Një model i ri, më i vogël i Statujës së Lirisë mbërriti të mërkurën në ishullin Ellis në Nju Jork, një dhuratë për Shtetet e Bashkuara nga Franca, 135 vjet pasi ai vend i dhuroi Shteteve të Bashkuara Statujën origjinale të Lirisë.
Statuja e re, gati tre metra e lartë, mbërriti në Nju Jork pas një udhëtimi nëntë-ditor në Oqeanin Atlantik. Statuja prej bronzi i është dhënë me hua për 10 vjet ambasadës franceze në Uashington nga Konservatori Kombëtar i Arteve dhe Mjeshtërisë Franceze (CNAM). Dekadën e kaluar statuja qëndroi në hyrje të Muzeut Kombëtar të Arteve dhe Mjeshtërive (Musée des Arts et Métiers) në Paris.
Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) njoftoi se kopja është krijuar nga një skanim 3-dimensional i modelit origjinal të skulpturës së vitit 1878 nga skulptori Auguste Bartholdi për të ndërtuar “La Liberté” që Franca i dhuroi Shteteve të Bashkuara për nder të njëqindvjetorit të tyre në vitin 1886.
Gjatë një ceremonie në Paris në fillim të qershorit, ndërsa kopja po paketohej për t’u transportuar, administratori i konservatorit CNAM Olivier Faron tha se statuja më e vogël ka për qëllim të riafirmojë miqësinë mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën ceremoni, nënkryetari i përkohshëm i misionit në ambasadën amerikane në Paris, Liam Wasley, e quajti statujën një kujtesë të lidhjeve të forta mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës, “lirinë që ne ndajmë dhe rëndësinë që çdo brez ta ruajë atë liri”.
Statuja e re do të pranohet zyrtarisht përmes një ceremonie të enjten dhe do të qëndrojë përballë statujës origjinale (93 metra e lartë) deri në festimet e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë.
Më pas statuja e re do të dërgohet në Uashington për t’u instaluar në rezidencën e ambasadorit francez. Ajo do të zbulohet atje më 14 korrik, në Ditës e Bastijës së Francës dhe do të qëndrojë aty për 10 vjet.
Komentet