.
I pyetur nëse ka marrë garanci se Greqia nuk do ta njohë Kosovën, ai ka thënë se ka marrë garanci të tilla çdo ditë, por që faktet tregojnë se ata po e rrisin nivelin e marrëdhënieve të tyre me Kosovën.
“Në periudhën e ardhshme, unë pres më shumë vizita në Beograd dhe gjithçka që do të funksionojë do të jetë presion. Do të ketë gjithashtu përpjekje për ta siguruar pavarësinë e Kosovës përmes iniciativave rajonale. Ajo do të ofrojë disa zgjidhje që duken të mira në shikim të parë, por prapa kësaj është njohja de facto”, theksoi presidenti serb.
Vuçiç arriti në përfundimin se Serbia po përballet me një periudhë shumë të vështirë politike. Edhe dje Vuçiç foli për marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë, duke shprehur shqetësimin e tij se ato po ndryshojnë dukshëm në rrafshin diplomatik.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia është lodhur nga ata që po e terrorizojnë që katër muaj”, duke shtuar se ata duhet të bëjnë gjithçka që të shmangin dhunën, por po ashtu të kundërshtojnë ata që “shkatërrojnë” shtetin.
“Po vlon në Serbi, por vetëm ata nuk e shohin këtë. Serbia është lodhur me ata që e kanë terrorizuar tash e katër muaj. Dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që t’iu përgjigjemi atyre që po e shkatërrojnë shtetin tonë”, tha Vuçiq përmes një video-adresimi në Instagram.
Ai shtoi se i fton njerëzit që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të tregojnë se ata duan një “Serbi të lirë”.
Pasi 16 persona vdiqën nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, një sërë protestash dhe bllokadash janë mbajtur, të organizuara nga studentët të cilët kanë bllokuar fakultetet për më shumë se tre muaj, duke kërkuar përgjegjësi për aksidentin.
Kërkesat e tyre janë mbështetur nga mësuesit, fermerët, avokatët dhe një numër qytetarësh.
Në mbrëmjen e së enjtes dhe orët e para të së premtes, studentët bllokuan depon e kompanisë së transportit të qytetit në Beograd, prandaj 150 autobusë dhe 130 tramvaje nuk operuan mëngjesin e së premtes.
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një parade në Prishtinë më 2024.
Mimoza Sadiku
Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan këtë javë një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Pa dhënë detaje konkrete, ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve thanë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.
Serbia e pa këtë si hap që “minon stabilitetin rajonal” dhe si kërcënim për “integritetin territorial” të saj, kurse Kosova tha se nisma s’duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt, por duhet të pranohet edhe si mesazh se tri shtetet do të jenë të bashkuara përballë çfarëdo sfide apo kërcënimi.
Njohës të sigurisë, në Prishtinë dhe në Beograd, nuk e shohin deklaratën si hap drejt formimit të një aleance formale të mbrojtjes, sikurse është ajo e NATO-s.
Çfarë i bashkon tri shtetet?
Për Ramadan Ilazin, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), rëndësia e deklaratës qëndron te fakti se erdhi në kohën kur është rritur paparashikueshmëria e aleancave ekzistuese të sigurisë në botë.
Ai e sheh nismën si hap drejt forcimit të alternativave ose aleancave strategjike, që Kosova të avancojë në aspektin e mbrojtjes, pasi ende nuk ka një rrugë të qartë të anëtarësimit në NATO.
“Unë nuk jam optimist që kjo aleancë shënon fillimin e krijimit të një blloku formal të mbrojtjes, por më shumë të një grupi të ri të shteteve në Evropë, të cilat e ndajnë të njëjtin shqetësim ose të njëjtin lexim të situatës së sigurisë në Evropën Juglindore”, tha Ilazi për Radion Evropa e Lirë.
Ilazi beson se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe vetë aleanca, do të jenë ombrellë e këtyre bashkëpunimeve, pasi nuk mendon se Shqipëria dhe Kroacia do të vepronin në kundërshtim me interesat e NATO-s në rajon.
Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuuese të kamotshme për stabilitet rajonal, edhe përmes kornizës të KFOR-it. I pyetur për nismën e re, zyrtari tha se aleanca “është në dijeni”, por se u takon palëve nënshkruese të deklaratës të thonë më shumë.
Pjesëtarë kroatë të NATO-s gjatë një stërvitjeje ushtarake.
