Presidenti Donald Trump përsëriti sulmin ndaj medias gjatë fjalimit në Konferencën Konservatore për Veprim Politik, duke thënë se gazetarët nuk duhet të lejohet të përdorin burime anonime në njoftimet e tyre.
Duke folur para një audience prej mijëra mbështetësish në takimin më të madh vjetor të konservatorëve, zoti Trump akuzoi përfaqësuesit e medias se kanë sajuar burime anonime për lajmet e tyre kritike në adresë të presidentit, sipas tij, për t’a bërë atë të duket keq.
“Jam kundër njerëzve që shpikin lajme dhe burime. Ata nuk duhet të lejohen të përdorin burime, përjashtuar rastet kur publikojnë emrat e tyre”, tha zoti Trump duke shtuar se “nuk do të ketë më burime”.
Zakonisht gazetarët përdorin burimet anonime në lajme ku subjekti është i një natyre konfidenciale, në mënyrë që burimi të mund të shmangë pasojat mbi të.
Zoti Trump iu referua në mënyrë specifike një shkrimi të publikuar këtë muaj në “Washington Post”. Në të citohen 9 zyrtarë të administratës, të tanishëm dhe të kaluar, të kenë thënë se ish-këshilltari për sigurinë kombëtare Michael Flynn keqinformoi lidhur me bisedën që zhvilloi me ambasadorin rus në Uashington, për sanksionet amerikane ndaj Rusisë.
Zoti Trump tha se 9 burimet u shpikën nga gazetarët që bënë shkrimin.
“Ata sajojnë burime. Ata janë njerëz vërtet të pandershëm”, tha zoti Trump.
Presidenti tha se askush nuk e do më shumë sesa ai amendamentin e parë të Kushtetutës amerikane, por ai shtoi se gazetarët fshihen pas mbrojtjes që garanton Kushtetuta për të publikuar gënjeshtra ndaj tij.
“Shumë prej këtyre grupeve mediatike, janë pjesë e korporatave të mëdha të medias që kanë agjendën e tyre, që nuk është e juaja”, tha zoti Trump. “Nuk përfaqëson popullin, nuk do t’a përfaqësojë ndonjëherë dhe ne do të bëjmë diçka për këtë”.
Përgjigjet “Washington post”
Menjëherë pas fjalimit të presidentit, drejtori i gazetës “Washington post” Marty Baron iu përgjigj komenteve të zotit Trump, duke dalë në mbështetje të shkrimit që është provuar, sipas tij, nga raportime të regjistruara. ‘
“Shkrimi çoi menjëherë në shkarkimin e këshilltarit të sigurisë. T’i quash raportet e gazetarëve të rreme, kjo nuk i bën ato të tilla”, shkruan zoti Barron.
Mbështetës të zotit Trump me të cilët “Zëri i Amerikës” foli pas fjalimit të tij thanë se ata janë dakord me presidentin kur shprehet se disa gazetarë sajojnë burime me qëllim dëmtimin e tij.
Hunter Dworksy, ish drejtor për fushatën e zotit Trump në Delaware, tha se fjalët dhe veprimet e zotit Trump janë keqinterpretuar në mënyrë të vazhdueshme nga korporata të tilla mediatike si CNN dhe NBC. Ai tha se zoti Trump u drejtohet atyre, sepse ata po dëmtojnë pasurinë e tij më të madhe, aftësinë për t’u lidhur me njerëzit.
“Ai flet me ty. Ai të godet në zemër dhe pikërisht kështu e përcjell ai mesazhin,” tha Dworksy.
Ariel Kohane, zyrtar i republikan nga Manhattani dhe anëtar i grupit të hebrejve për Trumpin, tha se është i kënaqur të ketë një udhëheqës që është i gatshëm të kritikojë gazetarët, kur ai mendon se kanë keqinterpretuar të vërtetën.
“Le të merremi me faktet dhe ne do t’i kërkojmë medias llogari për këtë,” tha ai.
Zoti Trump specifikoi se ai nuk mendon se e gjithë media është siç e cilësoi “armik i popullit”, por vetëm “media e lajmeve të rreme”, e cila siç tha, përfaqëson një pjesë të vogël të gazetarëve, që në mënyrë të vazhdueshme deformojnë fjalët e tij.
“Në fakt, në mbulimin e komenteve të mia, mediat e pandershme nuk e shpjeguan që unë quajta lajmet e rreme armik të popullit, lajmet e rreme“, tha Trump.” Ata hoqën fjalën ‘e rreme’ dhe papritur lajmi u bë media është armiku“, u shpreh presidenti.
Vizioni konservator
Pas sulmeve mbi përfaqësues të medias, zoti Trump shpalosi vizionin e tij lidhur me lëvizjen konservatore. Ai tha se përfaqëson idenë se “ne jemi një vend, që vendos dhe do të vazhdojë të vendosë të parat, interesat e qytetarëve të vet”.
Kjo entuziazmoi pjesmarrësit në konferencë që shpërthyen në duartrokitje dhe thirrje mbështetëse.
Zoti Trump tha se ndërtimi i murit në pjesën jugore të vendit do të nisë shumë shpejt dhe se ndërtimi i tij do të nisë shumë më herët seç është parashikuar.
Presidenti foli shkurtimisht mbi politikën e tij të imigracionit që synon, siç tha, të largojë kriminelët nga vendi, trafikantët e drogës, vrasësit.
“Nuk do të lejojmë kthimin e tyre”, tha zoti Trump për ata njerëz të cilët janë deportuar sipas rregullave të reja të administratës së tij mbi emigracionin e paligjshëm. “Nëse ata kthehen, do t’a pësojnë më keq seç e kanë imagjinuar”, tha ai.
Fjalimi i zotit Trump ishte pjesa më e rëndësishme konferencës dhe i dha asaj një frymë të re më energjike, nisur dhe nga fakti që republikanët kontrollojnë për herë të parë pas 10 vitesh si Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe Kongresin.
Komentet