VOAL

VOAL

Trumpi kërcënon me mbylljen e qeverisë, nëse Kongresi nuk miraton financimin e murit të Meksikës

July 29, 2018

Komentet

Trumpi zbulon planin për avionin luftarak të gjeneratës së gjashtë, F-47: Do jetë më vdekjeprurëse në histori

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar planet e tij për zhvillimin e avionit luftarak më të avancuar të historisë, i njohur si F-47, një avion i gjeneratës së gjashtë dhe koordinator i dronëve, në një konferencë me Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth në Zyrën Ovale.

Trump ka bërë me dije se Boeing ka marrë një kontratë të majme për të zhvilluar këtë avion, i cili do të ketë teknologji të fshehtë dhe fuqi që kapërcen çdo gjë të njohur deri tani.

Sipas presidentit, flota e F-47 do të ndërtohet brenda dy viteve dhe do të ofrojë aftësi të papara në fushën e mbrojtjes ajrore dhe manovrimit.

“Jemi të bindur se ky avion do të tejkalojë çdo forcë tjetër të kombit, me aftësi që nuk janë parë kurrë më parë. Ai do të jetë praktikisht i padukshëm dhe do të ofrojë një fuqi të paparë. Asnjë avion i këtij lloji nuk ka pasur ndonjëherë një nivel kaq të lartë fuqie. Po ashtu, manovrimi i tij është krejtësisht i jashtëzakonshëm; nuk ka asgjë tjetër që mund ta krahasohet me këtë”, tha presidenti i SHBA. bw

Shtëpia e Bardhë: Trumpi i propozoi Zelenskit që infrastruktura energjetike e Ukrainës të vihej nën pronësinë amerikane

Presidenti amerikan Donald Trump i propozoi homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një bisede telefonike që infrastruktura energjetike e Ukrainës të vendoset nën pronësinë amerikane për të garantuar sigurinë e saj.

Sipas një konference të Shtëpisë së Bardhë të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Walz, Trump e siguroi Zelenskyn se Shtetet e Bashkuara mund të jenë “veçanërisht të dobishme në menaxhimin e këtyre objekteve për shkak të ekspertizës sonë në sektorin e energjisë elektrike dhe shërbimeve komunale”.

Presidenti amerikan shtoi, sipas Associated Press, se “pronësia amerikane e këtyre objekteve mund të sigurojë mbrojtjen më të mirë për këtë infrastrukturë kritike të energjisë”.

Ky propozim vjen në një kohë shqetësimi të shtuar për sigurinë e rrjetit energjetik të Ukrainës, pasi sulmet ndaj infrastrukturës vazhdojnë dhe vendi varet nga ndihma e huaj për të riparuar dëmet dhe për të ruajtur stabilitetin energjetik. bw

“Jemi në rrugën e duhur”, Trumpi flet pas telefonatës me Zelenskyn

Presidenti amerikan Donald Trump ka përfunduarbisedën telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, vetëm një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se do të pajtohej të kufizonte sulmet e kombit të tij në Ukrainë.

Kre i Shtëpisë së Bardhë ka dhënë detaje nga biseda një orëshe, duke shtuatr se pjesa më e madhe e diskutimit u bazua në thirrjen e bërë dje me Presidentin Putin, në mënyrë që të përafronin Rusinë dhe Ukrainën, për sa i përket kërkesave dhe nevojave të të dy udhëheqësve.

‘Sapo përfundova një telefonatë shumë të mirë me Presidentin Zelenskyy të Ukrainës. Ajo zgjati afërsisht një orë. Pjesa më e madhe e diskutimit u bazua në thirrjen e bërë dje me Presidentin Putin, në mënyrë që të përafronin Rusinë dhe Ukrainën për sa i përket kërkesave dhe nevojave të tyre. Ne jemi shumë në rrugën e duhur dhe unë do t’i kërkoj Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Waltz, të japin një përshkrim të saktë të pikave të diskutuara. Kjo deklaratë do të publikohet së shpejti’, ka shkruar presidenti amerikan në llogarinë e tij në platformën ‘Truth Social’.

Zelenskyy më herët të mërkurën tha se angazhimi i Putinit për një armëpushim të kufizuar është “në kundërshtim me realitetin”, ndërsa Moska dhe Kievi shkëmbyen akuza për sulme të ndërsjella në infrastrukturë.

Vetëm disa orë më parë, autoritetet ruse dhe ukrainase raportuan sulme gjatë natës në objektet e infrastrukturës lokale, më pak se 24 orë pas thirrjes së së martës midis Putinit dhe Trump, në të cilën udhëheqësi rus ra dakord për një armëpushim të kufizuar, që do të ndalonte përkohësisht sulmet “në të gjithë energjinë dhe infrastrukturën”.

Zelenskyy, i cili më herët kishte shprehur mbështetje për propozimin, tha në një konferencë të përbashkët shtypi në Helsinki se kishte sulme nga “150 dronë gjatë natës, duke përfshirë objektet energjetike.

“Fjalët e Putinit janë shumë të ndryshme nga realiteti,” tha ai.

Kievi të martën e kaluar ra dakord për një armëpushim shumë më gjithëpërfshirës 30-ditor dhe Trump kishte kërkuar të kishte miratimin e Putinit për t’iu bashkuar kësaj gjithashtu, duke kërcënuar me ndëshkime të mundshme ekonomike ndaj Moskës, nëse lideri rus nuk pajtohej.

Kjo nuk u materializua gjatë diskutimit të së martës, por Trump pohoi se negociatat do të fillonin shpejt mbi propozimin më të gjerë të armëpushimit dhe një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund konfliktit.

Kremlini, nga ana e tij, tha se kishte identifikuar “një numër çështjesh të rëndësishme”, përpara se të pranonte një armëpushim 30-ditor, duke përfshirë atë që tha është “nevoja për të ndaluar mobilizimin e detyruar në Ukrainë dhe riarmatimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës”.

Të mërkurën, Zelenskyy përcolli besimin e tij se konflikti i vazhdueshëm në vendin e tij mund të përfundojë këtë vit me një paqe “të mirë”, por se garancitë e sigurisë për Kievin janë “definitivisht të nevojshme”.

“Përndryshe, Putini do të vijë sërish me luftë dhe ky ka qenë thelbi i tij që në fillim”, tha më tej Zelenskyy.

