Presidenti Donald Trump tha të dielën se avokatët e tij “dërmuan plotësisht” çështjen që kanë ngritur demokratët kundër tij duke synuar shkarkimin nga detyra.
Një një postim në twitter pasi ekipi i tij ligjor mbylli ditën e parë të paraqitjes së argumenteve mbrojtëse Presidenti shkruante se “gjuetia e shtrigave është një ndërhyrje masive në zgjedhje që nuk është parë kurrë më parë“.
Ai sulmoi prokurorin kryesor të demokratëve, ligjvënësin Adam Schiff, duke e cilësuar atë si “politikan të korruptuar” dhe siç shtonte më tej ai “ndoshta një njeri shumë të sëmurë.
“Ai (Schiff) nuk e ka paguar çmimin, për atë që i ka bërë vendit tonë!“, shkruante zoti Trump.
Zoti Schiff tha për televizionin NBC News se ai i sheh komentet e zotit Trump si një kërcënim.
“Ai është një president i inatosur dhe hakmarrës dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha zoti Schiff. “Dhe nëse mendoni ndryshe, mjaft të shihni postimet e tij për mua sot, ku shkruan se duhet të paguaj një çmim”, tha ai.
Java e parë e gjyqit ndaj Presidentit Donald Trump në Senat u mbyll të shtunën, ndërsa avokatët e presidentit filluan mbrojtjen e tij, duke argumentuar se Presidenti nuk kishte bërë asnjë gabim në komunikimet e tij me Ukrainën. Ekipi i avokatëve mbrojtës ka tre ditë kohë për të argumentuar para 100 senatorëve të cilët do të vendosin për largimin ose jo nga detyra të Presidentit Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson sjell hollësitë.
Në një ditë të shkurtër të shpalosjes së argumenteve fillestare, të përshkruar si një prezantim paraprak, avokatët e Shtëpisë së Bardhë sulmuan nga fronte të ndryshme demokratët. Së pari ata e quajtën të pabazë akuzën për shkarkimin e Presidentit.
“Demokratët akuzuan presidentin se përdori ndihmat për sigurinë për të detyruar Presidentin (Voldymyr) Zelenskiy të njoftojë hapjen e hetimit (ndaj djalit të ish nënpresidentit Biden). Por si mund të jetë e mundur kjo kur ukrainasit nuk ishin në dijeni se ndihma e sigurisë ishte pezulluar? Nuk mund të ketë një kërcënim, nëse personi që po kërcënohet nuk e di. Nuk mund të ketë një ofrim të një favori, nëse favori nuk ekziston”, tha Mike Purpura, avokat i Shtëpisë së Bardhë.
Avokatëtë e Shtëpisë së Bardhë argumentuan se presidenti ka kompetenca të gjera për vendimmarrje.
“Mos rënia dakord me vendimet e presidentit për çështje të politikës së jashtme, ose mbi atë se nga kush i merr këshillat, nuk është një arsye për shkarkimin e tij”, tha avokati i Shtëpisë së Bardhë, Jay Sekulow.
Avokatët e Presidentit Trump kritikuan gjithashtu menaxherët e demokratë të gjyqit për hamendjet në lidhje me motivet e presidentit.
“Kjo është e rreme. Kjo nuk është thirrja e vërtetë. Kjo nuk është provë. Ky nuk është transkripti (i telefonatës)”, tha avokati Mike Purpura.
Demokratët thonë se problemi mund të zgjidhet me lehtësi nëse republikanët lejojnë paraqitjen e dëshmisë së dorës së parë që republikanët deri më tani kanë refuzuar ta bëjnë.
“Përshtypja ime e fortë nga dy orët e para është se çështja e sjelljes së dëshmitarëve dhe dokumenteve është bërë edhe më e rëndësishme”, tha senatori demokrat Tim Kaine.
Demokratët kanë kërkuar paraqitjen si dëshmitarë të disa zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të administratës, duke përfshirë Ambasadorin John Bolton dhe Shefin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, i cili u tha gazetarëve vitin e kaluar se pezullimi i ndihmës ishte i lidhur me kërkesat e presidentit.
“Nëse kjo ishte me të vërtetë për luftimin e kurrupsionit nga Presidenti Donald Trump, atëherë pse e fshehu atë nga Kongresi? Pse nuk i thanë popullit amerikan se çfarë po bënin? Arsyeja që ata nuk e kanë njoftuar popullin Amerikan është sepse ishte një kërcënim i korruptuar për t’i ndihmuar ata që të vidhnin zgjedhjet”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff, menaxher i gjyqit në senat.
Prezantimi dy orësh nga mbrojtja e Presidentit Trump dukej se kishte më shumë efekt tek republikanët sesa argumentet shumë më të gjatë të demokratëve.
“Për 23 orë nuk dëgjuam asgjë përveç disa vogëlsirave dhe një këndvështrimi të vetëm. Në këto dy orë, unë mendoj se ata bënë më shumë përparim sesa tërësia e asaj që ata na vunë, me male informacioni, gjëra të vogla dhe thjesht nuk arritën në pikën e duhur”, tha senatori republikan Mike Braun.
Gjyqi pritet të rifillojë të hënën me vazhdimin e paraqitjes së argumenteve nga avokatët mbrojtës të Presidentit.
Komentet