VOAL

VOAL

Trump kundër Biden – FOX News publikon sondazhin, shihni për kë kanë votuar amerikanët

November 1, 2020

Komentet

Harrisi dhe Trumpi reagojnë pas hapjes së kutive të votimit! Ja mesazhet që përcjellin dy kandidatët për President të SHBA

Kandidatja demokrate, Kamala Harris ka shpërndarë postimin e saj të parë në platformën X që kur u hapën qendrat e votimit në SHBA.

 

“Amerikë, ky është momenti për të bërë zërin tuaj të dëgjohet”, thotë nënkryetari aktual.

Kundërshtari i saj, Donald Trump, nuk ka postuar që nga hapja e sondazheve, por tha në platformën e tij “Truth Social”: Është koha për të dalë për të votuar- kështu që se bashkë, mund ta bëjmë Amerikën së madhe sërish!!!”

Kjo ishte rreth një orë pas përfundimit të tubimit të tij të fundit të fushatës, në Michigan. Panorama

Gara e ngushtë mes Trumpit dhe Harrisit- Çfarë ndodh nëse asnjë nga kandidatët nuk siguron dot 270 votat e nevojshme të Kolegjit?

Sytë e të gjithëve janë drejtuar sot nga Uashingtoni, ku zhvillohen zgjedhjet presidenciale.
Të gjithë presin që nesër të kemi emrin e personit që do të drejtojë SHBA në mandatin e ardhshëm, por çfarë ndodh nëse asnjë nga kandidatët nuk arrit të siguroje dot 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, të domosdoshme për t’u shpallur fitues?

Nëse ndodh që të dy kandidatët presidencialë të jenë të barabartë dhe secili të fitojë 269 vota të Kolegjit Zgjedhor, d.m.th. asnjëri nuk arrin një shumicë prej të paktën 270 votash, do të jetë në dorën e Dhomës së Përfaqësuesve të përcaktojë fituesin.

Çdo delegacion i një shteti federal do të kishte më pas një votë dhe do të kërkohej një shumicë prej 26 votash për të fituar.

Megjithatë, ky është një skenar që kurrë nuk ka ndodhur.

Kur publikohet rezultati?
Në një garë kokë më kokë, mund të duhet pak kohë për të shpallur rezultatin përfundimtar. Nëse ka mospërputhje në disa shtete, ato duhet të zgjidhen deri më 11 dhjetor sipas ligjit zgjedhor.

Më 17 dhjetor, zgjedhësit do të takohen në kryeqytetet e shteteve federale për të hedhur zyrtarisht votat e tyre për president dhe nënkryetar. Më 6 janar 2025, Kongresi do të mblidhet në Uashington në mënyrë që të numërohen votat elektorale dhe të konfirmohet zyrtarisht fituesi i zgjedhjeve. Inaugurimi ceremonial i presidentit bëhet në Uashington më 20 janar. bw

Dita e fundit e zgjedhjeve, ku do ta kalojnë ditën sot dy kandidatët, Donald Trump dhe Kamala Harris?

Donald Trump dhe Kamala Harris mbajtën fjalimet e tyre të fundit para votuesve mbrëmë vonë pas një fushatë të gjatë elektorale, me tubime, intervista e reklama.

Por çfarë do të bëjnë ata ndërsa presin rezultatin e votimit?

Harris do të jetë sot në Uashington DC duke marrë pjesë në intervista në radio, raporton CNN.

Ajo më pas do të mbajë festën e saj të vëzhgimit të natës zgjedhore në Universitetin e saj Alma Mater Howard në Uashington sonte.

Një zyrtar me njohuri për planet e saj tha se ajo ka ftuar edhe donatorët kryesorë në një konferencë zgjedhore nesër.

Ndërkohë, Trump pritet të mbajë një festë natën e zgjedhjeve në West Palm Beach, Florida. gsh

Ngjarjet e Kapitol trembin SHBA-të, Shtëpia e Bardhë rrethohet me gardh metalik 2.5 m të lartë, masa edhe në Kongres e te rezidenca e Harris

Një ditë para zgjedhjes së presidentit të 47-të, autoritetet amerikane kanë marrë masa të rrepta sigurie përreth Shtëpisë së Bardhë dhe ndërtesave të tjera qeveritare në Uashington D.C. Mediat amerikane raportojnë se kryeqyteti po përgatitet për trazira të mundshme gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale.