Kushtet e renditura nga Putin në lidhje me armëpushimin 30-ditor të propozuar nga SHBA-të, tregojnë vetëm qëllimin e tij për të vazhduar konfliktin, argumentoi Zelenskyy.sn

 

SHBA, publikohen dosjet e vrasjes së ish-presidentit John F. Kennedy

Më shumë se 63 000 faqe të dhënash në lidhje me vrasjen e presidentit John F. Kennedy në vitin 1963 u publikuan pas një urdhri të presidentit Donald Trump, shumë prej tyre pa redaktime që kishin ngatërruar historianët për vite dhe ndihmuan në nxitjen e teorive konspirative.

Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve të SHBA-së postoi në faqen e saj të internetit afërsisht 2 200 skedarë që përmbajnë dokumente.

Shumica dërrmuese e koleksionit të Arkivit Kombëtar prej mbi gjashtë milionë faqesh me regjistrime, fotografi, filma regjistrime zanore dhe objekte të lidhura me atentatin janë publikuar më parë.

Larry J. Sabato, drejtor i Qendrës për Politikë të Universitetit të Virxhinias dhe autor i “Gjysmë shekulli i Kennedy”, deklaroi se do të duhet kohë për të rishikuar plotësisht të dhënat.

“Ne kemi shumë punë për të bërë për një kohë të gjatë dhe njerëzit thjesht duhet ta pranojnë këtë”, tha ai.

Trump njoftoi publikimin të hënën teksa vizitonte Qendrën John F. Kennedy për Artet Performuese në Uashington, duke thënë se administrata e tij do të publikonte rreth 80 000 faqe.

“Ne kemi një sasi të madhe faqesh, ju keni shumë për të lexuar”, theksoi ai.

Jefferson Morley, nënkryetar i Fondacionit Mary Ferrell një arkivë për dosjet në lidhje me vrasjen, tha në një deklaratë të postuar në platformën sociale X se publikimi është “një fillim inkurajues”.

Arkivi Kombëtar shtoi në faqen e tij të internetit se në përputhje me direktivën e presidentit, publikimi do të përfshijë “të gjitha të dhënat e mbajtura më parë si sekrete”.

Interesi për detajet në lidhje me vrasjen e Kenedit ka qenë intensiv gjatë dekadave, me teori të panumërta konspirative të shpërthyera për sulmues të shumtë dhe përfshirje nga Bashkimi Sovjetik dhe mafia.

Ai u vra më 22 nëntor 1963, gjatë një vizite në Dallas kur autokolona e tij po përfundonte rrugën e paradës së saj në qendër të qytetit dhe të shtënat u dëgjuan nga ndërtesa e Teksasit School Book Depository.bw

Trumpi: Nesër do flas me Putinin për Ukrainën dhe ndarjen e aseteve

Presidenti Donald Trump thotë se do të flasë nesër me homologun rus Vladimir Putin, ndërsa ai kërkon t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Sipas mediave të huaja, udhëheqësi amerikan zbuloi bisedën e ardhshme për gazetarët ndërsa fluturonte nga Florida në Uashington me Air Force One mbrëmë.

“Ne do të shohim nëse kemi diçka për të shpallur ndoshta deri të martën. Unë do të flas me Presidentin Putin të martën,” tha Trump.

“Shumë punë është bërë gjatë fundjavës. Ne duam të shohim nëse mund t’i japim fund asaj lufte”, shtoi ai.

Edhe pse Rusia dështoi në qëllimin e saj fillestar për të ‘thyer’ Ukrainën me pushtimin e saj tre vjet më parë, ajo ende kontrollon zona të mëdha të vendit.

Trump tha se toka ukrainase dhe termocentralet janë pjesë e bisedës rreth mbylljes së luftës.

“Ne do të flasim për tokën. Do të flasim për termocentralet,” tha ai, duke e përshkruar atë si “ndarje të aseteve të caktuara”. sn

Trump: Bisedimet me Putinin ishin frytdhënëse, lufta në Ukrainë mund të përfundojë

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se ka “shumë gjasa” që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund pas bisedimeve “frytdhënëse” mes zyrtarëve amerikanë dhe presidentit rus, Vladimir Putin, të enjten.

“Ne zhvilluam bisedime shumë të mira dhe frytdhënëse dje me presidentin e Rusisë, Vladimir Puti, dhe ka shumë mundësi që kjo luftë e tmerrshme dhe e përgjakshme të marrë fund përfundimisht”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke shtuar se ai i ka kërkuar Putinit ta kursejë jetën e trupave ukrainase që janë “plotësisht të rrethuara”.

I dërguari amerikan, Steve Witkoff, mbajti takim të gjatë me Putinin në Moskë të enjten në mbrëmje.

Në postimin e tij, Trump nuk tregoi nëse ka biseduar vetë me Putinin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë të premten se Putin ia ka dërguar Trumpit një mesazh për propozimin e tij për armëpushim në Ukrainë, pas takimit në Moskë me të dërguarin e posaçëm Witkoff.

“Kur zoti Witkoff t’ia dërgojë të gjitha informacionet presidentit Trump, ne do të përcaktojmë kohën e bisedës [mes Trumpit dhe Putinit]. Ka arsye për të qenë optimistë të kujdesshëm”, tha Peskov.

Putin tha të enjten se Rusia pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Ukrainë, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen fillimisht, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore.

Lideri rus tha gjithashtu se çfarëdo marrëveshje që bëhet duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate, që adreson shkaktarët kryesorë të luftës, me gjasë duke iu referuar zgjerimit të NATO-s.

Kremlini tha se ka arsye për “optimizëm të kujdesshëm” për propozimin e presidentit amerikan Donald Trump, por Ukraina ka vënë në pikëpyetje sinqeritetin e Moskës lidhur me përfundimin e luftës, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

Në një video të publikuar në orët e vona të 13 marsit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vuri në pikëpyetje motivet e Putinit, duke thënë se udhëheqësi rus ishte i gatshëm të refuzonte propozimin, por kishte frikë që këtë t’ia thoshte Trumpit.

“Prandaj, në Moskë idesë së armëpushimit po i imponohen këto kushte, që të mos ndodhë asgjë ose të mos ndodhë asgjë për një kohë sa më të gjatë”, tha Zelensky.

Putin po përballet me dilemë pasi delegacionet nga Kievi dhe Uashingtoni pajtuan më herët këtë javë – gjatë një takimi në Arabinë Saudite – për një armëpushim 30-ditor të propozuar nga Trump, duke e vendosur përgjegjësinë për paqen në duart e Moskës.

Trump e ka bërë përfundimin e pushtimit mbi trevjeçar të Ukrainës nga Rusia prioritet kryesor që kur mori detyrën në janar, duke dërguar me shpejtësi zyrtarë të lartë në Moskë dhe në Kiev për ta shtruar rrugën për bisedime.