Pavarësisht se nuk e ka formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare, nisma, me vullnet politik të palëve, mund të çojë “në veprime të buta politike”, sipas ekspertit për çështje të sigurisë në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, Vuk Vuksanoviq.
Ai tha për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi ballkanik pjesërisht është nxitur mes paralajmërimevepër një reduktim të mundshëm të “angazhimit të Shteteve të Bashkuara në NATO, nëse evropianët nuk investojnë më shumë për mbrojtjen e tyre”.
Sipas Vuksanoviqit, në një mjedis ku NATO-ja nuk largohet, por “ku ajo dobësohet, mund të ndodhë që shtetet e caktuara të formojnë grupime joformale për të bashkëpunuar”.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia paralajmëruan se nisma mund të zgjerohet me anëtarë të rinj, ndonëse s’kanë përmendur emra shtetesh. Megjithatë, Serbia aludoi se një nga këto shtete mund të jetë Bullgaria. Qeveria bullgare nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.
Edhe nëse i shtohen vende të tjera, Ilazi nuk mendon që ky grup po lëviz drejt krijimit të një aleance ushtarake që mishëron parimet e NATO-s, sikurse mbrojtja kolektive.
Ceremonia e nënshkrimit të deklaratës për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Pse Serbia po e kundërshton nismën?
Beogradi kërkoi shpjegim nga Tirana dhe nga Zagrebi lidhur me qëllimet e nismës, teksa tha se “nuk do të lejojë veprime të njëanshme që mund të rrezikojnë integritetin tonë territorial, sigurinë e qytetarëve dhe paqen në rajon”.
Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës u kundërpërgjigj, duke thënë se një sjellje e tillë e Serbisë paraqet një shkelje të re të Marrëveshjes së Brukselit, “e cila përcakton qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës”.
Ndërkaq, Kroacia tha se ka kaluar koha kur Zagrebi i kërkonte leje Beogradit se si të vepronte e më kë të bashkëpunonte.
Për Vuksanoviqin, Serbia me më shumë gjasa e sheh këtë nismë si “provokim politik nga ana e Zagrebit”.
Sipas tij, pushteti në Beograd mund ta përdorë këtë zhvillim për të zhvendosur vëmendjen nga situata politike në Serbi dhe protestat që po mbahen atje tash e disa muaj.
Edhe Ilazi mendon se reagimi i ashpër i Serbisë është thjesht për shkak të përfshirjes së Kroacisë, e cila në vitet ’90 zhvilloi një luftë për pavarësi nga ish-Jugosllavia.
Megjithatë, ai konsideron se bashkëpunimi trepalësh është nxitur nga mendimi i njëjtë se Rusia ushtron një ndikim dashakeqësnë rajon, dhe se regjimet autokratike në rajon paraqesin kërcënim për stabilitetin e Ballkanit – akuza që janë bërë vazhdimisht edhe nga autoritetet kosovare.
Përderisa mendon se Kosova do të përfitonte shumë nga përvojat e dy shteteve të NATO-s, por edhe nga trajnimet e ndryshme, Ilazi shpreh skepticizëm rreth zbatimit të nismës, duke kujtuar nivelin e ulët të zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme mes Prishtinës dhe Tiranës.
Liderët e Bashkimit Evropian (BE) duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, tha të enjten kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
“Duhet ta vëzhgojmë gjendjen në Evropën juglindore, posaçërisht stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe situatën në Serbi”, tha Pllenkoviq para samitit të BE-së në Bruksel.
“Ka kaq shumë ngjarje globale për momentin, është koha që një pjesë e asaj vëmendjeje të fokusohet edhe në një rajon që është treguar shumë i ndezshëm gjatë 35 vjetëve të fundit”, deklaroi Andrej Pllenkoviq për gazetarë.
Ai po i referohej krizës më të rëndë politike në Bosnje që nga përfundimi i luftës së saj 1992-95, e shkaktuar nga lëvizjet separatiste të Republikës Sërpska, pasi lideri i saj, Millorad Dodik, u dënua me një vit burg për shpërfilljen e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Pllenkoviq gjithashtu iu referua edhe protestave disamujore kundër Qeverisë në Serbi, pas vdekjes së 15 njerëzve nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad në nëntor.
Pllenkoviq i komentoi edhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili të mërkurën tha se Koracia dhe Shqipëria e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.
