Përkrahësit e ish-presidentit Donald Trump që ndërmorën sulmin vdekjeprurës në Kapitol më 6 janar kanë lënë të kuptohet se duan të “hedhin në erë” selinë e Kongresit dhe të vrasin anëtarë të tij, tha të enjten shefja e policisë së Kapitolit.
Kërcënimet sugjerojnë që ekstremistët mund ta vënë në shënjestër ndërtesën gjatë një fjalimi të Presidentit Joe Biden, u tha ligjvënësve shefja në detyrë e policisë Yogananda Pittman e cila shprehu nevojën e mbajtjes në fuqi të masave të sigurisë së lartë përreth ndërtesës.
“Anëtarët e grupeve të milicive që ishin të pranishëm më 6 janar janë shprehur se duan të hedhin në erë Kapitolin dhe të vrasin sa më shumë anëtarë të Kongresit jetë e mundur duke bërë një lidhje të drejtpërdrejtë me Fjalimin për Gjendjen e Vendit”, u tha shefja e policisë Pittman anëtarëve të një Komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Ne mendojmë se do të ishte e kujdesshme që Policia e Kapitolit të mbajë në fuqi masat e forta të sigurisë derisa të zgjidhim ato dobësi,” tha ajo.
Data për mbajtjen e fjalimit për gjendjen e vendit nga ana e Presidentit Biden para Kongresit nuk është njoftuar ende, që zakonisht është në fillim të vitit.
Pas sulmit vdekjeprurës të 6 janarit ndaj Kapitolit në Uashington, u vendosën masa të pashembullta sigurie, përfshirë gardhe me tela me gjemba dhe postblloqe me forca të Gardës Kombëtare.
Rreth 5,000 trupa pritet të vazhdojnë të qëndrojnë deri në mes të marsit.
Përkrahësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin në një përpjekje për të mos lejuar Kongresin të çertifikonte fitoren e demokratit Biden ndaj presidentit republikan, i cili këmbëngulte në mënyrë të pasaktë se kishte pasur mashtrime të përhapura në zgjedhjet e nëntorit.
Sulmi vonoi për disa orë çertifikimin e fitores së zotit Biden, pasi ligjvënësit u detyruan të fshiheshin nga turma. Pesë persona vdiqën nga dhunë, përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit.
Më shumë se 200 vetë janë akuzuar deri tani për rolet e tyre në sulm, përfshirë disa që kishin lidhje me grupe të ekstremit të djathtë si “Oath Keepers” dhe “Proud Boys”. VOA
Komentet