Të mërkurën, Trump i bëri thirrje Rusisë ta pranojë një armëpushim 30-ditor, duke e paralajmëruar se do të vendosë sanksione shtesë ndaj saj, nëse ajo e hedh poshtë propozimin amerikan.

Lideri i Kremlinit tha se propozimi përmban pyetje pa përgjigje, si për shembull, çfarë do të bëhet me inkursionin e Ukrainës në rajonin rus të Kurskut.

“Nëse kemi një armëpushim, a do të thotë kjo se të gjithë atje do të largohen?” tha Putin.

Ukraina kreu një inkursion befasues në Kursk në gusht të vitit të kaluar, duke marrë një pjesë të territorit rus me shpresën për ta shkëmbyer me tokën e saj sapo të fillojnë bisedimet për paqe.

Por, kjo strategji mund të dështojë tani, pasi forcat ruse po i zmbrapsin ukrainasit ngadalë jashtë Kurskut, duke e rimarrë më shumë se gjysmën e territorit të kapur fillimisht nga Ukraina.

Ndër shqetësimet e tjera që lideri rus ngriti lidhur me propozimin për armëpushim është nëse periudha 30-ditore do të përdoret nga Perëndimi për ta riarmatosur Ukrainën ose për t’i trajnuar forcat e saj.

Ai ngriti gjithashtu pyetjen se si do të mbikëqyret armëpushimi një vijë të frontit prej gati 2.000 kilometrash.

“Kush do të përcaktojë se ku dhe kush e ka shkelur armëpushimin?” tha ai.

Ekspertët kishin paralajmëruar se Putin me gjasë do të përpiqej t’i zvarriste bisedimet për armëpushimin, pasi forcat e tij e kanë përparësinë në fushën e betejës.

Rusia synon t’i marrë të paktën tërë katër rajoneve e Ukrainës që pretendon se i ka aneksuar në nëntor të vitit 2022: Donjeckun, Luhanskun, Zaporizhjan dhe Hersonin.

Një armëpushim tani do t’ia pamundësonte asaj arritjen e këtij qëllimi.

Rinis dërgimi i ndihmave ushtarake amerikane në Ukrainë

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar dërgimin e ndihmave ushtarake në Ukrainë përgjatë kufirit me Poloninë, pas arritjes së një marrëveshjeje mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski.

Sikorski e bëri këtë njoftim duke folur për gazetarë përkrah homologut të vet ukrainas, Andriy Sybiha, në Varshavë, pasi ky i fundit u kthye nga bisedimet në Xhedah, të mërkurën.

“Mund të konfirmoj se dërgimi i armëve përmes Jasionkas është kthyer në nivelin e mëparshëm”, tha Sikorski, duke iu referuar qendrës logjistike në juglindje të Polonisë.

Uashingtoni kishte njoftuar javën e kaluar se po pezullonte furnizimin e Ukrainës me ndihma, pas një përplasjeje publike në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përplasja kishte shkaktuar shqetësime të mëdha në Ukrainë, të cilat u dëshmuan nga intervistat e Current Time me ushtarë në vijën e frontit.

“Na jepni më shumë armë dhe ne do ta garantojmë sigurinë tonë”, tha një ushtar, i identifikuar me nofkën Sokol, i cili shërben në njësitin e artilerisë në rajonin Donjeck në lindje të Ukrainës.

“Mendoj se gjërat do të qartësohen së shpejti dhe ne do të vazhdojmë të marrim armë dhe ndihma të tjera”, kishte thënë ai.

Sokoli kishte të drejtë, pasi dërgimi i ndihmave ka rifilluar pas një takimi nëntë orësh, në të cilin Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara miratuan një propozim për një armëpushim 30-ditor.

Uashingtoni tashmë ia ka paraqitur këtë Moskës.

Sekretarin amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se “ne do t’u themi atyre se kjo është ajo që ofrojmë”.

SHBA-ja është furnizuesi më i madh i armëve për Ukrainën, dhe komentet e Sokolit nënvizuan rëndësinë që kishte rifillimi i furnizimit të Ukrainës me armë për luftën e saj kundër pushtuesit rus.

“Ne përdorim shumë armë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë”, tha ai.

Një ushtar tjetër nga ky njësit, i identifikuar si Odini, tha: “Po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbajtur [forcat ruse] jashtë rajonit të Dnipropetrovskut. Po u shkaktojmë humbje të mëdha për t’i minimizuar lëvizjet e tyre në tokën tonë”.

Duke folur në Varshavë, Sybiha përsëriti përkushtimin e vendit të tij për armëpushimin 30-ditor.

“Jemi gati të krijojmë ekipin e duhur nga ana jonë që do të punojë për këtë plan veprimi se si të arrihet ky armëpushim, nëse ndodh”, tha ai.

Zyrtarët rusë ende nuk u janë përgjigjur propozimeve nga takimi në Xhedah.

Duke folur më 12 mars, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Ne kemi planifikuar kontakte me amerikanët në ditët në vijim, gjatë të cilave presim të marrim informata të plota”.

Arrestohet aktivisti palestinez që organizoi protestat anti-izraelite në Universitetin e Kolumbias

Mahmoud Khalil

 

VOA Marrë nga Associated Press

Autoritetet federale të imigracionit arrestuan një student palestinez, i cili luajti një rol të rëndësishëm në protestat anti-izraelite të pranverës së kaluar në Universitetin e Kolumbias, sipas avokates së tij.

Mahmoud Khalil ishte brenda konviktit të Universitetit të Kolumbias të shtunën mbrëma afër Manhatanit, kur disa agjentë të Imigracionit dhe Doganave hynë në ndërtesë dhe e arrestuan atë, tha avokatja e tij, Amy Greer, për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Avokatja Greer tha se kishte folur në telefon me një nga agjentët gjatë arrestimit, i cili tha se ata po vepronin bazuar në një urdhër të Departamentit të Shtetit për të anuluar vizën studentore të Mahmoud Khalilit. I informuar nga avokatja se zoti Khalil ndodhet në Shtetet e Bashkuara me status të banorit të përhershëm me kartë jeshile, agjenti tha se ata po e revokonin edhe atë.

Arrestimi duket se është ndër veprimet e para të njohura bazuar në premtimin e Presidentit Donald Trump për të dëbuar studentët e huaj, që iu bashkuan protestave në universitete kundër luftës së Izraelit në Rripin e Gazës pranverën e kaluar. Administrata e tij ka pretenduar se pjesëmarrësit humbën të drejtat e tyre për të qëndruar në vend duke mbështetur Hamasin, një organizatë terroriste.