Sipas transmetuesit publik kroat, HRT, kryeministri kroat deklaroi në Bruksel se e kupton që në Serbi po përpiqen të kërkojnë probleme diku tjetër, por se ato nuk gjenden në memorandumin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar rishtazi mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ky është një memorandum për bashkëpunim të përbashkët, nuk ka asnjë karakter armiqësor, kështu që e kuptoj që tani po kërkohen probleme diku tjetër, por në këtë tekst ato nuk ekzistojnë”, tha Pllenkoviq duke iu përgjigjur pyetjes për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Lideri serb tha se memorandumi përbën shkelje të të ashtuquajtures marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armatimit nga viti 1996 dhe se është “pothuajse i sigurt” që për këtë nuk është njoftuar NATO-ja.
Pllenkoviq nguli këmbë se ky memorandum ndihmon përpjekjet e Kosovës dhe Shqipërisë në reformat e tyre dhe në shkëmbimin e përvojave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e nënshkruan një deklaratë në Tiranë më 18 mars, për ta forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, gjë që nxiti reagime në Serbi.
“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, tha Vuçiq për gazetarë në Bruksel më 19 mars.
Duke folur pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuçiq theksoi se memorandumi përbën “shkelje të marrëveshjes nënrajonale” dhe se është “i bindur se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”.
Ai tha se këtë çështje e ngriti në takim me shefin e aleancës veriatlantike, por nuk tregoi çfarë ka thënë Rutte në lidhje me të.
“Është detyra jonë t’ua themi zotit Rutte, njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se me Rutten ka biseduar dhe situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë.
Deklarata e nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kërkon forcimin e bashkëpunimit trepalësh dhe rëndësinë e reagimit të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.
Deklarata përfshin, siç raporton Radio Televizioni Kroat, promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride, si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euro-atlantik.
Deklarata lë të hapur mundësinë për vende të tjera për t’iu bashkuar asaj.
Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës sepse e konsideron shtetin pjesë të saj, megjithëse dialogon me Kosovën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në një proces që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
Më 2023, palët arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e cila, veç tjerash, i kërkon Serbisë që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Tensionet mes dy shteteve kanë qenë të larta viteve të fundit, dhe Kosova e ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa një sërë sulmesh në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Pavarësisht arrestimeve dhe brutalitetit të policisë në qendër të Stambollit, mijëra qytetarë dolën në rrugë të mërkurën në mbrëmje për të protestuar në mbështetje të kryebashkiakut Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua në mëngjes së bashku me mbi 100 persona të tjerë.
Mijëra njerëz u mblodhën jashtë bashkisë për të dëgjuar fjalimin e kreut të CHP, Özgür Özel. Ozel në ndërhyrjen e tij tha se vendimi për arrestimin e kryebashkiakut “ishte një grusht shteti”.
Ai ia atribuoi lëvizjen e fundit që ka tronditur Turqinë, Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, duke thënë se e bëri këtë për shkak të një mosmarrëveshjeje personale me Imamoglu, pasi humbi kontrollin e Stambollit për shkak të tij dhe imazhi i presidentit “u zbeh”.
Siç shpjegoi Özel, Erdogan mund të humbiste ndaj Imamoğlu-s dhe vetë Turqinë, ndaj ai luajti “kartën” e grushtit të shtetit.
Para protestuesve ka folur edhe bashkëshortja e Imamoglus, Dilek, e cila tha se nuk është arrestuar kryebashkiaku, por testamenti i 16 milionë qytetarëve, ndërsa vlerësuan punën sociale të kryer nga kryetari i bashkisë menza sociale dhe transport falas për kategoritë e qytetarëve vurnerabël në Stamboll.
Demonstrata sakaq u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Turqisë, si Ankara, Izmir dhe Trabzon. Mijëra qytetarë që dolën në sheshe, goditën edhe tenxheret dhe tiganët duke krijuar një jehonë.
Guvernatori i Stambollit kishte urdhëruar mbylljen e shumë rrugëve kryesore, stacioneve të metrosë dhe rrugëve në qytet, si dhe qendrave kryesore të transportit, ndërsa vendosi një ndalim katër-ditor të demonstratave.
Synimi i dukshëm është parandalimi i demonstratave në favor të kryetarit të bashkisë ose së paku pengimi i dukshëm i tyre.