Shërbimi sekret vendosi gardhe metalike me lartësi 2.5 m rreth Shtëpisë së Bardhë, Kapitolit, Departamentit të Thesarit dhe rezidencës së zv/presidentes Kamala Harris.

“Shërbimi Sekret po punon ngushtë me partnerët federalë, shtetërorë dhe lokalë në Uashington DC dhe Palm Beach County, Florida, për të siguruar nivele të larta të sigurisë ditën e zgjedhjeve”, tha Shërbimi Sekret në një deklaratë për Uashington Post. “Këto masa nuk janë përgjigje ndaj ndonjë çështje specifike, por janë pjesë e përgatitjeve të gjëra të sigurisë publike për zgjedhjet e të martës, 5 nëntor 2024”.

Gjithashtu, Shërbimi Sekret po instalon gardhe metalike jashtë një qendre mbledhjesh në ëest Palm Beach, Florida, ku ish-presidenti Donald Trump do të zhvillojë një festë natën e zgjedhjeve, jo shumë larg rezidencës së tij në Mar-a-Lago.

Videot e shpërndara në rrjet tregojnë se disa biznese në Uashington kanë ndërprerë punën pa mbërritur dita e zgjedhjeve.

Këto masa të rrepta vijnë 4 vjet pasi ish-presidenti Donald Trump refuzoi të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, duke bërë që një turmë mbështetëse e tij të sulmonte Kapitolin, një përpjekje kjo e dhunshme për të certifikuar fitoren e presidentit Joe Biden.

Megjithatë, autoritetet amerikane mohojnë të kenë identifikuar ndonjë kërcënim real dhe nuk ka nevojë për asnjë alarm. Por paralajmërimi që vjen Departamenti i Policisë Metropolitane është konkret: “Ne nuk do të tolerojmë asnjë trazirë. Ne nuk do të tolerojmë shkatërrimin e pronës. Ne nuk do të tolerojmë asnjë sjellje të paligjshme. Shkelësit do të arrestohen dhe do të mbajnë përgjegjësi”.

Të martën e 5 nëntorit amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Presidentin e ri, mes Donald Trump të republikanëve dhe Kamala Harris të demokratëve.

Në kutitë e votimit deri sot, 4 nëntor 2024, janë hedhur 77 mln vota të hershme. Akti final mes dy kandidatëve do të “luhet” nesër. bw

Trashëgimia etnokulturore e Musine Kokalarit do të ekspozohet në shtëpinë e gjyshërve të saj

VOA/Raimond Kola

Objektet personale të disidentes antikomuniste Musine Kokalari do të ekspozohen në shtëpinë e gjyshërve të saj në Gjirokastër, e cila është kthyer këtë vit në memorialin “Muza ime” , nga një prej pasardhësve të fisit Kokalari, Arjeta Kokalari.

“Janë 5 valixhe të mëdha me objekte personale të Musinesë, koleksione artikujsh dhe fotografi, dorëshkrime , materiale etnografike, etj”, i tha Zërit të Amerikës Arjeta Kokalari, që krijoi qendrën “Muza ime”.

Dy të afërm Bibika dhe Palton Kokalari i morën objektet 41 vjet më parë nga vetë Musineja, që vuante në Burrel internimin nga regjimi komunist me porosinë e saj për t`ia dorëzuar muzeut etnografik të Gjirokastrës.

Dy vjet më parë Bibika Kokalari i dhuroi Arkivit të Shtetit 3112 dorëshkrimet e Musine Kokalarit, ndërsa objektet etnokulturore të Musinesë ia dorëzoi Bashkisë së Gjirokastrës me kushtin e vetëm që ato të mos ekspozoheshin në Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë e diktatorit komunist Enver Hoxha.

“Në atë shtëpi nuk i çoj pasi ai ishte xhelati që i mori tërë rininë dhe tërë jetën Musinesë”, deklaroi atëherë Bibika Kokalari.