Mahmoud Khalil shërbeu si përfaqësues i studentëve ndërsa ata negocionin me zyrtarët e universitetit për të mbyllur kampin me çadra në pronën e universitetit, një rol që e bëri atë një nga aktivistët e paktë studentorë të gatshëm të publikonin emrin dhe identitetin.

Autoritetet nuk pranuan t’i tregonin bashkëshortes së Mahmoud Khalilit, e cila është në muajin e tetë shtatzënisë, nëse ai ishte akuzuar për kryerjen e një krimi, tha avokatja Greer. Mahmoud Khalil që atëherë është transferuar në një qendër paraburgimi për imigrantët në Nju Xhërsi.

“Nuk kemi qenë në gjendje të marrim më shumë hollësi se pse ai është ndaluar”, tha avokatja Greer për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Një zëdhënës i Universitetit të Kolumbias tha se agjentët e zbatimit të ligjit duhet të ttegojnë një urdhër gjykate para se të hyjnë në pronën e universitetit, por nuk pranoi të thoshte nëse shkolla kishte marrë një të tillë para arrestimit të Mahmoud Khalilit. Zëdhënësi gjithashtu nuk pranoi të komentonte rreth arrestimit të studentit palestinez.

Departamenti i Shtetit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Zyra e Imigracionit dhe Doganave nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare mund të fillojë procedurat e dëbimit të një personi me kartë jeshile për një gamë të gjerë aktivitetesh kriminale, duke përfshirë mbështetjen e një grupi terrorist. Sipas Camille Mackler, themeluese e organizatës Immigrant ARC, që ofron shërbime ligjore në Nju Jork, heqja e statusit të banorit të përhershëm është përgjegjësi e një gjykatësi të imigracionit.

“Kjo i ngjan një veprimi hakmarrës kundër një njeriu që ka shprehur një mendim që nuk i pëlqeu administratës së Presidentit Trump”, tha zonja Mackler.

Zoti Khalil ishte në mesin e atyre që u hetuan nga një zyrë e re e Universitetit të Kolumbias, e cila ka ndërmarrë masa disiplinore kundër dhjetëra studentëve që kanë kritikuar Izraelin, sipas të dhënave që siguroi agjencia e lajmeve Associated Press.

Këto hetime pasojnë vendimin e administratës së Presidentit Trump për shtimin e kontrollit mbi Universitetin e Kolumbias për shkak të veprimeve që qeveria thotë se janë dështim në përpjekjet për të shuar antisemitizmin në kampus. Të premten, agjencitë federale njoftuan se do të pezullojnë 400 milionë dollarë grante dhe kontrata për universitetet.

Akuza kundër studentit Mahmoud Khalil u përqëndrua në përfshirjen e tij në grupin ‘Aparteid Divest’ të Universitetit të Kolumbias, duke pretenduar se ai kishte ndihmuar në organizimin e një “marshimi të paautorizuar” që lavdëroi sulmin terrorist të 7 tetorit 2023 të Hamasit në Izraelin jugor dhe luajti një “rol thelbësor” në qarkullimin e postimeve në mediat sociale që kritikonin zionizmin.

“Janë ngritur 13 akuza kundër meje, shumica prej tyre janë për postime në mediat sociale me të cilat nuk kam asnjë lidhje”, tha Mahmoud Khalil javën e kaluar.

“Ata thjesht duan t’i tregojnë Kongresit dhe politikanëve të djathtë se po bëjnë diçka, pavarësisht nga veprimet e studentëve”, shtoi ai. “Është kryesisht një zyrë për të kufizuar fjalimin pro-palestinez.”

Administrata Trump mbyll mbi 80% të programeve të USAID-it

VOA, AP dhe Reuters

Administrata Trump ka anuluar më shumë se 80 për qind të programeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pas një procesi rishikimi gjashtë-javor. Lajmi u njoftua të hënën nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio.

Me 5200 kontratat tashmë të anuluara, janë shpenzuar dhjetëra miliarda dollarë në mënyra që jo vetëm nuk i kanë shërbyer, por në disa raste edhe kanë dëmtuar, interesat thelbësore kombëtare të Shteteve të Bashkuara“, shkruante Sekretari Rubio në një postim në llogarinë e tij personale në rrjetin social ‘X’.

Rreth 1,000 programet e mbetura, shkruante ai më tej, do të administrohen tashmë nga Departamenti i Shtetit “në mënyrë më efektive” dhe në konsultim me Kongresin.

Pas marrjes zyrtarisht të detyrës më 20 janar Presidenti Donald Trump, urdhëroi menjëherë një pauzë 90-ditore të ndihmës për vendet e huaja duke e futur atë në një proces rishqyrtimi, për të parë nëse programet përputheshin me politikën e tij të jashtme “Amerika e Para”.

Ky urdhër dhe të tjerë që e pasuan atë, çuan në ndalje të operacioneve të agjencisë në mbarë botën, krijuar kaos në përpjekjet globale për ndihmë humanitare.

Administrata tha se vendimi për pezullim nuk prekte ndihmat që synojnë shpëtimin e jetëve, por sipas punonjësce humanitarë në mbarë botën fondet ishin bllokuar.

Mijëra punonjës të USAID-it u pezulluan, apo u pushuan nga puna, po kështu u ndërprenë kontrata. Shumica e atyre që janë pezulluar, nuk pritet të rikthehen në detyrë.

Në postimin e tij diplomati i lartë amerikan falënderonte gjithashtu punonjësit e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), që udhëhiqet nga biznesmeni miliarderi Elon Musk, i cili po redukton në mënyrë të pashembullt administratën federale.

Falenderoj DOGE-in dhe personelin tonë, që ka punuan me orë të gjata për të arritur këtë reformë të vonuar dhe historike”, shkruante Sekretari Rubio.

Në një reagim disa orë më vonë, zoti Musk shkruante: “E vështirë, por e nevojshme. Është kënaqësi të punoj me ju. Programe të rëndësishme të USAID-it duhet të kishin qenë gjithmonë nën varësinë e Departamentit të Shtetit”.

Republikanët e kanë bërë gjerësisht të qartë se duan që ndihma për vendet e huaja të përfshijë një interpretim shumë më të ngushtë të interesave kombëtare amerikane.

Në fillim të këtij muaji, në një nga paditë e shumta lidhur me mbylljen e shpejtë të programeve të USAID-it, Departamenti i Shtetit, tha se po mbyllte më shumë se 90% të programeve të agjencisë. Por Sekretari Rubio nuk dha asnjë shpjegim se përse shifra që ai njoftoi sot ishte më e ulët.

