Një trashëgimtare e supermarketeve Publix dhuroi rreth 300,000 dollarë për të financuar një tubim që i parapriu sulmit vdekjeprurës në Kapitol më 6 janar nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump, njoftoi të shtunën gazeta Wall Street Journal.
Gazeta tha se financimi nga Julie Jenkins Fancelli, donatore e njohur e fushatës së zotit Trump në vitin 2020, u bë i mundur nga moderatori i djathtë televiziv, Alex Jones. Sipas gazetës, paratë e saj u përdorën për të paguar pjesën më të madhe të tubimit në parkun Ellipse ku zoti Trump mbajti fjalim dhe u kërkoi mbështetësve të tij “të luftonin”. Krejt tubimi kushtoi rreth 500,000 dollarë.
Më shumë se 135 njerëz janë arrestuar në lidhje me sulmin e 6 janarit, në kohën kur Kongresi ishte mbledhur për të çertifikuar fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit. Pesë persona, përfshirë një polic të Kapitolit, humbën jetën.
Sipas gazetës, Alex Jones personalisht premtoi më shumë se 50,000 dollarë për tubimin, në këmbim të mundësisë për të folur aty. Jones, i cili ka publikuar teori komploti tashmë të diskredituara, ka intervistuar në emisionet e tij të njohura në TV dhe radio udhëheqësit e dy grupeve ekstremiste, Proud Boys dhe Oath Keepers, të cilat luajtën rol kryesor në trazirat e asaj dite.
Në një postim në Twitter, Supermarketet Publix shkruanin se dhuna në Kapitol më 6 janar ishte një tragjedi kombëtare. “Veprimet e mjerueshme që ndodhën atë ditë nuk përfaqësojnë vlerat, punën ose mendimet e Supermarketeve Publix,” thuhej në deklaratë.
Komentet