Në bashkëpunim me bashkinë e Gjirokastrës, Bibika Kokalari i tërhoqi së fundi objektet për t`ia dorëzuar memorialit “Muza ime” në mungesë të ekspozimit, pasi shtëpia ku Musine Kokalari kaloi fëmijërinë në Gjirokastër u dogj disa vite më parë dhe nuk është restauruaar më pas, megjithë premtimet e autoriteteve shqiptare të kulturës.

Musine Kokalari është shkrimtarja e shquar disidente shqiptare që vuajti në 40 vite burgjet dhe internimet e regjimit komunist në Shqipëri.

Donald J. Trump: Një rrugëtim i pazakontë drejt presidencës

VOA/Tina Trinh

Në pak më shumë se nëntë vite, ish-presidenti dhe ndoshta presidenti i ardhshëm Donald Trump ka reformuar Partinë Republikane në një vend gjithnjë e më të ndarë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, i hedh një vështrim përpjekjeve të ish-Presidentit Trump për një rikthim politik historik.

“Tani mund të themi se ish-Nënpresidenti Joe Biden është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara…”, njoftohej në mediat amerikane.

Ky duhej të ishte fundi.

Por kur fundi erdhi, Donald J. Trump, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, nuk ishte i gatshëm ta pranonte humbjen.

“Nëse numëroni votat e ligjshme, unë fitoj lehtësisht. Nëse numërohen votat e paligjshme, ata mund të përpiqen të na i vjedhin zgjedhjet”, tha atëherë ish-Presidenti Trump.

Ai u bëri thirrje mbështetësve që ta pengonin Kongresin të certifikonte rezultatet më 6 janar 2021.

“Do luftojmë me gjithçka. Dhe nëse nuk luftoni me gjithçka, nuk do ta keni më vendin tuaj”, tha ish-Presidenti Trump.

Ajo që rezultoi ishte një skenë e paimagjinueshme më parë në Amerikë, që çoi në ngritjen për herë të dytë të akuzave në Kongres për shkarkimin e tij. Mospranimi i humbjes nga zoti Trump, ishte në përputhje me refuzimin e tij të vazhdueshëm ndaj të zakonshmes.

“Mendoj se ajo që shihni është dikush që ka besim të jashtëzakonshëm në intuitën e tij”, thotë Russ Buettner, nga gazeta “The New York Times”.

Russ Buettner dhe Susanne Craig janë gazetarë investigativë në gazetën ‘The New York Times’ dhe bashkëautorë të librit “Lucky Loser”, një vështrim jo i këndshëm i rrethanave se si zoti Trump e shndërroi veten në një miliarder që mbështetet në forcat e tij.

“Që nga fillimi i viteve ‘80, ai nuk u ka besuar vërtet njerëzve që kanë ekspertizë të fushës në pothuajse çdo gjë. Ai gjithmonë kërkon ta rrëzojë mendimin e tyre dhe t’i bëjë gjërat siç i dëshiron ai që të dalin”, thotë gazetari Buettner.

Ndërtesat e zotit Trump mbartnin emrin e tij me gërma të mëdha të arta, një shfaqje e guximshme e ambicieve të tij.

“Kur po jepte një intervistë për gazetën ‘The New York Times’, kishte një pasuri prej 200 milionë dollarësh. Kjo ishte rritur në një miliard kur ai po fliste një dekadë më vonë për emisionin ‘60 Minuta’,” tregon gazetarja Susanne Craig, nga “The New York Times”.

Zoti Trump shkëlqente në tërheqjen e vëmendjes dhe kultivimin e një imazhi për veten e tij si mundësues i marrëveshjeve. Ai fitoi miliona dollarë vetëm nëpërmjet licencave për përdorimin e emrit të tij.

Por pas suksesit qëndronin telashet. Kompanitë e tij shpallën falimentimin gjashtë herë. Kazinotë e tij humbën të ardhura dhe u mbyllën. Zoti Trump u rimëkëmb me spektaklin e tij televiziv, “The Apprentice”, që mundësoi edhe rolin e tij më të madh deri më tani.

“Zonja dhe zotërinj, unë po kandidoj zyrtarisht për president të Shteteve të Bashkuara dhe ne do ta bëjmë vendin tonë sërish madhështor”, deklaroi ai në qershor të vitit 2015.

