UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka shtruar iftarin e parë në Shtëpinë e Bardhë ku morën pjesë përfaqësues të misioneve të huaja në Washington nga disa vende me shumicë myslimane.
Trump i cili ka filluar detyrën e tij para një viti e gjysmë ka shtruar për herë të parë iftar në Shtëpinë e Bardhë.
Trump doli nga tradita e Shtëpisë së Bardhë për shkak se nuk organizoi iftar vitin e kaluar. Këtë vit me një ftesë me pjesëmarrje të ngushtë ai ka pritur kryesisht përfaqësues të misioneve të jashtme në Washington.
Lista e pjesëmarrësve nuk është bërë e ditur nga Shtëpia e Bardhë, por sipas njoftimeve të bëra nga gazetarët e Shtëpisë së Bardhë mësohet se në këtë program kanë marrë pjesë përfaqësues diplomatikë të Arabisë Saudite, Jordanisë, Egjiptit, Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Tunizisë, Irakut, Katarit, Bahreinit, Marokut, Algjerisë dhe Libisë.
Në një fjalim të shkurtër para hapjes së iftarit, Trump u ka uruar muajin e Ramazanit të gjithë botës myslimane duke thënë se ka kënaqësinë që pret në Shtëpinë e Bardhë përfaqësues nga vendet me shumicë të popullsisë myslimane.
Pasi ka rikujtuar se vizitën e tij të parë jashtë vendit e ka zhvilluar në Lindjen e Mesme dhe në Arabinë Saudite, Trump tha se “Ne mund të arrijmë një të ardhme ku do të ketë siguri dhe prosperitet për të gjithë ne, vetëm duke punuar së bashku”.
Protestë jashtë Shtëpisë së Bardhë
Nga ana tjetër, disa OJQ myslimane që kanë protestuar ndaj retorikës islamofobe të Trump si dhe për atë që nuk janë ftuar në iftarin e shtruar në Shtëpinë e Bardhë, kanë zhvilluar një program iftari “alternativ” në Lafayette Park para Shtëpisë së Bardhë.
Në iftarin jashtë Shtëpisë së Bardhë morën pjesë përfaqësues të organizatave kryesore të shoqërisë civile në SHBA si Këshilli i Marrëdhënieve Amerikano-Islame (CAIR) dhe Bashkësia Islame e Amerikës së Veriut (ICNA).
Rreth 150 muslimanë amerikanë me ardhjen e kohës fillimisht kanë falur namazin e akshamit dhe më pas së bashku kanë vazhduar iftarin.
Zahid Buhari, drejtori i ICNA-së për AA deklaroi se “Në iftarin e organizuar në Shtëpinë e Bardhë mos ftesa jonë si përfaqësues të miliona myslimanëve në Amerikë është një shembull i qëndrimit të Trump-it ndaj myslimanëve dhe Islamit”.
“Nëse liderët e rëndësishëm muslimanë të Amerikës nuk janë ftuar për një aktivitet për të përkujtuar Ramazanin, atëherë qëllimi nuk është toleranca, por për fat të mirë shtruan një iftar pas 17 muajsh pasi vitin e kaluar nuk e bënë dhe po ashtu kanë rikujtuar praninë e Ramazanit pavarësisht se edhe kjo gjysëm. Gjithashtu edhe ne jemi këtu për ta plotësuar këtë gjysmë-iftar, dhe ne po bëjmë iftarin tonë pikërisht drejt përpara Trump-it”, tha Buhari.
Në protestë në mbështetje të myslimanëve ka marrë pjesë edhe prifti i krishterë Ruben Eckels, i cili duke tërhequr vëmendjen në retorikat islamofobe të Trump-it tha se “Ne ndodhemi këtu për të mbështetur vëllezërit tanë myslimanë të cilët përballen me diskriminim, pabarazi dhe ofendime, gjëra të cilat nuk duhet të ndodhin në këtë vend”.
Programet e iftareve janë mbajtur në Shtëpinë e Bardhë për gati 20 vjet deri në vitin 2016, edhe në periudhat e mëparshme të presidentëve të SHBA-ve si Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. Presidenti i SHBA-ve Trump e braktisi këtë traditë vitin e kaluar në Ramazan, duke mos shtruar iftar në Shtëpinë e Bardhë gjë e cila shkaktoi edhe reagime në publik.
Komentet