“Shqiptari i dijes dhe i shkencës” ishte dokumentari televiziv që mbodhi pasditen e së Djelës (28 Tetor), në Uster kujtimin e jetës dhe veprimtarisë së Prof. Petrit Skënde.
Familja dhe bashkëatdhetarët, kryesisht dardharët mposhtën dhimbjen e mungesës së njeriut të tyre afërt duke e respektuar Petrit Skënden (1937-2018), në 81 vjetorin e tij të lindjes.
Njeriu i thjeshtë dhe i ditur edhe pse larg vendlindjes tregon se ka lënë gjurmë dhe kujtohet si vëlla dhe shok shkolle i fëmijërisë së hershme në Dardhë, Korçë dhe Uster; si student dhe pasuniversitar me prirjet në letërsi, dhe thellësisht i dhënë pas matematikës e fizikës në Universitetin e Tiranës gjatë viteve 1954-1959; si kërkues shkencor gjatë gjithë jetës së tij në dobi fushave prodhuese për mineralet, ujrat, mjeksinë dhe bujqësinë të pandara ato nga mësimdhënia dhe udhëheqësia akademike në auditorët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës së Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës.
Pikërisht këtë ngjeshje ngjarjesh të jetës ta sjellin kujtimet e Koli Skënde (vëllai), Prof. dr. Aleko Minga (matematicien) dhe Prof. dr. Kostandin Dollani bashkëkohës dhe ndjekës të arritjeve të fizikës elektrodinamike dhe atomike nga Prof Petrit Skënde. Më tej Prof. dr Fatos Ylli dhe Prof. dr Betim Çiço në tregimet plot pasion të veprimtarisë së Institutit të Fizikës Bërthamore (1972-1991), çmojnë energjitë e një mësuesi që ndihmoi brezat e rinj të shkenëtarëve për t’u ballafaquar me arritjet bashkëkohore.
Por të gjitha këto sëbashku të rradhitura në orën e një ekranizimi të bëjnë të kuptosh edhe Petrit Skënden si prind e gjysh në familje, i afërt në lidhjet mes miqve e kolegëve si edhe mes bashkëfshatarëve dardharë që dallojnë më së shumti atë marrëdhënie të mërgimtarit me vendlindjen, Shqipërinë.
Familja Skënde, Shoqata “Bleta” (dardharët nga Boston, Hartford, Kanadaja dhe Usteri), ndanë një kujtim të shënuar të jetës së Prof. Petrit Skënde me dokumentarin e RTSH-tv Korçës, ku shumë nga pjesëmarrësit veç tregimeve që sollën, përgëzuan realizuesit si dhe organizatorët e kësaj pasditeje përkujtimore.







Komentet