Ndërkohë, qeveria mori edhe masa ligjore. Aktivistët thonë se që nga mëngjesi i së mërkurës, qasja në platformat kryesore të mediave sociale, si X, Instagram, YouTube dhe TikTok, është kufizuar.
Kujtojmë se arrestimi i Imamoglu vjen një vit pas fitores së tij në zgjedhjet komunale në të cilat ai u rizgjodh me 51.14% të votave si kryebashkiak i Stambollit.
Ai u akuzua për terrorizëm, çka çoi në ndalimin e tij, me ç’rast Ministri i Brendshëm e largoi nga detyra dhe e zëvendësoi me një zyrtar të caktuar nga qeveria deri në përfundimin e procedurave ligjore. sn
Parlamenti i Serbisë pranoi zyrtarisht dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vucevic të mërkurën, duke shkaktuar një afat 30-ditor për formimin e një qeverie të re ose thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Vuçeviç, kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe një aleat i presidentit populist Aleksandar Vuçiç, dha dorëheqjen më 28 janar mes protestave të shkaktuara nga shembja e një tende në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit nëntorin e kaluar, ku 15 persona humbën jetën.
Më shumë se 100,000 protestues zbritën në Beograd të shtunën, në një nga mitingjet më të mëdha në dekada. Protestuesit thonë se katastrofa e trenit ishte një simptomë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të përhapur, të cilin qeveria e mohon.
Sipas kushtetutës, presidenti Vuçiç ka tani 30 ditë për të propozuar një kryeministër të ri të emëruar për të udhëhequr qeverinë deri në vitin 2027, kur janë caktuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
“Parlamenti serb, … ka pranuar dorëheqjen e Kryeministrit dhe mandati i qeverisë përfundon,” tha kryetarja e parlamentit Ana Brnabiç. “Afati i fundit për …qeverinë e re është 18 prilli në mesnatë.”
Nëse Vuçiq nuk arrin të emërojë një kryeministër të ri të emëruar brenda afatit, zgjedhjet do të shkaktohen brenda 45 deri në 60 ditë.
Seanca e parlamentit që filloi më 4 mars dhe kishte dorëheqjen e Vuçeviçit si pikën e fundit të rendit të ditës, është dëmtuar nga dhuna, pasi deputetët e opozitës protestuan kundër qeverisë dhe në mbështetje të studentëve demonstrues.
Protestat mbarëkombëtare kanë tronditur Vuçiçin, i cili ka mbajtur pushtetin që kur u bë kryeministër më 2014 dhe president më 2017.
Protestat, të cilat filluan në Novi Sad në nëntor, janë përhapur që atëherë në pjesën tjetër të Serbisë.
Është e paqartë se si do të kalonin aleatët e Vuçiqit nëse shpalleshin zgjedhje të parakohshme. Në dhjetor, anketuesi i IPSOS Strategic Marketing tha se SNS gëzonte mbështetjen e 48.3% të elektoratit, megjithëse ndjenja popullore kundër qeverisë është rritur që atëherë.
Ky është momenti kur hajdutët vjedhin një tualet të artë 18 karatësh nga vendlindja e Winston Churchill.
Partitë opozitare kanë hedhur poshtë mundësinë e një votimi të parakohshëm dhe kanë kërkuar një qeveri të përkohshme pa SNS. Vuçiq e ka hedhur poshtë vazhdimisht një opsion të tillë./ Reuters. sn
Turqia po përballet me një krizë të thellë ekonomike, teksa regjimi autoritar i Rexhep Tajip Erdogan vazhdon goditjet e tij kundër opozitës. Lira turke ra në një nivel historikisht të ulët prej 42 për dollar, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga korriku i vitit 2023. Aksionet dhe obligacionet turke gjithashtu u shembën, duke reflektuar mungesën e stabilitetit ekonomik dhe pasiguritë e tregut.
Kriza erdhi pasi Erdogan urdhëroi arrestimin e rivalit të tij kryesor politik, kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu. Opozita e cilësoi këtë akt si një “përpjekje për grusht shteti” dhe një manovër të pastër politike për të eliminuar kundërshtarët e tij në prag të zgjedhjeve. Imamoglu pritej të ishte kandidati kryesor i opozitës përballë Erdogan, por tashmë ai është vënë në shënjestër të një sulmi të orkestruar nga regjimi.
