“Dita e Inaugurimit mund të konsiderohet si kaos i organizuar. Ka vetëm rreth gjashtë orë në dispozicion për të nxjerrë njërën familje jashtë dhe për të sistemuar familjen tjetër”, thotë Anita McBride, ish-shefe e personelit e ish-Zonjës së Parë, Laura Bush.
“Të gjithë punojnë në ato gjashtë orë për ta bërë shtëpinë sa më komode për familjen e re të parë”, thotë zonja McBride.
Anita McBride ka punuar për tre administrata presidenciale. Zonja McBride e di personalisht se çfarë mund të presin ditën e parë Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden.
“Kur ata hyjnë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë, tradicionalisht pas paradës së përurimit, të gjitha rrobat e tyre janë të varura në dollap, të gjitha fotografitë e familjes janë në vendet ku ata donin t’i kishin. Është me të vërtetë një transformim i mahnitshëm”, thotë ajo.
Transformimi koreografohet me kujdes. Familja e parë e re ka zgjedhur që më parë mobiljet dhe veprat e artit nga koleksioni i gjerë i Shtëpisë së Bardhë, i cili ruhet në një depo në Mariland.
Një gjë të tillë, zonja e parë e ardhshme Michelle Obama e mësoi gjatë një takimi para inaugurimit me Laura Bushin.
“Zonja Obama kishte thënë se sa bukur ishte gjithçka dhe kështuqë ajo edinte që më parë se e vetmja gjë që duhej rregulluar ishte zbukurimi i dhomave të vajzave që të ishin të përshtatshme për fëmijë”, tha zonja McBride.
Presidenti i ri zgjedh vetë se si ta rregullojë Zyrën Ovale. Shumica e presidentëve zgjedhin të përdorin tryezën që i ishte dhënë Presidentit Rutherford B. Hayes nga Mbretëresha Victoria në fund të viteve 1800.
“Është mjaft interesante që tapeti luan rol për të përcjellë ndjesitë dhe shijen e një presidenti ose emocionet që ata kanë për t’u ulur në atë zyrë. Sigurisht që portreti i George Washingtonit, gjithmonë ka vendin e vet të spikatur mbi oxhak dhe askush nuk e ka ndryshuar atë.”
Është një ditë me emocione të mëdha.
“Marrëdhënia mes stafit të përhershëm dhe një familjeje të parë, dhe veçanërisht kur familja e parë ka fëmijë të vegjël, bëhet mjaft e afërt dhe ndarja është e vështirë. “
Largimi nga Shtëpia e Bardhë mund të jetë veçanërisht e vështirë për një president me një mandat.
“Ka një ndjesi sikur ‘nuk bëra gjithçka ashtu siç shpresoja’. Kur largohesh pas katër vjetësh dhe veçanërisht për një familje të parë është emocionuese dhe në fakt George HW Bush ka shkruaj më kujtimet e tij, se ishte e dhimbshme. Dhe Barbara Bush e ndjeu një gjë të tillë. Familja e ndjeu thellë, por ata gjithashtu janë patriotë të vërtetë dhe u sollën në lartësinë e duhur”, thotë zonja McBride.
Lamtumirat mund të jenë të vështira edhe për anëtarët e stafit që kujdesen për kafshët shtëpiake të familjes së parë. Siç ishte për shembull punonjësi veteran Dale Haney.
“Ai kujdeset për territorin përreth Shtëpisë së Bardhë, por kishte edhe përgjegjësinë të kujdesej për kafshët shtëpiake të familjes. Ishte një përvojë e vështirë për të ditën e ikjes kur kafshët shtëpiake me të cilat është mësuar aq shumë, që ishin bërë si familje, u larguan me familjen e parë.”
Kuratorët sigurohen që gjërat me vlerë të Shtëpisë së Bardhë të mos merren gabimisht nga një familje e parë në largim.
“Ata njohin çdo gjë që i përket koleksionit të Shtëpisë së Bardhë. Ata gjithashtu dinë çdo gjë që është objekt personal dhe të gjitha këto sende etiketohen një nga një “, thotë zonja McBride.
Çka ndihmon që dita e lëvizjes në Shtëpinë e Bardhë të jetë sa më e lehtë.
Komentet