E shtuna shënon përvjetorin e parë të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Por masat e forta për goditjen e kundërshtarëve pas grushtit të shtetit kanë krijuar shqetësime rreth thellimit të ndarjeve politike.
Në mbulimin e mediave turke për ngjarjet e 15 korrikut 2016 përfshihen pamje të ushtarëve që hapin zjarr ndaj njerëzve të paarmatosur në Urën e Bosforit në Stamboll dhe avionë që bombardojnë parlamentin.
Më shumë se 240 vetë u vranë dhe rreth 3,000 të tjerë u plagosën kur një grup ushtarak u përpoq të merrte pushtetin.
Postera të mëdhenj me njerëz që u ngritën kundër grushtit ushtarak mund të shihen në disa nga qytetet kryesore të Turqisë.
Turqia vazhdon të jetë nën gjendjen e jashtëzakonshme, me më shumë se 60,000 njerëz të burgosur dhe 140,000 të larguar nga puna.
Shumë prej tyre akuzohen si anëtarë të FETO-s, siç i quan qeveria ndjekësit e klerikut turk Fethullah Gulen me banim në SHBA, të cilin qeveria e fajëson për grushtin e dështuar të shtetit.
Gylen ka mohuar se është përfshirë në trazirat e vitit të kaluar.
Gjendja e jashtëzakonshme lejon zotin Erdogan dhe Kabinetin e tij të nxjerrin dekrete pa miratimin e parlamentit apo të gjykatave.
Komentet