Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten mbrëma se shërbimet serbe kanë zbuluar një varg operacionesh të zbulimit që përfshijnë agjentët rusë dhe pjesëtarët e ushtrisë serbe.
Ai i bëri këto komente të enjten mbrëma pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare që pasoi publikimin në rrjetet sociale të një video xhirimit ku shihet një agjent i shërbimit rus të zbulimit, duke i dhënë para një zyrtari të shërbimit serb të sigurisë.
Ai tha se video xhirimi nuk është bërë nga Shërbimi Ushtarak serb i zbulimit, i cili ka qenë i njoftuar me ngjarjen që ka ndodhur më 24 dhjetor të vitit 2018, kur “shërbimi ynë i sigurisë kishte siguruar të dhëna se në Zemun, diku rreth orës 18:00 nënkoloneli i pensionuar Z.K do të takohet me nënkolonelin rus Gerogie Kleban”.
Ai tha se dokumentimi nuk ishte i mundur atëbotë meqë aty kishte njerëz të tjerë.
“Mund t’ju them se në disa raste kemi konstatuar dhe dokumentuar me foto e video takimet e nënkolonelit Kleban me pjesëtarët e ushtrisë serbe. Vetëm për Klebanin, ndërsa kemi video dhe fotografi të dokumentuara edhe për pjesëtarë të tjerë të shërbimit rus të sigurisë me pjesëtarët e strukturave ushtarake serbe, por vetëm për Georgi Klebanin janë dokumentuar 10 kontakte me tri burime konspirative dhe prej tyre, në tri raste, nënkoloneli Kleban u ka dhënë para pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë”, tha ai, duke theksuar se Georgi Kleban ishte ndihmës i atasheut ushtarak rus në Serbi dhe nuk është më në territorin e Serbisë.
“Kemi dokumente edhe për takime të agjentëve të tjerë me nëntë pjesëtarë të forcave tona të armatosura”, tha ai
Një ditë më parë presidenti serb kishte urdhëruar hetimin e video xhirimit, ndërsa të enjten takoi ambasadorin rus në Beograd, Alexandër Bocan-Harchenko.
“I kam bërë pyetje sot, njeriut të jashtëzakonshëm, ambasadorit serioz të Federatës ruse, Alecxandër Bocan Harchenkos; përse? Asgjë më shumë. Nuk kam parë kurrfarë logjike”, tha presidenti serb duke theksuar se Serbia ka marrëdhënie shumë miqësore me Rusinë.
“Jam bindur, të paktën kështu mendoj, se presidenti Putin nuk ka qene i informuar për gjëra të tilla”, tha ai duke nënvizuar mbështetjen e Rusisë për integritetin e Serbisë, për pajisjen e ushtrisë së saj dhe mbështetjen në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Serbi, tha ai, “është i vetmi vend që nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse. I vetmi vend që nuk ka votuar kurrë kundër Rusisë në asnjë formë dhe i vetmi vend jashtë Bashkësisë Shteteve të Pavarura apo Unionit Euroaziatik që mban me ta edhe stërvitje ushtarake dhe me asgjë nuk e ka rrezikuar miqësinë me Rusinë”, tha ai.
Presidenti Vuçiç, tha se tërë kjo çfarë ka ndodhur e ka forcuar pozicionin politik të Serbisë e cila do të forcojë neutralitetin saj ushtarak. Serbia tha ai, nuk do të hyjë në NATO por as në ndonjë aleancë tjetër ushtarake.
Presidenti serb pritet të udhëtojë në Moskë me 4 dhjetor për të takuar presidentin rus Vladimir Putin, takimi i tretë gjatë këtij viti.
Tash për tash është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë tërë kjo çfarë ka ndodhur me skandalin e spiunazhit në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.
Të enjten paradite Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “marrëdhëniet me Serbinë janë partneritet vëllazëror. Asgjë nuk mund t’i dëmtojë ato”.
Më vonë gjatë ditës zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se video xhirimet duhet të shihen si “provokim” që synon ë krijojë “përshtypje të caktuara” para takimeve të rëndësishme.
Serbia mbetet aleate e Rusisë, ndonëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian ndërsa shumica e serbëve e shohin Rusinë si mbrojtëse të tyre edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. zëri i amerikës
Komentet