BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sot i ka dërguar një letër presidentit të SHBA-ve Donald Trump, në të cilën falënderoi Trumpin për mbështetjen e përpjekjeve të Serbisë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Siç njoftohet nga Presidenca serbe, Vuçiç i shkroi Trumpit se presidenti i SHBA-ve me “letrën miqësore” edhe një herë theksoi gatishmërinë e SHBA-ve që të ndihmojnë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, për të gjetur zgjidhje për Kosovën.
“Më besoni, president i nderuar, se askush nuk e ka më me rëndësi zgjidhjen se sa vendi im, sepse problemi i Kosovës është një barrë e rëndë, para së gjithash, për Serbinë dhe popullin serb. Ne jemi të përkushtuar për dialog dhe i qasemi me guxim dhe realitet, duke menduar për të ardhmen e të gjithë neve në Ballkanin Perëndimor. Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrimet tona sipas Marrëveshjes së Brukselit”, theksoi Vuçiç.
Megjithatë, vlerësoi Vuçiç, Serbia nuk mund ta zgjidh këtë problem të rëndë vet, pa marrë parasysh vullnetin dhe besimin, duke përkujtuar se Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut sapo të hiqet taksa ndaj produkteve të Serbisë.
“Dua që me këtë letër të theksoj edhe një herë vendosmërinë time të fuqishme për të pasuruar marrëdhëniet e dy vendeve tona me forca të përbashkëta. Jam krenar që vendi im në dy luftërat botërore ka luftuar në anën e drejtë dhe të drejtësisë dhe se ne ishim aleatë. Vitin e kaluar shënuam shekullin që kur flamuri serb u valëvit mbi Shtëpinë e Bardhë, në nder të guximit të Serbisë dhe viktimave të dhëna në Luftën e Parë Botërore”, thotë presidenti i Serbisë, Vuçiç në letrën e tij.
Ai i bëri thirrje Trumpit që të vizitojë Serbinë, si presidenti i parë amerikan pas, “pothuajse 40 vitesh”.
“Me përshëndetjet e ngrohta, pranoni, ekselenca juaj, urimet më të mira për përparimin e mëtejshëm të vendit tuaj dhe mirëqenien e qytetarëve amerikanë dhe shprehjet e respektit tim të thellë”, shkruan në letrën e presidentit Vuçiç drejtuar presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. aa
Komentet