Mbyllja e një pjese të madhe të programeve të USAID-it, i jep fund një politike që zbatohej prej dekadash, sipas të cilës ndihma humanitare dhe ajo për zhvillim që u ofrohej vendeve të tjera, shihej si avancim i interesave kombëtare amerikane të lidhura me sigurinë, nëpërmjet stabilizimit të rajoneve dhe ekonomive të tyre, e duke forcuar aleancat.

Në javët pas urdhrit të Presidenti Trump, një nga të emëruarit e tij, Pete Marocco dhe zoti Musk, tërhoqën me mijëra punonjës të personelit të USAID-it nëpër botë nëpërmjet vendimesh për pezullim, apo shkarkimesh nga detyra, ndaljes brenda natës të pagesave, si dhe ndërprerjes së mijëra kontratave për ndihmë e zhvillim.

Kontraktorët dhe punonjësit e programeve të ndryshme, nga kontrolli i epidemive, urisë, apo tek trajnimi mbi çështje që lidhen me demokracinë ndalën punën. Grupet e ndihmës dhe partnerë të tjerë të USAID-it pushuan nga puna me dhjetëra mijëra punonjës të tyre, si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe jashtë.

Ndërkohë shumë punonjës e kontraktorë të USAID-it, si dhe familjarë të tyre, vazhdojnë të jenë ende jashtë vendit, në pritje të pagesave që mbulojnë shpenzimet për kthimin e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Përgjigjia me anë të një Letre të Hapur e Marc Elias për Elon Musk

Elon Musk sulmoi mbrojtësin e demokracisë dhe avokatin e gjykatës, Marc Elias, si “minues të qytetërimit”, duke e tallur atë e duke e pyetur nëse ai pësoi “traumë brezash”. Marc Elias iu përgjigj si më poshtë:

“Kohët e fundit më kritikuat mua dhe një avokat tjetër të shquar që lufton për sundimin e ligjit dhe demokracinë në Shtetet e Bashkuara. Jam mësuar të sulmohem për punën time, veçanërisht në platformën që zotëroni dhe dominoni.

Dikur isha i rregullt në Twitter, ku mblodha mbi 900,000 ndjekës – të gjithë organikë, përveç robotëve të krahut të djathtë që dukej se po rriteshin në numër. Ashtu si shumë të tjerë, unë ndalova së postuari rregullisht në faqe, sepse, nën kujdesin tuaj, u bë një peizazh ferri urrejtjeje dhe dezinformimi.

Unë gjithashtu bleja makinat tuaja – fillimisht një Model X dhe më pas një Model S – kur folët me optimizëm për zgjidhjen e krizës klimatike. Familja ime nuk zotëron më asnjë nga makinat tuaja dhe nuk do ta ketë më.

Por nuk është kjo arsyeja që po shkruaj. Ti nuk me njeh mua. Nuk e keni idenë nëse kam pësuar traumë dhe nëse kam, si është shfaqur. Dhe nuk është puna juaj.

Megjithatë, unë do të trajtoj pikën tuaj të fundit për traumën e brezave. Unë jam hebre, megjithëse shumë në faqen tuaj më quajnë thjesht “një çifut”. Sinqerisht, shpesh është më keq se kaq, por jam i sigurt që e kuptoni pikën. Ishte një kohë kur Twitter do të hiqte postimet antisemitike, por nën udhëheqjen tuaj, tolerimi i urrejtjes më të vjetër në botë tani duket të jetë një pjesë e lejueshme e agjendës suaj të “fjalës së lirë”.

Si shumë familje hebreje, edhe e imja erdhi në Amerikë për shkak të traumës. Ata po iknin nga persekutimi në Pale of Settlement – e vetmja zonë në Perandorinë Ruse ku hebrenjtë lejoheshin ligjërisht të banonin. Edhe atje, jeta ishte e vështirë – shpesh traumatike. Familja ime, si të tjerët, jetonte në një shtet dhe ishte e varfër. Më keq, pogromet ishin të zakonshme – trazirat e dhunshme në të cilat hebrenjtë u rrahën, u vranë dhe u dëbuan nga fshatrat e tyre.

Në kohën kur familja ime iku, jeta në Pale ishte bërë e pamundur për hebrenjtë. Qeveria e Car Nikollës II përhapi propagandë anti-hebraike që inkurajoi rusët të sulmonin dhe të vidhnin hebrenjtë në komunitetet e tyre. Stërgjyshi im pati fatin të largohej kur u largua. Ata që qëndruan u përballën me rrethana edhe më të këqija kur ushtria e Hitlerit pushtoi më vonë.

Kjo është trauma e brezit që unë mbart. Trauma e trajtimit si “tjetër” nga bashkatdhetarët që dikur mendonit se ishin miqtë tuaj. Trauma e të qenit i kobuar nga liderët autoritarë. Trauma e arratisjes ndërkohë që miliona të tjerë u vranë sistematikisht. Trauma e shikimit të burrave të fuqishëm që i trajtojnë të gjitha si një shaka – ose më keq.

Si një emigrant vetë, ju pa dyshim mund të simpatizoni atë që do të thotë të lini pas vendin tuaj, familjen e gjerë, miqtë dhe fqinjët për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Sigurisht, me siguri keni pasur më shumë se 86 rubla në xhep. Ju ndoshta nuk keni hipur për nëntë ditë në fund të një anijeje ose nuk keni ndryshuar mbiemrin tuaj nga zyrtarët e imigracionit. Këtu është manifesti i anijes që tregon se e bëri familja ime. Aron ishte vetëm tre vjeçar.”

Departamenti amerikan i Mbrojtjes: Nuk ka ndryshime të planifikuara për trupat në Kosovë

Për më shumë se 25 vjet, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ofron siguri. Por, në kohën kur zyrtarët amerikanë sinjalizojnë zvogëlimin e mundshëm të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, lindin edhe pyetjet: a do të mbeteshin ushtarët amerikanë në KFOR, apo do të kërkonte administrata Trump favore në këmbim të tyre?

Nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes thonë për Radion Evropa e Lirë se, tash për tash, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre. Por, me tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe me ndryshimin e prioriteteve globale, Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar, thonë ish-zyrtarë të NATO-s.

“Secili ushtar i KFOR-it e kupton plotësisht dhe qartë detyrën e tij për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi më 25 qershor të 1999-ës komandanti i atëhershëm i misionit paqeruajtës të NATO-s, Mike Jackson.

Kjo forcë nisi të dislokohej në Kosovë atë muaj, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyroi tërheqjen e plotë të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.

Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur me kalimin e viteve në rreth 4.600.

Më shumë se 25 vjet më vonë, misioni i saj mbetet i njëjtë: “ruajtja e një mjedisi të sigurt për të gjithë”, por e ardhmja e forcës disi e diskutueshme.

Një zyrtar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmon për Radion Evropa e Lirë se, “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.

Por, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore në këmbim të mbajtjes së trupave.

“Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, vlerëson se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet.

Si lindën pikëpyetjet për trupat amerikane në Evropë?

Ishte fillimisht sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili porositi Evropën se duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

Gjatë një vizite në Varshavë, muajin e kaluar, Hegseth tha se e ardhmja e saj do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike amerikane.

“Kjo është arsyeja përse mesazhi ynë është kaq i ashpër për aleatët tanë evropianë. Tani është koha për të investuar, sepse nuk mund të supozoni se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”, tha ai më 14 shkurt.

Sipas një dokumenti që siguroi gazeta amerikane The Washington Post, Hegseth urdhëroi, gjithashtu, udhëheqësit e Pentagonit dhe të ushtrisë amerikane që të bëjnë plane për shkurtimin e buxhetit të mbrojtjes për 8 për qind, në secilin prej pesë vjetëve të ardhshëm.

Këtij debati, një element tjetër ia shtoi edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.

Ai i kritikoi udhëheqësit evropianë për refuzimin e së djathtës ekstreme, ndërsa të ardhmen e trupave amerikane në Evropë e lidhi me politikëbërjen në kontinent.

Duke folur në Konferencën e Veprimit Politik Konservator më 20 shkurt, Vance tha se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse njerëzit atje mund të burgosen për postime fyese në mediat sociale.

“E gjithë mbrojtja e Gjermanisë subvencionohet nga taksapaguesit amerikanë”, tha ai.

Situata shkaktoi jo pak ankth në mesin e aleatëve këndej Atlantikut.

Njeriu që pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se synim i tij do të jetë arritja e pavarësisë nga SHBA-ja në aspektin e sigurisë.

“Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Trump, edhe gjatë mandatit të parë si president, u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve evropianë që t’i rrisin ndjeshëm kontributet e tyre financiare në mbrojtje.

I pyetur gjatë një konference me gazetarë, më 18 shkurt, se a do të ishte i gatshëm të konsideronte tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Evropa, në kuadër të një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për paqe në Ukrainë, Trump tha:

“Askush nuk më ka kërkuar ta bëj këtë. Nuk mendoj se duhet ta bëjmë. Nuk do të doja ta bëja”.

Prania e trupave amerikane në Evropë

Shtetet e Bashkuara kanë disa baza operative dhe ushtarake në Evropë.

Numri më i madh i ushtarëve amerikanë – mbi 35.000 – është i dislokuar në Gjermani.

Ky vend, njëherësh, ka edhe bazën më të madhe ajrore amerikane – Ramstein – ku janë të vendosur mbi 16.000 ushtarakë, civilë e kontraktorë.

Përveç përforcimit të përkohshëm në fillim të luftës së Rusisë në Ukrainë, prania ushtarake amerikane në Evropë ka shkuar duke u zvogëluar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Sipas Komandës Evropiane të SHBA-së, numri i përgjithshëm i forcave amerikane në Evropë është luhatur mes 75.000 dhe 105.000 që nga viti 2022.

Prej tyre, aktualisht, rreth 63.000 forca janë të dislokuara në mënyrë të përhershme, ndërsa të tjerat janë me rotacion.

Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 600 ushtarë në kuadër të misionit KFOR, në krahasim me mbi 5.000 sa kishin në ’99-tën.

Nga ai vit kanë edhe kampin Bondsteel, i cili gjendet pranë Ferizajt, në juglindje të Kosovës, dhe shërben si baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Ballkan.

Çka thotë NATO-ja?

Radio Evropa e Lirë pyeti NATO-n se a ka ndonjë plan për të siguruar që prania e KFOR-it në Kosovë mbetet e pandryshuar, në vazhdën e reduktimit të mundshëm të trupave amerikane në Evropë.

Në përgjigjen që mori, mes tjerash, thuhet se “zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë”.

Aty, po ashtu, thuhet se SHBA-ja i ka bërë të qarta pritjet e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë, “në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët”.

“NATO-ja vazhdimisht i përshtatet mjedisit që ndryshon… KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha një zyrtar i NATO-s dhe shtoi se “SHBA-ja vazhdon të luajë një rol themelor” brenda misionit KFOR.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një takim me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, më 4 mars, se Evropa po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike dhe se “angazhimi i përbashkët me KFOR-in dhe NATO-n mbetet thelbësor”.

“Jini të përgatitur”

Shea, i cili ka shërbyer në role të ndryshme në NATO deri në tërheqjen e tij në vitin 2018, nuk pret ndryshime të menjëhershme në praninë e trupave amerikane në Evropë, e rrjedhimisht as në Kosovë, por thotë se situata mbetet e pasigurt dhe duhet vëzhguar me kujdes.

Sipas tij, kontingjenti amerikan në Kosovë është i vogël dhe “nuk është barrë e madhe financiare për SHBA-në, në krahasim me forcat amerikane në Gjermani apo Poloni”.

Ai gjithashtu kujton se Trump, në të kaluarën, “është përpjekur ta luajë paqebërësin mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe thotë se trupat amerikane në Kosovë “i japin SHBA-së një levë më të madhe në këtë rol”.

“Por, Trump është transaksional dhe ai mund ta pyesë Kosovën se çfarë favoresh mund t’i ofrojë për t’i mbajtur trupat [amerikane] në Kosovë – sidomos në formë të marrëveshjeve biznesore dhe mundësive për investime. Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea.

Për më tepër, shton ai, zvogëlimi i buxhetit të Pentagonit do ta detyrojë me doemos ushtrinë amerikane të bëjë kursime dhe t’i rishpërndajë burimet e saj.

Pse është e rëndësishme prania e NATO-s në Kosovë?

Gati 26 vjet pas përfundimit të luftës dhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk njihet nga Serbia dhe marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara.

Ndonëse janë në negociata për normalizimin e tyre qysh në vitin 2011, shteti fqinj vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të veten.

Pas një sulmi të armatosur në veri të vendit, më 2023, autoritetet kosovare e akuzuan atë për tentim aneksimi të kësaj zone të banuar me shumicë serbe.

Serbia mohoi se kishte gisht në atë sulm, por grumbulloi për disa ditë trupa ushtarake në kufi me Kosovën.

