Presidenti Donald Trump ndërmori sot një sulm të ri ndaj një libri që e përshkruan presidencën e tij dhe Shtëpinë e Bardhë si kaotike dhe jofunksionale, duke lënë të kuptohet se është e nevojshme të ndryshohen ligjet për shpifjen për të mbrojtur njerëzit nga ato që ai i quan raportime të rreme.
Fjala është për librin e ri me titull “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë”, i cili ka 448 faqe dhe pritet të dalë në qarkullim më 11 shtator. Autori, Bob Woodward është gazetari të cilit i njihet merita si njeriu që ndihmoi për rrëzimin e Presidentit Richard Nixon në vitin 1974.
Disa pjesë nga ky libër, të publikuara të martën, përshkruajnë atë që autori e quan një “grusht shteti administrativ” dhe “krizë nervore” gjatë 19 muajve të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Në reagimin e tij sot në Twitter, Presidenti Trump thotë: “A nuk është turp që dikush të shkruajë një artikull apo një libër, të sajojë histori krejtësisht të paqena dhe të formojë një imazh që është plotësisht e kundërta e personit që përshkruan dhe të kalojë pa ndonjë ndëshkim apo kosto”. “Nuk e kuptoj pse politikanët e Uashingtonit nuk i ndryshojnë ligjet për shpifjen?”
Libri i autorit Bob Woodward e përshkruan Presidentin Trump si injorant deri në rrezikshmëri ndaj çështjeve botërore ndërsa administratën si jofunksionale dhe të përfshirë nga grindjet e brendshme.
Megjithëse edhe më parë ka patur rrëfime të ngjashme për Shtëpinë e Bardhë nga gazetarë apo ish-pjestarë të stafit, përshkrimet e autorit Woodward japin një tabllo edhe më shqetësuese për administratën.
Në një koment të publikuar mbrëmë në Twitter, Presidenti Trump shtronte pyetjen nëse Woodward është një operativ i Partisë Demokrate të opozitës.
Libri citon shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly që e përshkruan presidentin si të çbalancuar mendërisht. Zoti Kelly citohet gjithashtu të ketë thënë gjatë një takimi se “për shkak se presidenti është ‘idiot’, është “e pakuptimtë të përpiqet ta bindë atë për ndonjë gjë, se ai ka dalë nga shinat dhe se jetojmë në një qytet të çmendurish”.
Gjenerali Kelly reagoi menjëherë duke hedhur poshtë citimet që përmenden në libër:
“Ideja që unë ta kem quajtur ndonjëherë presidentin ‘idiot’ nuk është e vërtetë,” tha ai në një deklaratë, duke përsëritur se ai “ka një marrëdhënie tepër të sinqertë dhe të fortë” me presidentin Trump.
Zoti Kelly thekson se ai është i përkushtuar ndaj presidencës së zotit Trump, ndaj axhendës së tij dhe ndaj vendit.
“Kjo është një tjetër përpjekje patetike për të ndotur njerëzit pranë Presidentit Trump dhe për ta hequr vemendjen nga sukseset e shumta të administratës”, shkruan zoti Kelly.
Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis citohet në libër ta ketë përshkruar Presidentin si njeri me nivelin e një nxënësi të “klasës së pestë apo të gjashtë” për nga mënyra se si i kupton gjërat.
Edhe zoti Mattis reagoi me anë të një deklarate të lëshuar të martën mbrëma nga Pentagoni:
“Fjalët përbuzëse për presidentin që më atribuohen mua në librin e Woodward-it nuk janë shqiptuar asnjëherë nga unë ose në praninë time”, shkruan sekretari i mbrojtjes.
Në libër thuhet se në prill të vitit të kaluar kur presidenti sirian Assad urdhëroi që kundër civilëve të përdoreshin armët kimike, Presidenti Trump thirri sekretarin e mbrojtjes Mattis dhe i tha se donte ta vriste Assadin. Mattis citohet në libër t’i ketë thënë një ndihmësi se “ne nuk do ta bëjmë këtë. Do të jemi shumë më të matur”.
E pyetur rreth këtij episodi që përmendet në libër, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley reagoi duke thënë” “Asnjëherë nuk e kam dëgjuar presidentin të flasë për vrasjen e Asadit.”
Në libër thuhet se dy zyrtarë të larguar nga Shtëpia e Bardhë, këshilltari i lartë ekonomik i presidentit, Gary Cohn dhe sekretari i stafit Rob Porter, kanë hequr dokumente nga tavolina e presidentit që ai të mos i nënshkruante. Arsyeja që ata e bënë këtë, thuhet në libër, ka qenë “për të mbrojtur vendin”.
Në procesin e shkrimit të librit, autori Woodward në mënyrë të përsëritur ka kërkuar të intervistojë me Presidentin Trump por pa sukses.
Nga regjistrimi i një bisede mes tij dhe Presidentit pasi libri ishte bërë gati për shtyp, del se zoti Trump akuzon gazetarin se ka shkruar një “libër shumë të pasaktë”. Sipas zotit Trump, ky libër nuk pasqyron faktin që asnjë prej paraardhësve të tij në Shtëpinë e Bardhë nuk ka “bërë një punë më të mirë se ai” si president.
Woodward thotë në libër se presidenti i shikon përparësitë e sigurisë kombëtare në prizmin e shifrave të deficitit tregtar dhe shpenzimeve për mbajtjen e trupave amerikane jashtë. Sipas librit, kur u pyet nga Presidenti se përse Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë për praninë e madhe me trupa në Korenë e Jugut, sekretari Mattis thuhet se iu përgjigj: “Po e bëjmë këtë për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore”.
Komentet