Panik në tregje, investitorët po largohen
Pas arrestimit të Imamoglu, lira turke pësoi një goditje të rëndë, duke humbur mbi 12.7% të vlerës së saj. Banka qendrore turke u detyrua të ndërhynte duke shitur miliarda dollarë nga rezervat valutore për të ndaluar rënien e monedhës, por pa sukses. Analistët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej, duke vënë në dyshim të ardhmen e ekonomisë turke.
Aksionet kryesore në bursën e Stambollit ranë me gati 6%, duke shënuar performancën më të keqe ditore që nga fundi i vitit 2023. Nën-indeksi bankar u shemb me 9.67%, duke detyruar Borsën e Stambollit të ndërpresë përkohësisht tregtimin për të shmangur një kolaps të plotë. Investitorët e huaj po tërhiqen me shpejtësi nga Turqia, duke rritur shqetësimet për një krizë të re financiare në vend.
Politikat e gabuara të Erdogan, shkaktare e krizës
Kjo situatë dramatike është rezultat i viteve të politikave të gabuara të Erdoganit, i cili ka mbështetur politika ekonomike joortodokse që kanë nxitur inflacionin dhe kanë dëmtuar besimin e investitorëve. Pas një periudhe të gjatë manipulimesh financiare dhe ndërhyrjeve në bankën qendrore, Erdogan është detyruar të mbështesë politika më ortodokse, por dëmi tashmë është bërë.
Ekspertët paralajmërojnë se me këtë krizë të thellë ekonomike dhe represion politik në rritje, Turqia po shkon drejt një pike pa kthim. Arrestimi i Imamoglu dhe shtypja e opozitës tregojnë se Erdogan është i gatshëm të sakrifikojë stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht./ Reuters – Syri.Net
Në Stamboll kanë shpërthyer protestat dhe incidente pas anulimit të gradës së kryetarit të bashkisë dhe kandidatit për president të CHP, Ekrem Imamoglu si dhe arrestimit të tij mëngjesin e së mërkurës.
Pavarësisht ndalimit, studentët e universitetit u mblodhën për të protestuar. Policia u përpoq të bllokonte marshimin, por mijëra protestues duke brohoritur pro-demokracisë, arritën të thyenin bllokadën e policisë.
Jashtë portës kryesore, studentët u bënë thirrje studentëve të tjerë që të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre demokratike. Më pas marshimi u drejtua drejt bashkisë së qytetit në zonën e Saratchane.
Në mobilizim morën pjesë edhe studentë nga universitete të tjera në Stamboll. Policia turke ndaloi protestuesit para Shkollës Ekonomike.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa studentët deklarojnë se do të vijojnë protestat e tyre. bw
Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, tha në një deklaratë se populli turk do t’i japë përgjigjen e duhur Presidentit Erdogan, për ‘gënjeshtrat, komplotet dhe kurthet’ që sajoi ndaj tij.
Imamoglu e ndau mesazhin e shkruar me dorë në llogarinë e tij X disa orë pas arrestimit të tij me akuza për korrupsion dhe ndihmë të një organizate terroriste, gjë që shkaktoi protesta dhe kritika nga ana e opozitës.
“Populli ynë do t’i japë përgjigjen e duhur gënjeshtrave, komploteve, kurtheve, atyre që shkelin të drejtat e njerëzve dhe atyre që vjedhin vullnetin e popullit. Unë besoj te Zoti dhe më pas te kombi ynë. Gjithë të mirat.“, shkroi Imamoglu. Syri.net-SKAI.gr.
Autoritetet turke e kanë arrestuar të mërkurën rivalin kryesor të presidentit Recep Tayyip Erdogan, Ekrem Imamoglu, nën dyshimin për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist.
Partia kryesore opozitare e ka cilësuar arrestimin e tij “tentim për puç kundër presidentit tonë të ardhshëm”.
Arrestimi i Imamoglut – kryetarit të njohur të Stambollit – vjen në një kohë kur shumë figura opozitare janë ndaluar në gjithë vendin, gjë që është cilësuar nga shumë si përpjekje e politizuar për t’i heshtur kundërshtarët.
Qeveria e Erdoganit i ka hedhur poshtë kritikat, duke thënë se gjyqësori është i pavarur.
Imamoglu, 54 vjeç, prin para Erdoganit në disa prej sondazheve në Turqi.
Ai është duke u hetuar në dy raste të ndara, të cilat përfshijnë gjithashtu akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim me tenderë.
Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), ishte në prag ta shpallte Imamoglun kandidat për president për ta sfiduar Erdoganit, i cili ka udhëhequr Turqinë për më shumë se dy dekada.
Zgjedhjet e ardhshme janë planifikuar për vitin 2028, por Erdogan e ka arritur kufirin e lejuar prej dy mandatesh si president, pasi më parë ka shërbyer si kryeministër. Nëse dëshiron të garojë përsëri për president, ai duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme dhe të pretendojë se nuk e ka përfunduar mandatin e tij të dytë, ose i duhet ta ndryshojë Kushtetutën.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Imamoglu tha se nuk do të dorëzohet dhe se do të vazhdojë të qëndrojë i palëkundur përballë trysnisë.
Lideri i CHP-së, Ozgur Ozel, e quajti arrestimin e Imamoglut përpjekje për grusht shteti dhe u bëri thirrje të gjitha grupeve opozitare të bashkohen kundër ndalimit të tij. Ai shtoi se partia do ta zgjedhë Imamoglun si lider të dielën, pavarësisht zhvillimeve.
Sipas një komunikate nga zyra e prokurorit të Stambollit për hetimin e parë, gjithsej 100 njerëz, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë, dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale të lidhura me tenderë të caktuar të lëshuar nga bashkia e Stambollit.
Në hetimin e dytë, prokurorët e akuzojnë Imamoglun dhe gjashtë persona të tjerë për mbështetjen e Partisë së Punëtorëve Kurdistan, PKK, e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.
Muajin e kaluar, PKK-ja shpalli armëpushim në përgjigje të thirrjes së liderit të burgosur, Abdullah Ocalan, për çarmatim, duke shënuar një hap të madh drejt përfundimit të një kryengritjeje që ka lënë mbi 40.000 të vdekur dhe që mund të ketë pasoja të rëndësishme për sigurinë rajonale dhe politikën.
Arrestimi i Imamoglut ndodhi një ditë pasi Universiteti i Stambollit e shfuqizoi diplomën e tij, vendim i cili, nëse konfirmohet, do ta pengonte atë të garojë në zgjedhjet presidenciale.
Zyra e guvernatorit të Stambollit ndaloi të gjitha tubimet dhe protestat në qytet për katër ditë.
Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës ka lëshuar një urdhër-arresti mbarëkombëtar për Milorad Dodik dhe dy të tjerë, pasi Presidenti i entitetit të Republika Srpska të mbizotëruar nga serbët e Bosnjës injoroi një urdhër arresti në nivel shtetëror javën e kaluar.
Dy të tjerët janë kryeministri i njësisë Radovan Vishkoviç dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiç. Urdhri nënkupton që çdo oficer policie në vend që i ndeshet duhet t’i arrestojë menjëherë.
Të gjithë ata akuzohen për sjellje antikushtetuese. Mediat boshnjake raportojnë se Stevandiq është larguar nga vendi për në Serbi.
Prokurorët e nivelit shtetëror të Bosnjës lëshuan urdhra arresti për treshen javën e kaluar , gjë që nuk u zbatua.
Dodik nuk ka komentuar ende urdhrin e ri, por ka postuar në X se Republika Srpska po ndërmerr hapa për të formuar policinë e saj kufitare. Kjo do të kontrollojë kufirin midis Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Republika Srpska, dy entitetet në vend.
Ligjet e reja të liderit serb të Bosnjës Milorad Dodik ndezin krizë të madhe politike
Dodik, i cili më parë tha se nuk e njeh zyrën e prokurorit të nivelit shtetëror të vendit, ka hedhur poshtë vlefshmërinë e urdhrit të javës së kaluar dhe çdo përpjekje për arrestimin e tij dhe tha se nuk do të shkojë në Sarajevë për t’u marrë në pyetje.
Gjykata e nivelit shtetëror të Bosnjës e dënoi Dodikun në fund të shkurtit për kundërshtimin e vendimeve të të dërguarit ndërkombëtar të vendit për paqen, Christian Schmidt, që përbën një akt kriminal. Vendimi nuk është përfundimtar dhe Dodik mund ta apelojë atë.
Menjëherë pas kësaj, Dodik prezantoi ligje të reja që synojnë të ndalojnë funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe gjyqësorit në nivel shtetëror në atë që përfshin rreth gjysmën e territorit të vendit të Ballkanit Perëndimor.