I vendosur dhe pa doreza, zoti Trump ishte një kandidat polarizues dhe nacionalist.

“Kur Meksika dërgon njerëzit e saj, ata nuk dërgojnë më të mirët e tyre… Ata po sjellin drogën, po sjellin krimin, ata janë përdhunues dhe disa, supozoj, janë njerëz të mirë”, tha zoti Trump.

Si president, ai emëroi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë që ndihmuan në rrëzimin e të drejtave federale për abortin.

“Numri i vdekjeve në SHBA është tani mbi 150,000”, njoftonin mediat gjatë pandemisë.

Në fillim të vitit 2020, pandemia COVID-19 sprovoi ish-Presidentin Trump. Ai përshpejtoi prodhimin e vaksinave për të shpëtuar jetë njerëzish. Por ai gjithashtu u duk se sugjeroi që shkencëtarët të studionin injektimin e klorinës për të vrarë virusin.

Me mbi 9 milionë amerikanë të infektuar dhe me numrin e vdekjeve që i kaloi 230 mijë, votuesit atë nëntor zgjodhën Joe Bidenin si presidentin e tyre të ardhshëm.

Pas lënies së detyrës, ish-Presidenti Trump u përball me padi të shumta penale dhe është ish-presidenti i parë që është gjendur fajtor për një vepër penale.

E megjithatë, ai kurrë nuk ka qenë më popullor se tani.

Duke i mbijetuar dy atentateve këtë vit,… ai vetëm e ka forcuar lidhjen me mbështetësit e tij.

“Zoti ka një plan për Trump-in. Dhe ai absolutisht u kursye për disa qëllime dhe arsye. Dhe shpresojmë se do të bëhet presidenti i 47-të”, thotë mbështetësja Pam Smith, nga Pensilvania.

Politika amerikane nuk ka qenë më e njëjta që kur Donald Trump-i u bë pjesë e saj.

Dhe njeriu që dikur ishte bashkautor i librit “Arti i Rikthimit”, tashmë mund të jetë duke realizuar një nga rikthimet më të mëdha në historinë amerikane.

SHBA kritikon Serbinë për synimin që t’i gjykojë krimet në Kosovë

Departamenti amerikan i Shtetit tha se pajtohet me Bashkimin Evropian se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

“Ne përsërisim mbështetjen e Qeverisë amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Uashingtoni tha se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ka zhvilluar zgjidhje praktike që promovojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

“Kjo duhet të zbatohet. Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë, pa vonesa, zotimet që kanë bërë në Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të raporteve, përfshirë themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Një ditë më herët, BE-ja kritikoi Serbinë për ligjin e miratuar më herët gjatë javës nga Serbia, që synon ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Ligji që Qeveria e Serbisë ia propozoi Kuvendit serb për miratim më 28 tetor, parasheh gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.

Ky ligj u tha se do të zbatohet edhe për procedurat penale të nisura para miratimit të tij.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se ligjet janë reagim, ndaj, siç u shpreh ai, “shtypjes së popullit serb nga regjimi në Prishtinë dhe mungesës së veprimeve të dukshme nga misioni i BE-së, EULEX”.

Ai tha po ashtu se “nëse do të kishte sundim të ligjit në Kosovë dhe nëse serbët do të kishin ndonjë siguri juridike”, atëherë ligji i propozuar nga Qeveria në Beograd nuk do të ishte i nevojshëm”.

Edhe Kosova e ka kritikuar këtë legjislacion të Serbisë dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka akuzuar Beogradin për shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial me këto projektligje.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 dhe janë pajtuar për zbatimin e saj dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa – si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe – në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.

Kjo e shtyri Beogradin zyrtar të njoftojë në shtator se do të krijojë prokurorinë speciale për territorin e Kosovës, si një masë për mbrojtjen e “interesave jetike kombëtare të popullit serb” në Kosovë.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paraqitur më herët gjatë javës disa masa për Kosovën, duke thënë se prokuroria speciale dhe dhomat gjyqësore të veçanta do të “ndjekin të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullsisë serbe” në Kosovë./ REL.

