Turqit po hedhin votën e tyre të dielën në një referendum historik në të cilën duhet të vendoset nëse do të miratohen ndryshimet kushtetuese që do të përqendrojnë pushtetin në duart e presidentit.
Nëse shumica voton për ‘po’, atëherë 18 ndryshime në kushtetutën e vendit do të shndërrojnë sistemin e qeverisjes nga ai parlamentar në atë presidencial duke i siguruar fuqi të zgjeruara ekzekutive presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti Erdogan, i cili organizoi referendumin dhe u hodh në fushatë në mbështetje të tij, tha se sistemi i propozuar presidencial ‘i stilit turk” do të sigurojë që vendi të mos rrezikojë të ketë qeveri të dobëta dhe nguli këmbë se qëndrueshmëria e tij do të çojë në një periudhë përparimi. Por kundërshtarët druajnë se kjo do të çojë në sundim autokratik, duke siguruar që Erdogani, që është akuzuar për shkelje të lirive të dhe të drejtave të njeriut, të qeverisë deri në vitin 2029.
Më shumë se 55 milionë veta kanë të drejtë vote në vendin me 80 milionë banorë.
Vota “për” do t’i sigurojë presidentit fuqinë për emërimin e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë qeveritar, emërimin e gjysmës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të lëshojë dekrete dhe të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Ai përcakton mundësinë që presidenti të ushtrojë dy mandate pesëvjeçare. Ndryshimet do të hynin në fuqi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të caktuara për vitin 2019.
Fushata ishte përçarëse dhe shumë e njëanshme. Mbështetësit e ndryshimeve dominuan me reklamat gjithandej vendit. Kundërshtarët e ndryshimeve u ankuan për një atmosferë frike dhe partia kryesore opozitare regjistroi me shumë se 100 incidente që penguan fushatën e saj, përfshirë edhe rrahjet, burgosjet dhe kërcënimet.
Vota po ndodhë në një periudhë kur Turqia është e goditur nga problemet. Presidenti Erdogan mbijetoi një përpjekje për grusht shteti në muajin korrik të vitit të kaluar dhe fajësoi për këtë ish aleatin e tij, klerikun Fethullah Gulen, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara. Gjendja e jashtëzakonshme që u vendos pas grushtit të shtetit, është ende në fuqi. Një goditje e gjerë qeveritare vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë.
Afërsisht 100 mijë veta, përfshirë gjyqtarë, mësues, akademikë, mjekë, gazetarë dhe pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore, kanë humbur vendet e punës dhe më shumë se 40 mijë janë arrestuar. Qindra media dhe organizata joqeveritare janë mbyllur.
Turqia u përball edhe me dhunën e përtëritur ndërmjet militantëve kurdë dhe forcave të sigurisë në pjesën e brishtë juglindore të vendit, sikurse edhe me një seri sulmesh me bomba, disa nga të cilat të kryera nga grupi militant Shteti Islamik, që vepron në Siri. Lufta në Siri bëri që rreth tre milionë refugjatë të kalojnë kufirin duke kërkuar strehim në Turqi. Ankaraja dërgoi trupa në Siri për të ndihmuar forcat opozitare sirianë që të pastrojnë zonën kufitare nga kërcënimet e militantëve të Shtetit Islamik.
Ndërkohë, marrëdhëniet e Turqisë më Evropën u tensionuan në vazhdimësi, posaçërisht pasi që presidenti Erdogan i cilësoi Gjermaninë dhe Holandën si “naziste”, për shkak se nuk lejuan ministrat e tij që të bëjnë fushatë në favor të referendumit me bashkatdhetarët e tyre.
Erdogan, që mori pushtetin në vitin 2003 si kryeministër dhe shërbeu në atë post derisa u bë president në vitin 2014, ka bërë përpjekje të gjata për zgjerimin e fuqive të presidentit. Rezultatet e referendumit të së dielës do të përcaktojnë ardhmërinë politike të Turqisë dhe do të ushtrojnë ndikim në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian dhe më botën.
Komentet