Vendimet janë pezulluar përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese në nivel shtetëror.
Forca paqeruajtëse evropiane në Bosnje, EUFOR, ka thënë se po rrit numrin e trupave të saj në përgjigje të tensioneve. bw
Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është mbyllur deri në një njoftim të dytë, për shkak të situatës së sigurisë.
Xhenana Halimoviq
Potoçari nuk dukej kurrë më i heshtur e më i trishtuar.
Pamja nga portat e mbyllura të Qendrës Përkujtimore, ku janë varrosur më shumë se 6.700 viktima të gjenocidit, është sidomos e dhimbshme për banoren e Srebrenicës, Shahida Abdurahmanoviq.
Mes të varrosurve janë edhe 12 anëtarë të familjes së saj të ngushtë.
Është Ramazan – muaj i agjërimit për myslimanët – dhe policia, me kërkesë të disa grave që jetojnë pranë, hap dhomën e lutjeve, çdo mbrëmje.
Pastaj, sërish heshtje.
“Është rrëqethëse. Është një ndjenjë ndryshe. Të trishton dhe të kthen në ato kohët më të vështira. Dhe, sigurisht, nuk mund të mendosh se po ndodh diçka e mirë”, thotë Shahida, shtëpia e së cilës gjendet afër varrezave të Qendrës Përkujtimore.
Qendra Përkujtimore e Srebrenicës, e cila gjendet në entitetin serb Republika Sërpska, në lindje të Bosnje e Hercegovinës, njoftoi më 7 mars se do të mbyllet deri në njoftimin e radhës, për shkak të situatës së sigurisë.
Prej se është hapur në vitin 2003, kjo është hera e parë që mbyllet.
“Vendimi është marrë për shkak të pamundësisë për të ofruar garanci adekuate të sigurisë për punonjësit, bashkëpunëtorët, mysafirët dhe vizitorët. E gjithë kjo bëhet në përputhje me rregulloret ligjore dhe rrethanat aktuale, si dhe me grushtshtetin që po zhvillohet kundër institucioneve shtetërore nga ana e grupeve rebele me seli në Banja Llukë”, shkruan nga Qendra Përkujtimore në rrjetin social X, pas mbylljes.
Më shumë se një javë më vonë, ata nuk duan të flasin më tepër për këtë.
Çka i parapriu mbylljes?
Mbyllja e dyerve për vizitorët vjen pas hyrjes në fuqi të ligjeve antikushtetuese të Republikës Sërpska, që ndalojnë funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Hetimit (SIPA), si dhe të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës në këtë njësi.
Që nga viti 2011, Qendra Përkujtimore sigurohet nga Drejtoria për Koordinimin e Organeve Policore e Bosnje e Hercegovinës.
Edhe pse siguria është nën një agjenci të menaxhuar nga institucionet shtetërore, dhe jo nga policia e entitetit, pasigurinë e shkakton fakti që autoritetet e Republikës Sërpska nuk e pranojnë gjenocidin në Srebrenicë, i cili është konstatuar nga gjykatat ndërkombëtare.
Në mesin e mohuesve të gjenocidit janë edhe zyrtarët më të lartë, përfshirë presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
Ata kundërshtojnë edhe Rezolutën e miratuar nga Kombet e Bashkuara në maj të vitit të kaluar, me të cilën 11 korriku është shpallur Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.
Mision i Qendrës Përkujtimore është ta ruajë kujtimin për viktimat e gjenocidit dhe t’i edukojë brezat për rëndësinë e paqes, tolerancës dhe të drejtave të njeriut.
Në Qendrën Përkujtimore ka artefakte të shumta të viktimave të gjenocidit, të gjetura në varreza masive, si orë apo veshje, por edhe të dhuruara nga familjarët.
Mbështetje edhe nga Ruanda
Pas mbylljes, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës u bëri thirrje institucioneve në mbarë botën që t’i bashkohen një nisme globale të përkujtimit dhe rezistencës, të quajtur #SrebrenicaShutdown.
Në më pak se 24 orë, mesazhe mbështetjeje kanë arritur nga 17 vende të ndryshme, nga përfaqësues të viktimave të gjenocidit në Ruandë, nga shoqata të kujtimit të Holokaustit, ambasada të shumta, organizata dhe institucione.