Harris vs Trump, kush do t’i fitojë zgjedhjet- Ja ç’thonë sondazhet 5 ditë para zgjedhjeve

Zgjedhjet e vitit 2024 mes Donald Trump dhe Kamala Harris duken më afër se kurrë ndërsa gara hyn në javën e saj të fundit. Anketuesit dhe parashikuesit thonë se Trump ka një avantazh të vogël ndaj kandidates demokrate.

Shifrat mesatare kombëtare të Trump janë përmirësuar paksa ndaj Harris që nga java e kaluar, megjithëse shumica e sondazheve tregojnë zëvendëspresidenten të ketë një avantazh. Beteja midis Harris dhe Trump në 7 shtetet kyçe, që mund të vendosin përfundimisht zgjedhjet mbetet një lëkundje, me kandidatët ose praktikisht të barabartë ose vetëm pak përpara në sondazhe të ndryshme.

Sondazhi Nate Silver, i cili themeloi FiveThirtyEight dhe tani përdor një model të ngjashëm parashikimi për blogun e tij Silver Bulletin, shkroi kohët e fundit në The New York Times se etiketimi i garës si një goditje 50-50 është “i vetmi parashikim serioz”.

Rruga më e qartë e Harrisit drejt fitores në nëntor do të varet nga fitimi i tre shteteve të fushëbetejës: Pensilvanisë, Miçiganit dhe Wisconsin-it, duke përjashtuar çdo rezultat tronditës diku tjetër. Rruga më efikase e Trump për 270 vota të Kolegjit Elektoral do të përfshinte fitoren e Pensilvanisë, Xhorxhias dhe Karolinës së Veriut.

Mbledhja e sondazheve tregon se Trump ka një shans 54 për qind për të fituar garën këtë nëntor, por thekson se ajo mbetet në thelb një lëkundje.

Capture
Capture

Modeli i Silver i jep Harris një epërsi mesatare kombëtare në sondazh ndaj Trump prej 1.1 pikësh (48.6 përqind në 47.5 përqind). Shifrat e Trump janë përmirësuar me 0.5 pikë krahasuar me javën e kaluar.

Më 26 tetor, RealClearPolitics raportoi se Trump kishte tejkaluar Harris në mesataren e tij kombëtare për herë të parë që kur zëvendëspresidentja u bë kandidati i Partisë Demokratike për vitin 2024. Aktualisht, Trump është përpara Harris me 0.4 pikë, 48.4 për qind ndaj 48 për qind të Harris.

Harris ruan një epërsi kombëtare prej 0.6 pikësh ndaj Trump (48.3 për qind në 47.7 për qind), sipas grumbullimit të sondazheve të Decision Desk HQ/The Hill. Kjo është më pak nga epërsia me 1 pikë që zv/presidentja mbajti javën e kaluar.

Sipas FiveThirtyEight, Harris dhe Trump janë tepër të afërt në katër nga shtatë shtetet e fushëbetejës. Në Nevada, Harris kryeson me 0.1 pikë (47.6 me 47.5), në Wisconsin kryeson me 0.3 pikë (48.0 me 47.7), dhe në Miçigan kryeson me 0.7 pikë (48 me 47.2). Trump është përpara me 0.4 pikë në Pensilvani (48 me 47.6).

Trump gëzon epërsi më të mëdha në Karolinën e Veriut (plus 1.1 pikë), Xhorxhia (1.8 pikë) dhe Arizona (2.2 pikë).

Silver Bulletin tregon se Harris është përpara në Nevada (0.1 pikë), Michigan (0.9 pikë) dhe Wisconsin (0.3 pikë). Trump kryeson Harris në Pensilvani (0.4 pikë), Karolinën e Veriut (1.1 pikë), Xhorxhia (1.9 pikë) dhe Arizona (2.3 pikë).

RealClearPolitics e tregon Trumpin përpara Harris në të gjitha shtetet me përjashtim të Miçiganit, ku Harris kryeson me 0.5 pikë.

Ish-presidenti kryeson në Arizona (plus 2.5 pikë), Xhorxhia (2.4 pikë), Nevada (0.5 pikë), Karolina e Veriut (1 pikë), Pensilvania (0.5 pikë) dhe Wisconsin (0.6 pikë).

