Në mes të trazirave racore në të gjithë vendin, Presidenti Donald Trump të hënën tha se ai është “president i ligjit dhe rendit” dhe kërcënoi se do të dislokonte ushtrinë në qytetet amerikane për të shuar protestat e dhunshme.
Ndërkohë që Presidenti Trump po mbante fjalimin në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, një numër automjetesh ushtarake po lëviznin aty pranë në rrugën Pensylvania Avenue dhe policia ushtarake dhe forcat e zbatimit të ligjit po përplaseshin me protestuesit në Parkun Lafayette.
“Ne kemi vendin më të madh në botë”, deklaroi Trump. “Ne do ta mbajmë atë të sigurt.”
Trump tha se ai do të mobilizojë “mijëra e mijëra” ushtarë për të mbajtur paqen nëse guvernatorët nuk e përdorin Gardën Kombëtare për t’i dhënë fund protestave të dhunshmne.
“Të gjithë amerikanët me të drejtë u trishtuan dhe u revoltuan nga vdekja brutale e George Floydit”, tha Presidenti Trump. Ai theksoi se administrata e tij është plotësisht e përkushtuar që drejtësia për zotin Floyd dhe familjen e tij të vihet në vend. “Por ne nuk mund të lejojmë që thirrjet e drejta dhe protestuesit paqësorë të mbyten nga një turmë e zemëruar. Viktimat më të mëdha të trazirave janë qytetarët paqedashës në komunitetet tona më të varfra dhe si President i tyre, unë do të luftoj për t’i mbajtur ata të sigurt. Unë do të luftoj për t’ju mbrojtur”, tha Presidenti Trump.
Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, mes 600 dhe 800 anëtarë të Gardës Kombëtare nga pesë shtete po dërgohen në Uashington për të ofruar ndihmë në ruajtjen e sigurisë. Ky kontigjent trupash ose tashmë ndodhet në terren ose do të arrinte në mesnatë.
Më parë, forcat e rendit shpërndanë me forcë një grup protestuesish në Kishën St. Johns Episcopal Church, e cila njihet si “Kisha e Presidentëve” dhe ndodhet afër Shtëpisë së Bardhë. Kisha pësoi dëme nga djegiet gjatë protestave të kësaj jave në Uashington.
Sipas Aktit të Epokës së Luftës Civile- Posse Comitatus Act, trupave federale nuk u lejohet të kryejnë operacione të brendshme të zbatimit të ligjit si arrestime, konfiskim të pronave ose kontrollime të njerëzve. Në raste ekstreme, megjithatë, presidenti mund të përdor Aktin e Kryengritjes (Insurrection Act), gjithashtu nga epoka e Luftës Civile, i cili lejon përdorimin e trupave ose Gardën Kombëtare për zbatimin e ligjit.
Zyrtarët thanë që një pjesë e Gardës Kombëtare në Uashington do të jenë të armatosur dhe të tjerët jo. Ata thanë se anëtarët e Gardës Kombëtare në Uashington nuk kanë armë jo vdekjeprurëse. Policia ushtarake që tashmë është e pranishme në qytet është pjesë e Gardës Kombëtare.
Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ka shkaktuar një numër protestash të dhunshme në shumë qytete amerikane. Kjo ishte një nga vdekjet e fundit në një seri incidentesh të ngjashme që nxitën zemërim dhe protesta kundër racizmit në mesin e forcave të zbatimit të ligjit. Incidenti rindezi zemërimin në vendin e ndarë nga pikëpamja politike dhe racore, të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, që ka goditur më rëndë afrikano-amerikanët.
Shumë qytete të prekura nga trazirat sapo kanë rifilluar disa aktivitete normale ekonomike pas masave kufizuese mbi dy mujore për frenimin e përhapjes së Covid-19, që ka vrarë mbi 104,000 njerëz dhe ka lënë pa punë mbi 40 milion vetë. zëri i amerikës
Komentet