Shtëpia e Bardhë njoftoi se do t’i rikthejë përkohësisht akreditimin gazetarit të CNN Jim Acosta. Ky hap pason vendimin e një gjykatësi federal që urdhëroi që korrespondentit të rrjetit CNN, t’i rikthehet përkohësisht akreditimi pranë Shtëpisë së Bardhë. Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders paralajmëroi vendosjen e rregullave e procedurave për të siguruar sic tha ajo “mbatjen e konferencave për shtyp në përputhje me rregullat në të ardhmen“.
Të premten Presidenti Donald Trump kërcënoi se do ta çojë çështjen sërisht në gjykatë nëse gazetarët nuk i zbatojnë rregullat e Shtëpisë së Bardhë.
“Njerëzit duhet të sillen sipas rregullave,” u tha zoti Trump gazetarëve.
“Po hartojmë rregullore … Nëse nuk i zbatojnë, do të përfundojmë sërisht në gjykatë dhe ne do të fitojmë“, shtoi ai.
Për rrjetin televiziv CNN vendimi i gjykatës ishte një fitore e parë në çështjen gjyqësore që nisi disa ditë më parë. Gazetari Acosta falenderoi gjykatësin Timothy Kelly për vendimin dhe tha se tani do të kthehej përsëri në punë.
Avokatët e rrjetit CNN thanë se në javët be ardhshme do të ketë seanca të tjera gjyqësore, ku do të vendoset për aspekte të tjera të padisë së rrjetit mediatik kundër administratës së Presidentit Trump.
Administrata e presidentit Trump javën e kaluar i hoqi akreditimin gazetarit Acosta pasi ai i drejtoi një seri pyetjesh presidentit duke i kërkuar sqarime se përse kishte cilësuar karvanin e emigrantëve të Amerikës Qendrore që po i afrohen Shteteve të Bashkuara si një “pushtim”.
Çështja në fjalë shihet si një provë e rëndësishme për lirinë e shtypit në SHBA që mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës.
Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë paraqiti të enjten një raport në mbështetje të kërkesës së kanalit CNN për të lejuar përkohësisht akreditimin e korrespondentit Jim Acosta në Shtëpinë e Bardhë, deri në marrjen e vendimit për padinë gjyqësore “CNN kundër Donald J. Trump”.
Gjatë seancës dëgjimore të së mërkurës, Departamenti i Drejtësisë paraqiti argumentin se Presidenti ka autoritet të plotë të përzgjedhë gazetarët që do të mbulojnë aktivitetet e tij. Por, shoqata theksoi rrezikun që paraqet për të gjithë gazetarët dhe publikun amerikan, nëse Presidentit i lejohet të vazhdojë praktikën e nisur.
Avokati i kanalit CNN, Ted Boutrous i tha të mërkurën gjykatësit Kelly se Shtëpia e Bardhë ka hapësira të mëtejshme për ta penguar korrespondentin Acosta, si p.sh. duke mos e ftuar për të drejtuar pyetje në konferencat për shtyp.
Megjithatë avokati shtoi se “nga sa e njoh Presidentin Trump, ai do t’i drejtohet Acostas që në ditën e parë pasi të ketë marrë sërish kredencialet e shtypit”.
Juristët e qeverisë thonë se sjellja e zotit Acosta pengoi Shtëpinë e Bardhë të zhvillojë një konferencë normale për shtyp.
“Nuk përbën këndvështrim përpjekja e një gazetari të vetëm për të monopolizuar një konferencë për shtyp”, u shpreh Zv.Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm, James Burnham. Ai i tha gjykatësit se pezullimi i kredencialeve të zotit Acosta nuk i shkaktoi dëm të menjëhershëm dhe të pariparueshëm, gjë që do të justifikonte një urdhër të përkohshëm gjykate.
“Ndërsa për CNN-in, mendoj se nuk ka asnjë lloj dëmi”, tha zoti Burnham, duke vënë në dukje se 50 gazetarë të tjerë të këtij rrjeti informativ kanë kredenciale për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.
“Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë kanë të njëjtin autoritet të gjerë për të përcaktuar qasjen në Shtëpinë e Bardhë për gazetarët (dhe publikun e gjerë), ashtu siç kanë autoritetin për të zgjedhur se cilët gazetarëve do t’u jepet mundësia të zhvillojnë intervista, apo emrat e gazetarëve që do të ftohen të bëjnë pyetje gjatë konferencave të shtypit”, shkruhet në argumentin ligjor të paraqitur nga Departamenti i Drejtësisë, në emër të Shtëpisë së Bardhë.
I pyetur nga faqja konservatore e internetit “Daily Caller” nëse priste që ta fitonte padinë gjyqësore, Presidenti Trump u përgjigj: “A është liri e shtypit kur dikush që vjen, fillon të bëjë pyetje duke bërtitur dhe nuk ulet?”
Shumë organizata të mediave i dolën në mbështetje padisë ligjore të CNN-it, përfshirë kanalin “Fox News” që shihet si grup mediatik përgjithësisht mbështetës i Presidentit Trump.
Në një deklaratë të kreut të “Fox News”, Jay Wallace, thuhej se “akredidimet e lëshuara nga Shërbimi Sekret për gazetarët që punojnë në Shtëpinë në Bardhë nuk duhet të shndërrohen në mjet lufte. Megjithëse nuk mbështesim tonin antagonist gjithnjë e në rritje, si të Presidentit ashtu edhe të gazetarëve gjatë konferencave të fundit për shtyp, ne mbështesim lirinë e shtypit, qasjen e lirë dhe shkëmbimet e hapura për popullin amerikan”.
Në mbështetje dolën disa organizata mediatike, si “The Associated Press”, “Bloomberg”, “CBS News”, “NBC News”, “The New Yorks Times”, “USA Today”, të cilët i paraqitën gjykatës argumenta me shkrim në mbështetje të padisë së CNN-it kundër Shtëpisë së Bardhë.
Komentet