Në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës thonë se janë jashtëzakonisht mirënjohës për këtë, sepse, siç shprehen, një gjë e tillë konfirmon rëndësinë e ruajtjes së kujtimeve dhe kundërshtimit të mohimit dhe padrejtësisë historike.
“Këto mesazhe dhe veprime janë një rikujtim i fuqishëm se misioni i Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës u përket shumë njerëzve dhe se e vërteta do t’i ketë gjithmonë mbrojtësit e saj. Ky lloj solidariteti e forcon edhe më tej vendosmërinë tonë për të qëndruar të përkushtuar ndaj misionit tonë dhe për të vazhduar luftën për të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën”, thonë nga kjo qendër për Radion Evropa e Lirë.
Kështu, më 12 mars, dyert e Muzeut në Universitetin De Montfort në Leicester të Mbretërisë së Bashkuar janë mbyllur simbolikisht për pesë minuta.
Policia para Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, 7 mars 2025.
Kim Sadique, profesoreshë e Parandalimit të Gjenocidit dhe Edukimit për të, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky ishte “një akt i vogël solidariteti”, por edhe përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj ngjarjeve në Bosnje e Hercegovinë, përkatësisht në Srebrenicë.
“Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është një fener shprese dhe një kundër-narrativ i dukshëm për mohuesit e gjenocidit, që përpiqen ta rishkruajnë historinë e Bosnje e Hercegovinës dhe vazhdojnë ta kërcënojnë të ardhmen e saj. Kjo nuk mund të lejohet dhe kjo është arsyeja përse kemi vendosur të marrim një qëndrim”, thotë Sadique.
Dhe kështu, qyteti ku në mes të korrikut të vitit 1995, forcat serbe kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem gjatë gjenocidit, duket i shkretë.
Kryesisht janë gra të moshuara që shkojnë për të qenë pranë varreve të të dashurve të tyre.
Për shumë nga to, kjo është e gjitha që u ka mbetur. Dhe kjo është e shenjtë për to, thotë Shahida.
Në gjenocid është vrarë edhe djali 16-vjeçar i motrës së saj.
“Ajo më merr në telefon dhe më thotë: ‘Shahida, prej se është mbyllur Qendra Përkujtimore, nuk fle, fëmija im i vetëm është aty’. Të gjithë njerëzit që i kanë mbijetuar gjenocidit, që janë të afërm, ose edhe diku nëpër botë, nuk ndihen mirë nëse kjo merr fund”, thotë Shahida.
Video nga arkivi:
Në qytet, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2013, shumica janë boshnjakë, ndërsa rreth 45 për qind janë serbë.
Shahida thotë se të gjithë banorët janë të shqetësuar, pasi presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, është dënuar në shkallë të parë para Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës, më 26 shkurt, me një vit burgim dhe ndalesë gjashtëvjeçare të veprimtarisë politike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Shahida thotë se askush nga autoritetet nuk ka folur me qytetarët.
Pushtetin në Srebrenicë e udhëheq kryetari serb, Millosh Vuçiq.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vuçiq thotë se nuk ka informacione se pse njerëzit ndihen të pasigurt në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.
Ai thotë se i ka kontaktuar edhe forcat policore të entitetit, të cilat, sipas tij, kanë thënë se nuk ka asnjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve në Srebrenicë.
“Vërtet, nuk e kemi pasur as incidentin më të vogël”, thotë Vuçiq.
Ai shton se nuk ka kontaktuar me drejtorin e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Emir Sulagiq, dhe se nuk i di arsyet përse ndihen të pasigurt.
“Policia i ruan objektet atje. Prezenca e policisë është shtuar vetëm për shkak të këtyre pretendimeve, por nuk e di se nga cila anë kërcënohet siguria”, shprehet Vuçiq.
Megjithatë, në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës thonë se ajo do të qëndrojë e mbyllur derisa situata të stabilizohet, ndërsa të gjithë punonjësit do të punojnë nga shtëpia, “nëse është e mundur”.
Video nga arkivi:
Më shumë se 50 njerëz janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocidin dhe krimet në Srebrenicë, të cilat kanë ndodhur pasi ushtria e Republikës Sërpska e ka pushtuar zonën – atëkohë të mbrojtur nga OKB-ja.
Sipas të dhënave të Institutit për Persona të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, 30 vjet pas gjenocidit në Srebrenicë dhe rrethinë, rreth 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.
Komentet