Komiteti Kombëtar Republikan dhe Partia Republikane e Miçiganit i kërkuan me anë të një letre bordit shtetëror të zgjedhjeve në Miçigan ta shtyjë procesin e çertifikimit 14 ditë për të lejuar një kontroll të fletëve të votimit në qarkun më të madh të këtij shteti.
Letra vjen ndërkohë që Qarku Uejn, i cili përfshin qytetin me shumicë afrikano-amerikane të Detroitit, është bërë një qendër e përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit në shtetet që ishin vendimtare në humbjen e tij përballë demokratit Joe Biden.
Dy republikanë në bordin e këshillit zgjedhor të qarkut u përpoqën ta tërheqin votën e tyre në favor të çertifikimit të rezultateve të këtij qarku, pas një thirrjeje telefonike që morën nga vetë Presidenti Trump. Sekretarja e Shtetit e Miçiganit, demokratja Jocelyn Benson, tha se çertifikimi nuk mund të ndryshohet.
Bordi shtetëror, i cili përfshin dy demokratë dhe dy republikanë, do të takohet të hënën për të çertifikuar rezultatet e zgjedhjeve dhe do të ketë deri në 20 ditë afat për ta bërë këtë.
Letra bën thirrje për një “kontroll të plotë dhe transparent” në qarkun Uejn, duke përmendur “anomali të shumta dhe raporte të besueshme për parregullsi procedurale” akuza të ngritura nga një kandidat republikan që humbi vendin në senat.
Zyra e Sekretares së Shtetit rekomandoi të premten që bordi i shtetit të çertifikonte rezultatet, të cilat e nxjerrin zotin Biden fitues në Miçigan me 154,187 vota.
Ajo tha se kishte gabime të vogla në numërim dhe në raportim, por se ato ishin “gabime tipike njerëzore, të ngjashme me ato që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara” pa ndikim në rezultatet.
I pyetur për këtë çështje, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të Miçiganit vuri në dukje se ligji i shtetit nuk lejon auditim votash para çertifikimit dhe tha: “Gjyqtarët e emëruar si nga republikanët ashtu edhe demokratët kanë gjetur se pretendimet për mashtrim zgjedhor masiv janë krejtësisht të pabaza.”
Disa grupe kanë paraqitur kundërshtime, duke thënë se do të ndërmarrin veprimet e tyre ligjore.
Të premten, një grup votuesish afrikano-amerikanë në Detroit dhe një organizatë për të drejtat e votimit ngritën padi në gjykatën federale duke akuzuar Presidentin Trump dhe fushatën e tij për shkeljen e Aktit të të Drejtave të Votimit të vitit 1965.
Aty thuhet se ekipi i Presidentit Trump pretendon në mënyrë të rreme për manipulim votash dhe po përpiqet ta përmbysë rezultatin në Miçigan dhe në shtete të tjera me presione ndaj zyrtarëve për të mos çertifikuar rezultatin ose për të zgjedhur elektorë pro zotit Trump.
“Për të realizuar këtë strategji, të pandehurit po kërkojnë hapur t’u heqin votuesve afrikano-amerikanë të drejtën e votë,” thuhej në padi. Më shumë se 78% e banorëve të Detroitit janë afrikano-amerikanë, sipas të dhënave amerikane të regjistrimit të popullsisë.
Disa avokatë në Detroit gjithashtu i kanë kërkuar një gjykatësi të qortojë fushatën e zotit Trump për përhapjen e “dezinformimit”.
Sipas ligjit amerikan, zgjedhjet presidenciale i fiton ai kandidat që arrin të sigurojë të paktën 270 vota të Kolegjit Elektoral me 538 anëtarë. Kjo përcaktohet nga vota popullore në çdo shtet. Zoti Biden fitoi në Miçigan me më shumë se 150,000 vota dhe duket se i ka siguruar të 16 votat elektorale në këtë shtet.
Në një përpjekje të vështirë për të zhbërë fitoren e zotit Biden në Miçigan – dhe mundësisht në disa shtete të tjera – Presidenti Trump u takua mbrëmë me udhëheqjen republikane të legjislaturës së këtij shteti.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, ligjvënësit e Miçiganit publikuan një deklaratë të përbashkët, ku thuhej: “Ne nuk jemi vënë ende në dijeni për ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në Michigan. Ne do të ndjekim ligjin,” thanë ata.
Por të shtunën, Presidenti Trump tha se media e kishte lexuar gabim deklaratën e tyre. “Do të provohet se ka patur mashtrim në masë me votat,” shkruante ai në Twitter.
Komentet