Forca e Sigurisë e Kosovës nuk jep informacione për kapacitetet e saj mbrojtëse, duke i konsideruar si të ndjeshme, por ish-komandanti i saj, Kadri Kastrati, vlerëson se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet.

“Fatkeqësisht, jemi shumë larg, sepse nuk është investuar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Jemi shumë larg edhe kapaciteteve njerëzore, edhe atyre infrastrukture, pajisjeve dhe armatimit”, shton ai.

FSK-ja është në proces të shndërrimit në ushtri të rregullt dhe pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë, nga rreth 2.500 sa ka aktualisht.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në fund të vitit të kaluar se Kosova, në katër vjet, ka shpenzuar mbi 269 milionë euro për blerje të armatimit.

Ajo që dihet është se vendi ka siguruar armë edhe nga dy fuqi të NATO-s: SHBA-ja dhe Turqia, dhe se synon të ndërtojë edhe fabrikën e tij për prodhimin e municioneve.

Duke folur për rëndësinë e NATO-s në Kosovë, ish-ministri i Mbrojtjes, Agim Çeku, thotë se situata e sigurisë në vend nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore që nga ndërhyrja e aleancës ushtarake në vitin 1999.

“NATO-ja ka ardhur në Kosovë për shkak të qasjes agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Fatkeqësisht, kjo qasje nuk ka ndryshuar ende. Serbia vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të saj dhe vazhdon të ushqejë ëndrra për kthimin e saj në Kosovë”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Derisa të mos ketë marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë, ai thotë se misioni i NATO-s, KFOR, do të mbetet faktor kyç për sigurinë në vend.

“Ai është garanci edhe për stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor”, thotë Çeku.

Në frymë të ngjashme me Çekun shprehet edhe ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu.

“Ballkani ka një rëndësi të madhe strategjike për NATO-n, veçanërisht për shkak të daljes në Mesdhe dhe Adriatik. Por, për Kosovën, prania e NATO-s është edhe më e rëndësishme – për të garantuar stabilitetin e saj dhe për të parandaluar destabilizimin e situatës nga aktorë të tillë si Serbia, Rusia e Kina”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

A do të mund të mbijetonte KFOR-i pa ushtarë amerikanë?

Ish-zyrtari i NATO-s, Shea, thotë “po”.

“KFOR-i ka qenë nën komandën italiane dhe turke dhe pjesa më e madhe e trupave janë evropiane”, thotë ai dhe shton se “evropianët menaxhojnë vetë me Bosnje e Hercegovinën që nga viti 2004”.

Por, pavarësisht kësaj, Shea argumenton se mbajtja e trupave amerikane në Kosovë sa më gjatë që të jetë e mundur, është e dobishme, sepse, siç thotë, siguron vëmendjen e vazhdueshme të SHBA-së.

“Çizmet e SHBA-së në terren e mbajnë Kosovën në ekranin e radarit në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit, si dhe ndihmojnë që SHBA-ja të mbetet e angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Shea.

Me rritjen e pasigurisë në rajon – për shkak të gjykimit të udhëheqësit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe protestave të vazhdueshme në Serbi – forcat amerikane shërbejnë si një faktor stabilizues, sipas tij.

Si mund të përgatitet Kosova për secilin skenar?

Mediu thotë se është koha që Kosova të rreshtohet sa më pranë NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, “e jo të ndjekë politika të brendshme që sjellin përçarje”.

“Vendi duhet të ketë një qasje proaktive për anëtarësim në NATO dhe t’i thellojë marrëdhëniet strategjike me SHBA-në”, thotë ai.

Aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Mediu sugjeron edhe krijimin e një force të përbashkët ushtarake me vendet anëtare të NATO-s në Ballkanin Perëndimor – Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi – për të ndërtuar, siç thotë, një mekanizëm të fuqishëm mbrojtës.

“Stabiliteti i Kosovës dhe i gjithë rajonit nuk mund të lihet në mëshirën e fatit”, thotë Mediu.

Shea thekson gjithashtu rëndësinë e angazhimit të Kosovës me administratën e Trumpit në të gjitha nivelet, “për të siguruar se interesat e saj komunikohen drejt dhe befasitë shmangen”.

“Trump është i paparashikueshëm, kështu që, më së miri, përgatituni për të gjithë skenarët”, thotë Shea.

Marrë parasysh stilin transaksional të diplomacisë së presidentit amerikan, Shea shton se Kosova duhet t’i identifikojë edhe fushat për negociata të mundshme me të.

Interesat biznesore janë gjithmonë të larta, thotë ai, duke marrë si shembull edhe marrëveshjen e përfolur mes SHBA-së dhe Ukrainës për mineralet.

Nevoja për këtë balancë delikate, që përcakton sigurinë e Kosovës, ishte evidente qysh në vitin 1999, kur gjenerali Jackson – tashmë i ndjerë – refuzoi urdhrin e komandantit të tij amerikan për të bllokuar forcat ruse kur hynë në Kosovë, pa marrëveshje me NATO-n.

“Nuk do ta filloj Luftën e Tretë Botërore për ju”, u raportua t’i ketë thënë Jackson gjeneralit Wesley Clark në qershor të ’99-ës.

Nëse Jackon e parandaloi atë mbi çerek shekulli më parë, përse siguria sot do t’i lihej rastësisë?!/REL/

Presidenti Trump i drejtohet Kongresit, ‘Amerika është rikthyer’

VOA Liam Scott

Në fjalimin drejtuar Kongresit amerikan të martën mbrëma, Presidenti Donald Trump mbrojti tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara dhe u zotua për shtimin e tyre.

“Vendet e tjera kanë përdorur tarifa kundër nesh për dekada, dhe tani është radha jonë”, tha Presidenti Trump në fjalimin e tij të parë para ligjvënësve amerikanë që nga marrja e mandatit të dytë.

Fjalimi i presidentit vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa prej 25% për eksportet nga Kanadaja dhe Meksika, dy partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë. Uashingtoni dyfishoi po ashtu një tarifë të mëparshme prej 10% për importet kineze. Kina renditet e treta për shkëmbimet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Tregjet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara shënuan rënie të konsiderueshme, ndërsa të tre vendet kanë thënë se do të hakmerren, duke ngritur shqetësime për një luftë më të gjerë tregtare.

Presidenti Trump tha se duke filluar nga 2 prilli, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të vendosin tarifa reciproke ndaj të gjitha vendeve me të cilat zhvillon tregti.

“Çfarëdo lloj tarife që na vënë ne, ne do t’u vëmë tarifë atyre. Nëse ata na taksojnë, ne do t’i taksojmë”, tha Presidenti Trump.

