Në Uashington janë shtuar spekulimet se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson mund të largohet së shpejti nga administrata, pas komenteve që ai dhe një ndihmës u dhanë gazetarëve gjatë dy ditëve të fundit.
Zoti Tillerson drekoi të hënën me presidentin Donald Trump dhe nënpresidentin Mike Pence. Më vonë gjatë ditës, zoti Pence u takua me ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara Nikki Haley. Përkimi i takimeve bëri që vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë të komentonin mbi mundësinë që zonja Haley të marrë postin e zotit Tillerson, nëse ai largohet.
Në një intervistë me “Fox News Sunday”, zoti Tillerson u pyet rreth përgjigjes mjaft të kritikuar të dhënë nga Presidenti Trump për dhunën vdekjeprurëse në Sharlotsville të Virxhinias këtë muaj, pas një tubimi nga supremacistët e bardhë që rezultoi në përplasje me kundërprotestuesit.
Zoti Trump shkaktoi zemërim kur fajësoi fillimisht të dyja palët njëlloj për trazirat. Ligjvënës të Partisë Republikane të zotit Trump dhe shumë komentues e akuzuan presidentin se nuk dënoi në mënyrë të veçantë mbështetësit e racizmit si diçka e papranueshme.
Diplomati më i lartë amerikan u pyet këtë javë nëse komentet e zotit Trump, të cilat u panë si vënie e shenjës së barazimit mes supremacistëve të bardhë dhe demonstruesve të ekstremit të majtë, pasqyronin vlerat amerikane.
Tillerson tha fillimisht: “Nuk besoj se dikush dyshon në vlerat e popullit amerikan, ose në angazhimin e qeverisë amerikane, apo të agjencive të qeverisë për avancimin e këtyre vlerave dhe mbrojtjen e tyre”.
Kur moderatori Chris Wallace e pyti konkretisht rreth vlerave të zotit Trump, sekretari Tillerson u përgjigj: “Presidenti flet vetë për veten e tij,” pa dhënë shpjegime të mëtejshme.
Një ndihmës i zotit Tillerson mohoi të hënën se ky koment përbënte një kritikë ndaj vlerave të zotit Trump, por nuk pranoi ta zbuste komentin.
“Vlerat fillojnë nga Kushtetuta”, tha për televizionin CNN ndihmësi i cili nuk dëshiroi të identifikohej. “Puna e presidentit është t’i mbrojë këto vlera. A bëri ai më të mirën në përgjigje të ngjarjeve në Sharlotsville? Jo. Por kjo nuk do të thotë se Amerika ndryshoi”.
Ndihmësi shtoi, “Kjo është arsyeja pse presidenti flet për veten e tij, sepse është Kushtetuta që flet për vendin”.
Komentet njëri pas tjetrit të bëra nga zoti Tillerson dhe ndihmësi i tij u pritën me habi nga vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë.
Thomas Whalen, profesor i shkencave politike në Universitetin e Bostonit, tha se deklarata që Kushtetuta dhe jo presidenti flet për vendin “tregon përçmim ndaj stilit autoritar të zotit Trump në menaxhimin e presidencës”. Ai i përshkroi fjalët e ndihmësit të zotit Tillerson si “një lamtumirë ndaj zotit Trump”.
Faqja e lajmeve në internet Axios njoftoi të hënën se zhgënjimi i Presidentit Trump me sekretarin Tillerson ishte shfaqur sidomos pas një takimi të fundit rreth Afganistanit.
“Rex Tillerson thjesht nuk e kupton, ai i takon krejtësisht klasës politike tradicionale në mendimin e tij”, tha zoti Trump, sipas një burimi të cituar nga Axios.
Faqja e internetit njoftoi se Tillerson ishte në kundërshtim me Presidentin Trump në disa çështje të politikës së jashtme, duke përfshirë tensionet në Katar dhe sanksionet kundër Venezuelës dhe se zyrtarët e administratës e kishin të vështirë të kuptonin se përse sekretari i shtetit nuk i kishte plotësuar disa pozicione të larta politike në Departamentin e Shtetit.
Zëdhënësi i zotit Tillerson, R.C. Hammond, fajësoi për këtë një sistem “që nuk funksionon”, sipas Axios. Faqja e internetit citonte zotin Hammond të kishte thënë se “Sekretari dërgon rekomandime, por ato mbeten në sirtar.”
Sipas vëzhguesve politikë që biseduan me Zërin e Amerikës, një largim i zotit Tillerson nuk do të bënte tjetër veçse do ta shtonte konfuzionin që ka karakterizuar muajt e parë të administratës.
Cindy Saine kontribuoi për këtë raport.
Komentet