Download

bw

SHBA sanksionon firmat serbe dhe malazeze për shkak të mbështetjes të luftës së Rusisë

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj kompanisë serbe, Ventrade, dhe ndaj International Business Corporation Bar (IBC), me bazë në Mal të Zi, për shkak të eksportimit të mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi, të cilat mund të përdoren në industrinë e mbrojtjes.

Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha përmes një deklarate se Ventrade i ka shitur Rusisë radio të kategorisë ushtarake, ndërkaq IBC ka transferuar pajisje të përpunimit dhe kushineta të topave te kompanitë ruse, përfshirë te një kompani që është nën sanksione amerikane.

Sipas të dhënave të tregtisë të kompanisë Ventrade, kompani e themeluar në prill të vitit 2022, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, kjo firmë eksportoi radio në Rusi në vlerë prej 570.000 dollarësh. Këto eksporte ishin bërë në periudhën shtator 2022 deri në qershor 2023 përmes Gjermanisë, Malajzisë, Austrisë, Kinës dhe Meksikës.

Që nga viti 2021, IBC është në pronësi të shtetasit rus me bazë në Mal të Zi, Sergei Kokorev, dhe kjo kompani ka rritur fitimet më 2023 me rreth 1 milion dollarë.

Pesë firma të tjera serbe – MCI Trading, Kominvex, Goodforwarding, Soha Info dhe TR Industries – po ashtu veçse janë nën sanksione nga OFAC për shkak të bashkëpunimit me Rusinë.

Mali i Zi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërkaq Serbia, pavarësisht se është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk i është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë. REL

Ankth dhe zhgënjim mes amerikanëve lidhur me zgjedhjet presidenciale

VOA/Marrë nga Associated Press

Shumica e amerikanëve po ndjejnë shumë emocione në prag të zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, por entuziazmi nuk është një prej tyre. Një sondazh i ri nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra NORC për Kërkimin e Çështjeve Publike (AP-NPRC) arrin në përfundimin se rreth 7 ndër 10 amerikanë thonë se ndjejnë ankth ose nervozizëm lidhur me fushatën presidenciale të vitit 2024, dhe një numër i ngjashëm thonë se janë të interesuar për to.

Vetëm rreth një e treta thonë se ndjehen entuziastë.

Java e fundit a fushatës për garën presidenciale të vitit 2024 po shoqërohet në përgjithësi me një ndjesi të gjerë pasigurie. Gara është e ngushtë në nivel kombëtar dhe në shtetet kyçe, që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, sipas sondazheve të fundit, as demokratja Kamala Harris dhe as republikani Donald Trump, nuk kanë një avantazh të qartë.

Ndërkohë, kandidatët kanë ofruar argumente përmbyllëse që janë në kontrast të plotë me njëri-tjetrin. Demokratja Harris argumenton se zoti Trump është i përqendruar tek hakmarrja dhe interesat personale, ndërsa republikani Trump iu referua zonjës Harris në një tubim të dielën në mbrëmje si “një e paaftë që ka shkatërruar gjithçka”.

Disa grupe votuesish janë edhe më të shqetësuar se sa ishin katër vjet më parë, edhe pse ato zgjedhje u zhvilluan në mes të një pandemie vdekjeprurëse.

Në vitin 2020, një sondazh i AP-NORC arriti në përfundimin se rreth dy të tretat e amerikanëve ishin të shqetësuar për zgjedhjet. Por për ata që mbështesin njërën palë ose tjetrën, ankthi është pak më i lartë. Rreth 8 ndër 10 demokratë thonë se ndjejnë ankth në këtë cikël, një numër pak më i lartë se rreth tre të katërtat në zgjedhjet e fundit. Rreth dy të tretat e republikanëve janë të shqetësuar, një rritje e moderuar nga rreth 6 ndër 10 në vitin 2020.

Ndërsa tek të pavarurit kjo ndjesi nuk ka ndryshuar në mënyrë domethënëse dhe ata ndihen më pak të shqetësuar se demokratët, apo republikanët. Rreth gjysma thonë se ndjejnë ankth, një nivel i ngjashëm me vitin 2020.

