Kryetari i Stambollit, Vasip Sahin, tha se 35 veta u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë një sulmi në një klub nate të mbushur me kremtues me rastin e Vitit të Ri në Stamboll.
Vasip Sahin e cilësoi incidentin si një sulm terrorist ndërsa shtoi se një polic është në mesin e të vrarëve.
Mediet turke thanë se të paktën një sulmues i armatosur kishte hyrë në klubin që ndodhet në lagjen Ortakoy, i veshur si babagjyshi i Viti të Ri.

Dëshmitarët thanë se mbi 600 veta ishin në klub në kohën e sulmit dhe disa njerëz kërcyen në ujë në ngushticën e Bosforit për të ikur nga të shtënat.
Masat e sigurisë ishin shtuar në qytetet më të mëdha turke pas sulmeve terroriste të muajve të kaluar.
Dy shpërthime në afërsi të një stadiumi të futbollit në Stamboll më herët gjatë dhjetorit, lanë pas vetes 28 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur.
Një grup militant kurd kishte marrë mbi vete përgjegjësinë.
Në qershor, një sulm që u mor përsipër nga grupi militant Shteti Islamik, la pas vetes 40 të vrarë në aeroportin Ataturk në Stamboll.
Presidenti amerikan, Barack Obama, shprehu ngushëllime për sulmin dhe udhëzoi ekipin e tij që t’u ofrojë ndihmë autoriteteve turke.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Eric Sshultz tha se “presidenti është informuar nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare për sulmin në Stamboll”.
Ai tha se presidenti Obama, i cili ndodhet për pushime në Hawaii, krahas ngushëllimeve për jetët e pafajshme, ka udhëzuar ekipin e tij që të ofrojë ndihmën e përshtatshme për autoritetet turke.
Komentet