Presidenti i SHBA Donald Trump urdhëroi të mërkurën ndërtimin menjëherë të një muri përgjatë kufirit jugor të vendit me Meksikën, për të penguar emigracionin e paligjshëm. Ai u zotua në të njëjtën kohë të përballet me qindra qytete amerikane që kanë refuzuar të ndihmojnë autoritetet federale të identifikojnë dhe deportojnë emigrantët pa dokumenta.
Presidenti i ri i nënshkroi urdhërat ekzekutive për emigracionin para se të fliste në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, agjencia federale e ngarkuar me mbrojtjen e kufirit. “Një shtet pa kufij nuk është shtet,” tha zoti Trump përpara punonjësve të agjencisë.
Urdhërat ekzekutivë do të shërbejnë për të ritheksuar një nga temat kryesore që i dhanë zotit Trump një mandat katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë, pohimin e tij se emigrantët e paligjshëm kërcënojnë sigurinë e vendit dhe u kushtojnë punëtorëve amerikanë vendet e punës. Gjatë mitingjeve të shumta të fushatës, mbështetësit e tij thërrisnin vazhdimisht “Të ndërtojmë murin!”.
FILE – Illegal immigrant Layios Roberto waits outside the offices of Coalition for Humane Immigrant Rights in Los Angeles, Aug. 15, 2012.
Presidenti Trump tha se ndërtimi i murit do të fillojë brenda disa muajsh. Ai ka theksuar përsëri se për murin do të paguajë Meksika, edhe pse ajo vazhdimisht ka refuzuar. Zoti Trump ka theksuar se pagesa ndoshta do të jetë në një formë “të komplikuar”, duke sinjalizuar se nuk është fjala për një pagesë të drejtpërdrejtë nga Qyteti i Meksikos në Uashington.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha të mërkurën se SHBA do të ndërtojnë objekte paraburgimi përgjatë kufirit për të strehuar emigrantët që hyjnë në vend, të cilëve do t’u jepet një “biletë për t’u kthyer në vendin e origjinës.”
Ai tha se administrata Trump do t’i japë fundit programit “kap dhe lësho” për emigrantët, të cilin ai e quajti të rrezikshëm.
Zyrtarët thonë se zoti Trump po shqyrton gjithashtu një ngrirje prej katër muajsh për të gjitha pranimet e refugjatëve në SHBA si dhe një ndalim për të paktën 30 ditë për hyrjen në Shtetet e Bashkuara të çdo personi nga Iraku, Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni, vende me shumicë myslimane.
Këtu mund të përjashtohen njerëzit që përballen me përndjekje fetare në vendin e tyre.
FILE – U.S. Customs and Border Patrol agent passes along a section of border wall in Hidalgo, Texas.
Siguria Kombëtare
Zoti Trump shpesh kritikonte gjatë fushatës pranimet e refugjatëve në vend, duke thënë: “Ne nuk kemi asnjë ide se kush janë këta njerëz.” Ai fillimisht propozoi një ndalim për të pranuar persona nga vendet muslimane, duke u bërë objekt kritikash të ashpra. Më vonë ai e ndryshoi qëndrimin, duke përfshirë në këtë kagori vetëm vende të lidhura me terrorizmin.
Presidenti i ri kërkon ndërtimin e një muri përgjatë gjithë gjatësisë prej 3,200 kilometrash të kufirit SHBA-Meksikë. Aktualisht ekziston një barrierë vetëm në një pjesë të kufirit, e cila patrullohet me automjete, dhe monitorohet me avionë pa pilot, me kamera me rreze infra të kuqe si dhe me mjete të tjera.
Zoti Trump thotë se Kongresi fillimisht do të autorizojë qeverinë të përballëjë koston e murit prej rreth 10 miliardë ose më shumë dollarë, ndërsa pastaj kjo të rimbursohet nga qeveria meksikane.
Presidenti meksikan Enrique Pena Nieto pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme për të diskutuar çështjet e sigurisë kufitare dhe të tregtisë midis dy vendeve fqinje.
Zoti Trump ka thënë se ndërtimi i murit do të jetë diçka e lehtë, edhe pse të tjerë nuk janë aq të sigurt për këtë, për shkak të terrenit të thyer përgjatë kufirit.
Pamela Taylor, whose home is on the south side of the border fence, stands near a sign she erected, in Brownsville, Texas.
Ndërkohë, administrata e re po përpiqet të vendosë se si do të veprojë me urdhrin e ish presidentit Barack Obama, që lejon fëmijët e imigrantëve të cilët kanë hyrë ilegalisht në SHBA bashkë me prindërit, të qëndrojnë në vend dy vjet pa u deportuar.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Spicer tha se zyrtarët e administratës së re do t’i shqyrtojnë rastet e fëmijëve pa dokumente në mënyrë humane.
Gjatë fushatës, zoti Trump deklaroi se të gjithë ata që kishin hyrë në SHBA ilegalisht do të ishin objekt deportimi, por më vonë ai e zbuti qëndrimin, duke thënë se fillimisht vetëm personat me të kaluar kriminale do të deportoheshin, ndërsa ata që zbatonin ligjin do të shqyrtoheshin më vonë.
Komentet