Presidenti Donald Trump emëroi të martën mbrëma gjyqtarin e Kolorados Neil Gorsuch si kanditatin e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë.
Gorsuch, 49-vjeç, i lindur në Kolorado, u emërua në vitin 2006 në Qarkun e 10 të Gjykatës së Apeleve nga ish-Presidenti George W. Bush.
Gjykata e Lartë e SHBA me nëntë anëtarë ka një vend bosh që nga vdekja vitin e kaluar e anëtarit të saj Antonin Scalia, një gjyqtar i njohur konservator që shërbente aty prej 30 vjetësh.
Vitin e kaluar, ish-Presidenti Barack Obama emëroi gjyqtarin e apeleve Merrick Garland për të plotësuar vendin vakant në Gjykatën e Lartë. Por Senati i kontrolluar nga republikanët nuk pranoi ta shqyrtonte kandidaturën, duke thënë se donte që emërimi të vinte nga presidenti i ardhshëm.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha të martën se i emëruari i Presidentit Trump do t’i linte të kënaqur votuesit.
“Mund t’ju siguroj se ky person do t’i bëjë shumë, shumë krenarë ata votues si dhe çdo amerikan,” tha Spicer.
Ai shtoi se presidenti e ka marrë shumë seriozisht procesin e përzgjedhjes. “Ai e di se kjo do të ndikojë mbi gjykatat dhe mbi jurisprudencën e vendit tonë për brezat që do të vijnë,” tha ai.
Disa demokratë reaguan menjëherë pas njoftimit të bërë nga Presidenti Trump. Në komentet për rrjetin CNN, kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti emërimin e gjyqtarit Gorsuch “tepër armiqësor” dhe “larg rrymës kryesore”.
Judge Neil Gorsuch speaks in the East Room of the White House in Washington, Jan. 31, 2017, after President Donald Trump announced Gorsuch as his nominee for the Supreme Court.
Gjykata e Lartë është e ndarë mes katër konservatorëve dhe katër liberalëve, prandaj përzgjedhja e bërë nga zoti Trump mund të rivendosë mbizotërimin e konservatorëve.
Nëse konfirmohet nga Senati, Gorsuch do të ketë rast të ndikojë në Gjykatën e Lartë për çështje të tilla të debatueshme si aborti, të drejtat fetare, të drejtat e personave ndërgjinorë, dënimi me vdekje dhe kontrolli i armëve të zjarrit.
Gjykatësi Gorsuch
Gorsuch është diplomuar nga Universiteti i Columbia-s, më pas ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Harvard-it dhe studimet i ka vazhduar më tej në Universitetin e Oxfordit. I diplomuar për drejtësi ai ka shërbyer si ndihmës i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Byron White dhe Anthony Kennedy.
Gorsuch ka pasion sportet në natyrë, gjuetinë, peshkimin dhe skitë, që janë të përhapura në shtetin e tij të Kolorados.
Ai është admirues i ish gjykatësit Scalia, të cilin gjatë një fjalimi vitin e kaluar e ka cilësuar si “kalorës të drejtësisë”.
Sipas shkrimeve të portalit “SCOTUSblog”, që analizon Gjykatën e Lartë përmes shkrimeve të avokatëve, profesorëve të drejtësisë dhe studentëve të drejtësisë, ekziston një ngjashmëri e madhe mes gjykatësve Gorsuch dhe Scalia.
“Vlerësimi më i madh që i bëhet shkrimeve ligjore të gjykatësit Gorsuch është krahasimi me ato të gjykatësit Scalia: opinionet ligjore të gjykatësit Gorsuch janë të qarta dhe të këndshme për t’u lexuar; ato janë të drejtpërdrejta dhe shpjegojnë qartë mendimin dhe arsyen e vendimeve të tij”, shkruhet në portalin “SCOTUSblog”.
“Ashtu si Scalia, Gorsuch duket se ka angazhime juridike dhe gjyqësore që dallojnë nga preferencat e tij personale dhe që e motivojnë procesin e tij vendim-marrës”, shkruhet në një prej analizave.
Pasues i natyrshëm
Gjykatësi Gorsuch duket se është pasuesi më i natyrshëm i gjykatësit Scalia, përsa i përket stilit juridik dhe qasjes ndaj problemeve.
Profesori i drejtësisë Justin Marceau, shkruan se gjykatësi Gorsuch është “konservator për çështjet sociale, i cili favorizon pushtetin lokal ndaj atij federal”, sipas një shkrimi në gazetën “The Denver Post” në dhjetor 2016.
Gjykatësi Gorsuch nuk ka marrë ndonjë vendim për abortin, por në vitin 2013 ai u bë pjesë e një opinioni i cili theksonte se kompanitë private mund ta kundërshtojnë mbi baza fetare klauzolën e shërbimit shëndetësor të presidentit Obama, i cili i detyron punëdhënësit të ofrojnë mbulim për ilaçet kontraceptive për gratë.
Ai po ashtu ka shkruar një ese ligjore: “E ardhmja e vdekjes me asistencë, një opinion ligjor dhe etik”, duke u shprehur kundër legalizimit të saj.
Konservatorët shpresojnë se Gjykata e Lartë do të mbështesë kufizimet ndaj abortit të miratuara nga disa shtete ku dominojnë republikanët.
E ëma e zotit Gorsuch, Anne Gorsuch Burford, u emërua nga ish presidenti Ronald Reagan si gruaja e parë në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit.
Ai jeton në afërsi të qytetit Boulder, në shtetin Colorado, me guan Louise dhe dy vajzat.
Që nga vdekja e gjyqtarit Scalia, Gjykata e Lartë u është shmangur disa çështjeve të debatueshme të këtij lloji.
Komentet