Zyrtarët e qytetit në Uashington i paralajmëruan të hënën mbështetësit e Presidentit Donald Trump që të mos sjellin armë në protestat e kësaj jave kundër çertifikimit nga Kongresi të humbjes së tij, ndërsa janë thirrur për ndihmë edhe trupat e Gardës Kombëtare për të ruajtur rendin.
“Kemi marrë disa informacione se ka individë që synojnë të sjellin armë në qytetin tonë dhe kjo nuk do të tolerohet,” tha për median Shefi i Policisë Metropolitane Robert Contee, ndërsa shtoi se ata që do të bënin një gjë të tillë, ose që të provokonin dhunë, do të arrestohen.
Më shumë se 300 trupa do të mbështesin qeverinë e qytetit, duke siguruar kontrollin e turmës dhe ndihmuar shërbimet e shpëtimit dhe zjarrfikësve, thuhet në një deklaratë të Gardës Kombëtare të Uashingtonit. Në përpjekje do të marrin pjesë edhe forcat e rendit nga disa agjenci federale dhe shtetërore, tha zoti Contee.
Kryeqyteti amerikan ka disa nga ligjet më të rrepta për armët dhe ndalon mbajtjen hapur të armëve ose mbajtjen pa leje të pistoletës.
Mijëra mbështetës të zotit Trump, përfshi disa nacionalistë të ekstremit të djathtë, që kanë mbajtur hapur armët në protesta në vende të tjera, pritet të bashkohen në kryeqytetin amerikan duke filluar nga e marta për të kundërshtuar çertifikimin nga Kongresi të mërkurën të fitores së zgjedhjeve presidenciale nga demokrati Joe Biden.
Zoti Contee tha se protestat mund të jenë më të mëdha se ato të nëntorit dhe dhjetorit, gjatë të cilave pati përleshje me thika dhe përplasje të tjera, ndërsa qindra pjestarë të grupit “Proud Boys” që e cilësojnë veten “shovinistë perëndimorë” dhe besnikë të tjerë të zotit Trump, u përleshën me kundër-protestuesit dhe kërkoni të përlesheshin me aktivistë të “antifës”(anti-fashistët) dhe aktivistë të lëvizjes “Black Lives Matter”.
Të hënën, policia metropolitane arrestoi udhëheqësin e grupit “Proud Boys”, Henry “Enrique” Tarrio dhe ngriti akuza ndaj tij për shkatërrim prone në lidhje me një protestë të mëparshme. Tarrio kishte në zotërim dy karrikatore me kapacitet të lartë në kohën e arrestimit, tha policia ndërsa ngirit akuza edhe për këtë rast.
TRUMP DO TË FLASË NË TUBIM
Presidenti Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij që të marrin pjesë në tubimet e kësaj jave, duke shkruar në Twitter të dielën se, “Do të jem aty” dhe të premten shkroi “Do të jetë e madhe”. Disa tubime janë planifikuar për të mërkurën, përfshi një pranë Kongresit amerikan.
Shtëpia e Bardhë nuk ka ofruar ndonjë agjendë zyrtare, por një individ i informuar mbi planet tha se Presidenti Trump do të flasë para mbështetësve me 6 janar në parkun që ndodhet pranë Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti pretendon në mënyrë të gabuar se zoti Biden i fitoi zgjedhjet përmes manipulimit masiv të votave, edhe pse dhjetëra vendime gjykatash federale dhe shtetërore, zyrtarë shtetërorë të zgjedhjeve nga të dy partitë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk kanë gjetur ndonjë mashtrim të madh.
Në bazë të kushtetutës Kongresi duhet të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të mërkurën, në atë që normalisht do të ishte një formalitet i mbikëqyrur nga Zëvendës Presidenti Mike Pence.
Por të paktën 12 senatorë republikanë dhe rreth 140 ligjvënës republikanë nga Dhoma e Përfaqësuesve janë zotuar të votojnë kundër çertifikimit të fitores së zotit Biden, duke cituar pretendimet e Presidentit Trump për mashtrime zgjedhore.
Përpjekja e tyre nuk do të ndryshojë rezultatin, tha në një konferencë shtypi Kryebashkiakja demokrate e Uashingtonit Muriel Bowser.
“Kushtetuta jonë do të qëndrojë. Joe Biden dhe Kamala Harris do të jenë presidenti dhe nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara kur të inaugurohen me 20 janar”. Zonja Bowser u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë larg qendrës së qytetit, ku dritaret e zyrave, restoranteve dhe hoteleve janë ende të mbuluara me dërrasa që nga protestat e verës kundër dhunës racore.
Para arrestimit të tij, Tarrio i grupit “Proud Boys” tha në median sociale se një numër rekod anëtarësh do të marrin pjesë, duke sugjeruar se ata mund të vishen me të zeza sikurse aktivistët e antifës. “Ne do të jemi të panjohur dhe do të shpërndahemi në qendër të Uashingtonit në grupe të vogla,” tha ai.
Hoteli Harrington dhe restoranti Harrys përkarshi, të frekuentura nga pjestarë të grupit “Proud Boys” gjatë protestave të mëparshme, do të mbyllen të martën dhe të mërkurën. “Ndërsa ne nuk mund të kontrollojmë se çfarë ndodh jashtë hotelit, ne po ndërmarrim hapa shtesë për të mbrojtur sigurinë e vizitorëve, mysafirëve dhe punonjësve tanë,” thuhet në faqen e hotelit në internet. VOA
Komentet