Shefi i financave i Organizatës Trump, Allen Weisselberg, u dorëzua tek autoritetet të enjten herët në mëngjes përpara se t’i bëhen të ditura akuzat e ngritura ndaj tij dhe organizatës së ish-Presidentit Donald Trump. Lajmi u njoftua nga disa burime mediatike.
Zoti Weisselberg u pa në gjykatën e Manhatanit të poshtëm, në Nju Jork, rreth orës 6:20 të mëngjesit të sotëm, sëbashku me avokatin e tij.
Prokurorët e Nju Jorkut pritet ta njoftojnë padinë e parë penale sot (të enjten). Ajo është pjesë e një hetimi dy-vjeçar mbi praktikat e biznesit të zotit Trump. Akuzat ndaj kompanisë që mban emrin e tij dhe ndaj shefit të financave Weisselberg janë për evazion fiskal.
Nuk ka informacione se ndaj vetë zoti Trump do të ngrihen akuza në këtë fazë të hetimit, që po zhvillohet bashkërisht nga Prokurori i Qarkut të Manhatanit Cyrus Vance Jr. dhe Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James, të dy përfaqësues të demokratëve.
Ndërsa vizitonte Teksasin të mërkurën zoti Trump nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi çështjen, por në fillim të javës, ai kritikoi prokurorët e Nju Jorkut duke i quajtur ata “të vrazhdë, të këqinj e plotësisht të njëanshëm” duke shtuar se veprimet e kompanisë së tij ishin “një praktikë standarde në të gjithë komunitetin e biznesit në Shtetet e Bashkuara dhe se nuk bëhej fjalë për asnjë shkelje të ligjit”.
Persona në dijeni të çështjes i thanë agjencisë së lajmeve “Associated Press” se akuzat kanë të bëjnë me përfitimet që kompania u ka dhënë drejtuesve të lartë, sikurse përdorimin e apartamenteve, makinave dhe pagesave për shkollim.
AP ka kërkuar komente rreth rastit tek një zëdhënës dhe avokatët e Organizatës Trump. Avokatja e zotit Weisselberg, Mary Mulligan, nuk pranoi të komentojë po kështu edhe zyra e avokatit të rrethit të Manhatanit.
Zoti Vance, i cili largohet nga detyra në fund të këtij viti, ka kryer një hetim të gjerë për një sërë çështjesh që përfshijnë zotin Trump dhe organizatën e tij.
Zyra e prokurorit ka shqyrtuar pagesat e bëra ndaj dy grave në emër të zotit Trump për të garantuar heshtjen e tyre si dhe ka verifikuar mes çështjeve të tjera edhe vërtetësinë mbi vlerësimin që u është bërë pronave të kompanisë e për rrjedhojë taksave që duhen paguar.
Zoti Vance zhvilloi një betejë të gjatë për të siguruar të dhënat mbi taksat e zotit Trump dhe ka kërkuar zyrtarisht dorëzimin e dokumenteve dhe intervistimin e drejtuesve e personave të tjerë të brendshëm të Organizatës Trump.
Zonja James caktoi dy avokatë nga zyra e saj për të punuar me ekipin e zotit Vance pasi zyra e saj gjeti prova për shkelje të mundshme penale ndërsa zhvillonte një hetim të veçantë civil ndaj zotit Trump.
Zoti Weisselberg, 73 vjeç, ndodhej ndërkohë nën hetime, pjesërisht, për shkak të pikëpyetjeve në lidhje me përdorimin nga ana e djalit të tij të një apartamenti të zotit Trump për të cilit paguante fare pak ose aspak.
Djali, Barry Weisselberg, i cili administronte një pistë patinazhi nën pronësi të zotit Trump, në një nga zonat e njohura të Nju Jorkut në Central Park, gjatë një dëshmie për divorc në 2018, shprehej se apartamenti i zotit Trump ishte “i korporatës dhe për këtë arsye nuk paguante qira”.
Ish-bashkëshortja e tij, Jen Weisselberg, ka bashkëpunuar me të dy hetimet dhe u ka dhënë hetuesve të dhëna mbi taksat e dokumente të tjera.
Çështja kundër Allen Weisselberg-ut, një besnik i zotit Trump dhe babait të tij Fred Trump, një biznesmen i njohur në fushën e pasurive të patundshme, mund t’u japë prokurorëve mjetet për të ushtruar presion ndaj tij që ta detyrojnë të bashkëpunojëpër të treguar ato çka di mbi marrëdhëniet e biznesit të zotit Trump.
Përmes Organizatës Trump ish-presidenti administron veprimtaritë e tij të shumta sipërmarrëse, përfshirë investimet e tij në zyra, hotele dhe qendra golfi, apo marrëveshjet e tij të shumta në fushën e marketingut dhe angazhimet televizive të tij. Djemtë e zotit Trump, Donald Jr dhe Eric Trump, kanë qenë në krye të operacioneve të përditshme të kompanisë që kur ai u bë president.
Megjithëse nuk pritet që të enjten të ngrihen akuza ndaj zotit Trump, akuzat ndaj kompanisë që mban emrin e tij ngrenë pikëpyetje lidhur me atë se çka ai di, apo për përfshirjen në praktika që prokurorët dyshojnë se janë të paligjshme.
James Repetti, një avokat mbi taksat dhe profesor në Shkollën e Drejtësisë të Kolegjit të Bostonit, thotë se një kompani si Organizata Trump në përgjithësi ka një përgjegjësi që të mbajë detyrimet mbi taksat jo vetëm mbi pagën, por edhe për format e tjera të kompensimit, sikurse përdorimi i një apartamenti ose makinave.
Përfitime të tilla nuk do të konsideroheshin të ardhura të tatueshme nëse ato do të kërkoheshin si kusht për punësimin e një personi, thotë zoti Repetti, sikurse sigurimi i një apartamenti për t’i krijuar lehtësi një punonjësi, i cili kërkohet të jetë në zyrë ose në vendin e punës në orë të pazakonta ose të shpeshta, ose lejimi i përdorimit të një makine për qëllime biznesi.
Një tjetër figurë e njohur në fushën e pasurive të patundshme në Nju Jork, e ndjera Leona Helmsley, u dënua për evazion fiskal në një çështje federale që lindi kur kompania e saj pagoi për riparime në shtëpinë e saj, por pa e raportuar atë si të ardhur.
Rasti i Organizatës Trump përfshin shkelje të mundshme të ligjeve mbi taksat në shtetin e Nju Jork-ut.
“Agjencia përgjegjëse për mbledhjen e taksave (IRS) në mënyrë rutinore kërkon të identifikojë rastet e abuzimit lidhur me përfitimet e bizneseve”, thotë zoti Repetti. “Tundimi nga ana e biznesit është që të kërkojë një zbritje të taksave lidhur me shpenzimet, ndërsa përfituesi nuk i raporton ato si të ardhura”.
Komentet