Emocionet e tjera janë intensifikuar në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore, përfshirë nivelin e entuziazmit. Rreth një e treta e amerikanëve thonë se ndjehen entuziastë për fushatën e vitit 2024, nga rreth një e katërta në vitin 2016. Por shumica e amerikanëve thonë se nuk janë entuziastë për garën e këtij viti.

Megjithatë, një faktor ka mbetur konstant: niveli i zhgënjimit të amerikanëve me fushatën. Afërsisht 7 ndër 10 amerikanë e përshkruajnë gjendjen e tyre emocionale si të zhgënjyer, një nivel i ngjashëm me vitin 2020. Megjithatë për ata amerikanë, ka një dritë në fund të tunelit: pas disa ditësh, zgjedhjet do të përfundojnë.

Burg i përjeshtëm për sulmuesin e bashkëshortit të Nancy Pelosit

VOA/Marrë nga Associated Press

Personi i dënuar me 30 vjet në një burg federal për sulmin me çekiç ndaj bashkëshortit të ish kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u dënua të martën me burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht pas një gjyqi të veçantë shtetëror.

Në muajin qershor, një juri në San Françisko e shpalli fajtor të pandehurin David DePape nën akuza ku përfshihen edhe rrëmbimi me dhunë dhe sulmi ndaj një anëtari të familjes së një zyrtari federal.

Përpara shpalljes së dënimit të sulmuesit DePape me burgim të përjetshëm në akuzën për rrëmbim, gjykatësi Harry Dorfman hodhi poshtë argumentet e avokatëve mbrojtës për një gjykim të ri shtetëror për sulmin e vitit 2022 ndaj Paul Pelosit, i cili në atë kohë ishte 82 vjeç.

“Qëllimi im është që zoti DePape të mos dalë kurrë nga burgu, ai kurrë nuk mund të lirohet me kusht”, tha gjykatësi Dorfman ndërsa shpalli dënimin. “Unë nuk ndjej simpati për ju. Ndjej simpati për viktimën në këtë rast, i cili është me fat që është gjallë”, tha më pas gjykatësi.

Adam Lipson, një avokat mbrojtës publik i San Françiskos, i kishte kërkuar gjykatësit Dorfman që të merrte në konsideratë shëndetin mendor dhe izolimin e të pandehurit DePape, çka e kishte bërë klientin e tij të ndjeshëm ndaj propagandës në internet.

“Ky është një njeri që ka qenë gjithmonë një person paqësor, që i bindet ligjit deri në rastin në fjalë”, tha avokati Lipson përpara se të jepej dënimi.

Të pandehurit iu dha mundësia t’i drejtohej gjykatës përpara shpalljes së dënimit. I veshur me kostumin ngjyrë portokalli të burgut, ai foli gjatë për 11 shtatorin duke e cilësuar si vepër të organizuar nga brenda, ndërsa tha se ish gruan e tij e kishin zëvendësuar me një sozi dhe se avokatët mbrojtës, të siguruar nga shteti, po komplotonin kundër tij.

Në muajin maj, një gjykatëse federale e dënoi me 30 vjet burg 44-vjeçarin David DePape i cili në vitin 2022 hyri me forcë në shtëpinë e ish kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi dhe sulmoi me çekiç bashkëshortin e saj, Paul Pelosi.

Në një sulm të motivuar politikisht, David DePape hyri me force në shtëpinë e zonjës Pelosi në San Françisko më 28 tetor të viti 2022, një javë para zgjedhjeve të atij viti për Kongresin amerikan. Në kohën e sulmit, zonja Pelosi gjendej në Uashington.

I pandehuri e pranoi gjatë gjyqit se qëllimi i tij ishte të merrte peng zonjën Pelosi, e cila atëherë ishte Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, zyrtarja e dytë më e lartë në radhë për presidencën e Shteteve të Bashkuara.

44-vjeçari e goditi Paul Pelosin me çekiç në kokë përpara se policia të mbërrinte në vendngjarje dhe ta neutralizonte atë.

Paul Pelosi, 82 vjeç në atë kohë, pësoi frakturë në kafkë dhe lëndime të tjera që i kanë lënë pasoja, siç shprehej ai në një letër dërguar gjykatëses përpara vendimit të majit. Zoti Pelosi tha se vazhdon të ketë marrje mendsh, probleme me ekuilibrin dhe ka dëmtime të fijeve nervore në dorën e majtë.

