Presidenti Donald Trump fajësoi të hënën shtypin se po nxit zemërim në vend, çka rezultoi në aktin e vrasjes në masë në një sinagogë, si dhe në dërgimin e pakove-bombë kritikëve të presidentit.
Kundërshtarët politikë të presidentit fajësojnë atë për ndarjet e thella në shoqërinë amerikane, që janë shkaktuar nga retorika e tij e ashpër kundër demokratëve të opozitës, emigrantëve të paligjshëm dhe atyre që kundërshtojnë politikat e tij.
Presidenti u shpreh në një postim në Twitter se “Ekziston një zemërim i madh në vendin tonë, i shkaktuar pjesërisht nga lajmet e pasakta dhe shpesh herë mashtruese. Shtypi i Lajmeve të Rreme, që është Armiku i vërtetë i Popullit, duhet të heqë dorë nga armiqësia e hapur dhe e dukshme dhe të raportojë me saktësi dhe drejtësi. Kjo do të kontribuonte shumë për të shuar flakët e Zemërimit dhe Inatit dhe atëhere do të ishim në gjendje t’i sillnim të gjitha palët bashkë në Paqe dhe Harmoni. Lajmet e Rreme Duhet të Ndalojnë!”
Disa orë para këtij postimi, presidenti kishte thënë të djelën vonë se “Lajmet e Rreme po bëjnë gjithshka munden për të fajësuar republikanët, konservatorët dhe mua për ndarjet dhe urrejtjen që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në vendin tonë. Por janë lajmet e Rreme dhe të Pandershme që shaktojnë probleme shumë më tepër se sa ata mund ta marrin me mend!”
The Fake News is doing everything in their power to blame Republicans, Conservatives and me for the division and hatred that has been going on for so long in our Country. Actually, it is their Fake & Dishonest reporting which is causing problems far greater than they understand!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) October 29, 2018
Presidenti Trump kishte shprehur keqardhje për vrasjen masive të së shtunës në një sinagogë në Pitsburg, ku humbën jetën 11 besimtarë dhe 6 të tjerë u plagosën. Ai tha se “ky sulm i urryer anti-semitik është një sulm ndaj njerëzimit. Duhet që të gjithë të punojmë së bashku për të larguar helmin anti-hebre nga bota jonë. Duhet të bashkohemi për të fituar ndaj urrejtjes.”
Javën e kaluar, ndërsa pako-bombë iu dërguan me postë disa personaliteteve të njohura demokrate, disa komentatorë konservatorë në stacione radioje, apo televizione amerikane, lanë të kuptohet se ky mund të ishte një operacion i sajuar, i kryer nga kundërshtarë të majtë të presidentit, në përpjekje për të siguruar mbështetje në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres.
Por të premten, agjentët federalë arrestuan një përkrahës së zotit Trump dhe e akuzuan atë si autorin e dërgimit të pakove bombë tek ish presidenti Barak Obama, ish nën presidenti Joe Biden, që mund të jetë rival i presidentit Trump në 2020, dhe ndaj ish rivales së presidentit Trump më 2016, ish Sekretares së Shtetit Hillary Klinton, si dhe ndaj disa zyrtarëve të lartë të sigurimit kombëtar që kishin shërbyer në administratën e presidentit Obama. I dyshuari, sipas autoriteteve, jetonte në një furgon të mbuluar me pankarte pro presidentit Trump.
Presidenti Trump vlerësoi zyrtarët e zbatimit të ligjit në SHBA që bënë arrestimin dhe tha se dhuna politike nuk duhet të tolerohet asnjëherë.
Disa orë pas arrestimit të 56-vjeçarit Cesar Sayoc, zoti Trump tha në një tubim politik, “Kemi parë një përpjekje të medias orët e fundit për të shfrytëzuar aktet djallëzore të një individi për të fituar pikë politike kundër meje dhe republikanëve. Mbulimi i pandërprerë i mediave, armiqësia e thellë dhe sulmet negative shërbejnë vetëm për të larguar njerëzit dhe për të minuar debatin e shëndetshëm”.
Dy nga kritikët më të ashpër demokratë të Presidentit Trump, udhëheqësi i pakicës në Senat, Charles Schumer dhe udhëheqësja e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e fajësuan atë se po ndez tensionet. Ata thanë se fjalët e Presidentit “tingëllojnë të zbrazëta” në dritën e deklaratave të tjera që ai ka bërë.
Këshilltarja e zotit Trump Kellyanne Conway e hodhi poshtë idenë se retorika e Presidentit ka nxitur tensionet në Shtetet e Bashkuara, duke i thënë rrjetit CNN: “Ky president, nëse kthehesh dhe lexon të gjitha fjalët e tij pas çdo tragjedie, edhe pas fatkeqësive natyrore që kanë ndodhur, fjalët e tij kanë qenë shumë frymëzuese, kanë qenë absolutisht larg frymës partiake, presidenti po përpiqet të shërojë vendin”.
Komentet