BEOGRAD – Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka zyrtarizuar ditën e djeshme koalicionin me Partinë Liberal Demokratike të Çedomir Jovanoviçit. Qëllimi i kësaj aleance politike, siç thanë ata, është t’i fitojnë zgjedhjet e ardhshme në Serbi.
Ata kanë thënë se në planprogramin e tyre do të kenë orientimin evropian, bisedimet me NATO-n, përgjigjen për çështjen e Kosovës, marrëdhëniet me Bosnjën dhe Hercegovinën, e çështje të tjera.
Në fjalën e tij, Tadiç ka thënë se qeveria aktuale, edhe pse de jure nuk e ka njohur Kosovën, de fakto e ka bërë një gjë të tillë, ndërsa ka theksuar se gjendja ka ndryshuar pas Marrëveshjes së Brukselit.
“A do të bëhet Kosova shtet i pavarur përmes kësaj politike? Me siguri se po, pavarësisht asaj se çfarë do Serbia, sepse numri i shteteve anëtare të OKB-së që e kanë njohur Kosovën është më i madh se gjysma e anëtarësisë së plotë [të OKB-së]”, ka thënë Tadiç, shkruan “koha.net”.
Ish-presidenti serb ka thënë gjithashtu se situata pas marrëveshjes së Brukselit ka ndryshuar pasi, sipas tij, me atë marrëveshje nënkuptohet se sistemi i drejtësisë në Kosovë funksionin në tërë territorin.
Tadiç ka theksuar se çështje e koalicionit SDS-LPD nuk do të jetë pranimi ose jo i pavarësisë së Kosovës, por do të luftojë për interesat minimale kombëtare në Kosovë, pa parulla demagogjike dhe pa politika të pamenduara e luftarake.
Ai ka folur edhe në lidhje me “luftën” e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, që është pranimi i Kosovës në UNESCO, duke thënë se gjatë arritjes së marrëveshjes së Brukselit, nuk janë përmendur çështjet e identitetit dhe për këtë arsye, siç ka thënë Tadiç, sot ekziston problemi i UNESCO-s.
“Tani identiteti duhet të mbrohet me mjete diplomatike, përmes diplomacisë kulturore”, ka thënë Tadiç.
Kurse lideri i LDP-së, Çedomir Jovanoviç ka thënë para gazetarëve se pavarësia e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë në platformën e tij politike, por ka theksuar se ndryshimi i Serbisë duhet të bëhet edhe përmes ndryshimit të qëndrimit karshi Kosovës.
Duke përmendur se Kosova është e pranuar nga mbi 100 shtete të OKB-së, është e pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Jovanoviç ka thënë se Serbia duhet t’i pranojë edhe disa të vërteta të hidhura, në mesin e të cilave është edhe ajo se “Kosova sot veten e sheh si plotësisht të pavarur”.
Komentet