Shtohet përfshirja e votuesve të rinj në procesin zgjedhor të 5 nëntorit

VOA/Laurel Bowman

Votuesit e rinj që marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale quhen ndryshe gjenerata Z. Mosha e tyre varion nga 18-27 vjeç. Nga marrja e njohurive mbi procesin zgjedhor, deri tek angazhimi për të dalë derë më derë për të kërkuar mbështetje për kandidatët presidencialë, shumë të rinj po përqafojnë procesin e votimit. Korrespodentja Zërit të Amerikës, Laurel Bowman sjell më shumë hollësi mbi rolin e tyre.

Studentë aktivistë në Kolegjin Montgomery në Rokvill të shtetit të Marilendit, organizuan një sesion për edukimin e votuesve për zgjedhjet e 5 nëntorit me pjesëmarrjen e zyrtarëve zgjedhorë.

Një lëvizje e tillë, është një përpjekje për t’i përgatitur të rinjtë që të votojnë në zgjedhjet presidenciale

“ Synimi sot ishte edukimi i votuesve dhe që njerëzit të shohin se si zhvillohet procesi në qendrat e votimit…”

Pjesëmarrësit si Akhyan Damang e vlerësuan nismën.

“Thjesht doja të shihja se si është të votosh herën e parë. Do të jetë hera e parë që votoj për zgjedhjet presidenciale dhe doja të shihja procedurën.”

Këta votues të rinj janë të shqetësuar për një sërë çështjesh.

“Më shqetëson çështja e borxhit. Nuk e kuptoj shumë mirë, por më duket se është borxhi i lartë dhe nuk e kuptoj pse”.

“Ndryshimet klimatike dhe aborti janë çështje me rëndësi”.

“Roli i Amerikës në botë është një çështje shumë e rëndësishme veçanërisht për votuesit e rinj.”

Shumica e studentëve nuk treguan se për kë do të votonin në garën mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris.

Por shteti i Merilendit, një bastion i demokratëve, pritet të votojë për Kamala Harrisin.

Zëri i Amerikës pyeti drejtuesen e republikantëve të rinj në shtetin e Xhorxhias, Jacquelyn Harn, se cilat çështje kanë rëndësi për bashkëmoshatarët e saj republikanë. Sipas saj, për shumë prej tyre, rëndësi ka ekonomia.

“Mes kostove për shtëpitë, rritjes së çmimeve për ushqime dhe karburantit është e papërballueshme të jetosh dhe të kesh një familje tani”, shprehet ajo.

Por si duhet t’u qasen votuesve të rinj ekipet e fushatave?

“ Ne jemi brezi i mediave sociale. Ne shohim çdo gjë në mediat sociale. I marrim lajmet prej aty”, thotë Jacquelyn Harn

Të njëjtin mendim ka edhe Harry Sisson, videot e të cilit kanë shumë ndjekës në mediat sociale.

“Unë do të thosha se aplikacioni kryesor i lajmeve për të rinjtë është ndoshta rrjeti TikTok. Kjo është platforma ime kryesore. Kjo sepse është e lehtë për ta marrë informacionin, shumë lajme në TikTok janë nga 30 deri në 60 sekonda”, tregon ajo.

Ndërkohë, në qytetin Herndon, në shtetin e Virxhinias, mbështetësja e Kamala Harrisit, Camila Alfonzo Meza shkon shtëpi më shtëpi për të nxitur njerëzit që të votojnë për kandidaten demokrate. Njerëzit jo gjithmonë e hapin derën, por ajo nuk dorëzohet.

Ajo thotë se zëvendësimi i Joe Bidenit nga Kamala Harrisi në garën presidenciale shtoi energjinë tek të rinjtë demokratë.

“Kam parë një ndryshim të madh në energjinë dhe entuziazmin e të rinjve që kur Kamala Harrisi mori emërimin”, shprehet Camila Alfonzo Meza.

Camila Alfonzo Meza mendon se elektorati i gjeneratës Z prej mbi 40 milionë të rinjsh mund të ketë rol shumë të madh në zgjedhjet presidenciale.


Send this to a friend