Kryetari i New Yorkut, Bill de Blasio, njoftoi qytetarët se janë shtuar masat e sigurisë të karakterit parandalues, por se situata e sigurisë është e qëndrueshme
NEW YORK – Forcat amerikane të sigurisë kanë përforcuar masat në të gjitha qytetet e mëdha pas sulmeve terroriste të javës së kaluar në Paris, ndërsa masat e përforcuara të sigurisë veçmas janë të dukshme në New York.
Pjesëtarët e armatosur të policisë speciale janë duke zbatuar masa të forcuara të sigurisë në pothuajse të gjitha vendet që ka grumbullim masiv, ndërsa në kontrollet parandaluese tek ‘Times Square’ ndihmojnë edhe qentë nuhatës.
Zyrtarët e New Yorkut pohojnë se nuk ka kanosje konkrete ndaj sigurisë ne vend, por se për arsye parandaluese do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim me kontrollin dhe gatishmërinë e forcuar policore.
Qytetarët ftohen që të bashkëpunojnë me policinë, por lirshëm të kryejnë obligimet e tyre të përditshme dhe të mos bëjnë panik për shkak të pranisë së forcuar të forcave policore në rrugë.
“Nuk ekzistojnë kurrfarë indikacionesh, as njohuri për kërcënime të mundshme, por do të vazhdojmë me forcimin e masave parandaluese të masave të sigurisë, veçmas në vendet e grumbullimit masiv dhe në afërsi të përfaqësive diplomatike”, kumtohet nga shërbimi policor në New York.
Kryetari i New York-ut, Bill de Blasio porositi qytetarët se janë shtuar masat e sigurisë të karakterit parandalues, por se situata e sigurisë është e qëndrueshme.
“Tronditemi sa herë që shohim sulme sikur ai në Paris, por kjo duhet të jetë një paralajmërim dhe përkujtim se doemos duhet të jemi të gatshëm për të parandaluar çdo lloj kanosje të ngjashme. Kjo ka të bëjë veçmas me vendet të cilat për shkak të frekuentimit të madh të njerëzve mund të jenë objektiv sulmesh nga terroristët”, tha De Blasio. aa
Komentet