Zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara thonë se hetimet për të shtënat më 2 dhjetor në një agjenci të shërbimeve sociale në Kaliforni, me ç’rast u vranë 14 vetë dhe u plagosën 21 të tjerë, po zhvillohen si për një akt të terrorizmit.
Zyrtarët thanë se gruaja, e cila së bashku me bashkëshortin e saj, është e dyshuar për involvim në masakër, kishte deklaruar lojalitet ndaj grupit militant, Shteti Islamik, në postimet në mediat sociale.
Policia e ka identifikuar gruan si Tashfeen Malik dhe burrin e saj me emrin, Sayed Farook.
E përditshmja Los Angeles Times ka raportuar mbrëmë se bashkëshorti Farook, po ashtu, kishte kontakt me së paku dy grupe militante, përfshirë Frontin Nusra, që është i ndërlidhur me al-Kaidën dhe grupin Shabab në Somali.
Drejtori i agjencisë FBI, James Comey, u tha mbrëmë reporterëve në Uashington se rasti është shndërruar në hetim federal të terrorizmit.
“Arsyeja për këtë është se hetimet e deritashme i kanë zhvilluar indikacionet për radikalizimin e vrasësve dhe inspirimin potencial nga organizatat e jashtme terroriste”, tha James Comey.
Komentet