Në një konferencë shtypi që dha të hënën krahas me Presidentin e Nigerisë, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Uashington, Presidenti Trump komentoi lidhur me një fjalim që mbajti pak më parë Kryeminsitri izraelit Benjamin Netanjahu.
Ai tha se zbulimi që bëri zoti Netanyahu për Iranin “Flet për një situatë të papranueshme”, duke shtuar se “kjo tregon se unë kam patur 100 për qind të drejtë” lidhur me synimet bërthamore të Iranit.
Presidenti Trump e kritikoi përsëri marrëveshjen dhe tha se ajo është arritur vetëm midis një numri të vogël shtetesh, por nuk pranoi të jepte hollësi se çfarë vendimi do të merrte lidhur me të ardhmen e saj.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se vendi i tij ka “prova të reja dhe bindëse” se Irani e ka fshehur aktivitetin e vet bërthamor, duke shkelur marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015, që synonte ta kufizonte ndërtimin nga Teherani të armëve bërthamore.
Para transmetimit të drejtpërdrejtë me televizion të fjalimit të kryeministrit izraelit, një politikan izraelit i nivelit të lartë i tha Zërit të Amerikës se shteti hebraik kishte siguruar “një numër të madh dokumentesh, që ekspozojnë faktet se Irani ka gënjyer gjatë të gjithë kohës” lidhur me marrëveshjen.
Netanyahu prej kohësh e ka kritikuar marrëveshjen e arritur nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Rusia dhe China me Teheranin, në shkëmbim të heqjes së sanskioneve, që e kanë penguar ekonominë e Iranit. Ai ka thënë se marrëveshja nuk do ta ndalonte Iranin për t’u bërë një fuqi bërthamore.
Fjalimi i Netanjahut vjen pas një bisede telefonike që ai pati gjatë fundjavës me Presidentin Donald Trump, i cili ka kërcënuar ta shfuqizojë marrëveshjen dhe se do t’i rivendosë sanksionet ndaj Iranit.
Trump është ankuar vazhdimisht se marrëveshja nuk e ka ndaluar Iranin të zhvillojë prova me raketa balistike, si dhe nuk i ka ndaluar dot sulmet e menjëhershme ndaj Sirisë, Jemenit dhe gjetkë në Lindjen e Mesme.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e bëri të qartë të dielën se Presidenti Trump do t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja me Iranin më 12 maj, kundër dëshirës së aleatëve amerikanë në Europë, në se ajo nuk modifikohet për t’u bërë e pranueshme nga Shtetet e Bashkuara.
Komentet