Udhëheqësi amerikan tha gjithashtu se do të vendosë një tarifë prej 25% për importet e aluminit, bakrit, lëndës drusore dhe çelikut.

Fjalimi i Presidentit Trump vjen gjashtë javë pas ardhjes së dytë në Shtëpinë e Bardhë e cila është shoqëruar nga tensionet me aleatët amerikanë, ndryshimet në politikën e jashtme dhe reformat në qeverinë amerikane. Shtëpia e Bardhë tha të hënën se tema e fjalimit ishte “përtëritja e ëndrrës amerikane”.

Presidenti Trump e filloi fjalimin të martën duke thënë se “Amerika është rikthyer”, çka u shoqërua me brohoritma nga ligjvënësit republikanë.

“Gjashtë javë më parë, nën kupolën e Kapitolit deklarova agimin e ‘Epokës së Artë të Amerikës’. Që nga ai moment, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një aksion i shpejtë dhe i pandërprerë për të sjellë epokën më të begatshme dhe më të suksesshme në historinë e vendit tonë”, tha Presidenti Trump.

Udhëheqësi amerikan tha se administrata e tij “ka arritur gjatë 43 ditëve më shumë se shumica e administratave të tjera në katër ose tetë vjet, dhe sapo kemi filluar”, siç u shpreh ai. Deri më sot, Presidenti Trump ka nënshkruar afro 80 urdhra ekzekutivë, disa prej të cilave po sfidohen në gjykatë.

Presidenti mbrojti shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës si dhe vendosjen e ushtrisë amerikane dhe organeve të rendit në kufi për të “zmbrapsur pushtimin e vendit”, siç u shpreh ai.

Ai tha se administrata e tij ka nisur “goditjen më gjithëpërfshirëse ndaj imigracionit të paligjshëm dhe kalimeve në kufi në historinë e Amerikës”. Zoti Trump përsëriti pretendimin se 21 milionë njerëz u futën ilegalisht në Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të Presidentit Biden, çka është hedhur poshtë nga administrata e mëparshme.

Në fjalimin e tij, presidenti vuri theksin tek një urdhër ekzekutiv, që nënshkroi kohët e fundit, i cili ndalon gratë transgjinore nga sportet e femrave.

Sa i përket tkurrjes së qeverisë, Presidenti Trump ka dhënë urdhër për ngrirjen e punësimit në qeverinë federale. Ai vlerësoi punën e Departamentit të Efikasitetit në Qeveri, DOGE, që udhëhiqet nga sipërmarrësi i njohur Elon Musk dhe ka çuar në pushimin nga puna të dhjetëra mijëra punonjësve federalë.

 

Presidenti Trump tha se administrata e tij “do të rimarrë pushtetin nga burokracia e papërgjegjshme dhe do të rivendosë demokracinë e vërtetë në Amerikë”. Ai shtoi se çdo punonjës i qeverisë që “i reziston këtij ndryshimi” do të “pushohet menjëherë nga detyra”.

Ligjvënësit demokratë, si dhe disa republikanë, i kanë kritikuar pushimet nga puna. Mbështetja e ligjvënësve republikanë ishte e dukshme gjatë fjalimit të Presidentit Trump. Ndërkohë, ligjvënësit demokratë shprehën protestën e tyre në mënyra të ndryshme.

Al Green

Al Green

Vetëm pak minuta pas fillimit të fjalimit. Presidenti Trump u ndërpre nga zhurma dhe thirrjet që vinin nga ligjvënësit demokratë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dha urdhër për nxjerrjen nga salla të ligjvënësit demokrat Al Green, i cili përfaqëson Teksasin. Presidenti Trump e vazhdoi fjalimin pasi e larguan ligjvënësin Green nga salla.

Disa ligjvënëse demokrate kishin veshur rroba ngjyrë rozë në shenjë proteste ndaj politikave të zotit Trump, për të cilat thonë se i dëmton gratë. Disa ligjvënës demokratë nuk morën pjesë ndërsa të tjerë e braktisën sallën gjatë fjalimit.

Senatorja Elissa Slotkin foli në emër të demokratëve, si kundërpërgjigje ndaj fjalimit të presidentit, siç është edhe tradita. Ajo bëri thirrje që votuesit të përfshihen më shumë në politikë.

Elissa Slotkin

Elissa Slotkin

“Është e lehtë të jesh i rraskapitur, por Amerika ka nevojë për ty tani më shumë se kurrë. Nëse gjeneratat e mëparshme nuk do të kishin luftuar për këtë demokraci, ku do të ishim ne sot?” tha senatorja e Miçiganit.

Ligjvënësja demokrate kritikoi gjithashtu edhe shkurtimet qeveritare.

“Kemi nevojë për një qeveri më efikase. Dëshironi të eliminoni humbjet? Unë do t’ju ndihmoj ta bëni atë. Por ndryshimi nuk duhet të jetë kaotik ose të na bëjë më pak të sigurt”, tha Senatorja Slotkin.

Në frontin e politikës së jashtme, Presidenti Trump vuri në dukje se ai i kishte tërhequr përsëri Shtetet e Bashkuara nga disa organizata dhe marrëveshje ndërkombëtare. Ai tha gjithashtu se vendosi ngrirjen e menjëhershme të ndihmave për vendet e huaja dhe tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga ajo që ai e quajti Marrëveshja “e padrejtë” e Parisit për Klimën, Organizata “e korruptuar” Botërore e Shëndetësisë dhe këshilli “anti-amerikan” i OKB-së për të drejtat e njeriut.

Presidenti Trump tha se po punon për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila filloi më shumë se tre vjet më parë pas sulmit të Rusisë në shkallë të gjerë.

“Është koha për të ndaluar këtë çmenduri. Është koha për të ndalur vrasjet. Është koha për t’i dhënë fund luftës së pakuptimtë,” tha ai.

Komentet e presidentit vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara ndërprenë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe pak ditë pas një shkëmbimi të ashpër në Zyrën Ovale me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë pa nënshkruar një marrëveshje.

Në fjalimin e tij, Presidenti Trump tha se kishte marrë një letër të martën nga zoti Zelenskyy ku thuhej se Kievi është “gati të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur”. “Unë e vlerësoj që ai dërgoi këtë letër”, tha zoti Trump.

Fjalimi i Presidentit Trump në Kongres zgjati 1 orë e 40 minuta, duke lënë në vend të dytë një fjalim të ish Presidenti Bill Clinton që zgjati 1 orë e 28 minuta.


Send this to a friend