Protestat vazhduan të shtunën për ditën e pestë radhazi në disa pjesë të SHBA-së në shenjë pakënaqësie për vdekjen e George Floyd, afro-amerikanit të paarmatosur që vdiq pasi u arrestua nga një ish-polic i bardhë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kryeqytetin e vendit, Washington, vendi i tubimit ishte Lafayette Park, afër Shtëpisë së Bardhë, ku mijëra njerëz, përfshirë të bardhë dhe muslimanë, u mblodhën të shtunën vonë.
Protestuesit brohorisnin “Nuk mund të marr frymë”, “Jeta e të zinjëve është e rëndësishme” dhe “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe!”, midis tjerash, për natën e dytë me radhë. Gjashtë veta u arrestuan gjatë protestave të premten në mbrëmje, sipas Shërbimit Sekret të SHBA-së.
Protestat vazhduan të shtunën për ditën e pestë radhazi në disa pjesë të SHBA-së në shenjë pakënaqësie për vdekjen e George Floyd, afro-amerikanit të paarmatosur që vdiq pasi u arrestua nga një ish-polic i bardhë. Në kryeqytetin e vendit, Washington, vendi i tubimit ishte Lafayette Park, afër Shtëpisë së Bardhë, ku mijëra njerëz, përfshirë të bardhë dhe muslimanë, u mblodhën të shtunën vonë. ( Yasin Öztürk – Anadolu Agency )
Demonstruesit hoqën barrikadat e sigurisë, hodhën shishe me ujë në drejtim të policisë dhe brohorisnin parulla kundër presidentit Donald Trump.
Garda Kombëtare i doli në ndihmë Policisë në Park dhe Shërbimit Sekret, pasi më shumë protestues u mblodhën në vendin e ngjarjes. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Protestat e para shpërthyen pasi Floyd, 46 vjeç, vdiq pasi oficeri tashmë i shkarkuar dhe i arrestuar Derek Chauvin i vuri gjurin në qafë gjatë arrestimit fatal në Minneapolis të Minesotas të hënën.
Chauvin, 44 vjeç, u arrestua të premten dhe u akuzua për vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje të shkallës së dytë, por kjo nuk e shuajti zemërimin në lidhje me brutalitetin dhe dhunën e policisë.
Tre oficerë të tjerë policorë, të përfshirë në vdekjen e Floidit, fjalët e fundit të të cilit ishin “Nuk mund të marr frymë”, u pushuan së bashku me Chauvin por nuk janë akuzuar.
Kërkesa për drejtësi
Protestuesit po kërkojnë arrestimin e tre oficerëve të tjerë dhe drejtësi për Floyd si dhe dhënien fund brutalitetit policor kundër afro-amerikanëve.
Protestat e së shtunës u përhapën në California, New York, Texas, Massachusetts, Kentucky, Georgia, Illinois, Michigan, dhe Washington, ndër të tjera.
Ushtarët e Gardës Kombëtare janë aktivizuar në disa shtete.
Pas protestave në Texas, guvernatori Gregg Abbott aktivizoi Gardën Kombëtare, duke thënë në një deklaratë se “dhuna dhe plaçkitja nuk do të tolerohen”.
Në më shumë se 30 qytete, përfshirë Los Angeles, Chicago, Atlanta dhe Seattle, autoritetet vendosën orë policore me shpresën për të shuar protestat e dhunshme.
Në New York City, protestuesit marshuan në Harlem dhe bllokuan trafikun në autostradën përgjatë Lumit Lindor në Manhattan, sipas raporteve të shumta.
Departamenti i Policisë në New York raportoi se ka rrestuar mbi 200 veta pas protestave të së premtes në mbrëmje.
Në Nashville, policia vendosi orë policore të shtunën pasi protestat u shndërruan në incidente të dhunshme dhe u dogj bashkia, sipas një uebfaqeje të lajmeve nga Tennessee.
Protestuesit paqësorë
Përveç atyre që u kthyen në të dhunshme, pati protesta paqësore. Në Minneapolis, një grup demonstruesish pastruan rrugët e shkatërruara nga përleshjet midis policisë dhe protestuesve.
Më parë gjatë ditës, guvernatori Tim Walz tha se protestat e dhunshme nuk kanë “më” të bëjnë me Floyd dhe mobilizuan plotësisht Gardën Kombëtare të shtetit.
Vendimi i tij erdhi një ditë pasi protestuesit injoruan orën policore të detyrueshme në Minneapolis dhe St. Paul, ku demonstruesit u përleshën me policinë dhe dogjën pronat private.
Kryetarët e këtyre dy qyteteve u thanë gazetarëve se shumica e protestuesve të dhunshëm nuk ishin banorë të Minneapolis dhe St. Paul.
“Ne kemi parë që institucionet e komunitetit janë vënë në flakë. Dhe unë dua të jem shumë, shumë i qartë. Njerëzit që po e bëjnë këtë nuk janë banorë të Minneapolis”, tha kryebashkiaku Jacob Frey në një konferencë për shtyp të shtunën.
Trump tha se përkujtimi për Floyd-in po njolloset nga trazirat, plaçkitësit dhe anarkistët.
Duke folur në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida, ai tha: “Ajo që ne po shohim tani në rrugët e qyteteve tona nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë apo paqen”.
Që nga e enjtja, disa dyqane në Minneapolis dhe Dallas u grabitën dhe u raportuan zjarrvënie.
Vdekja e Floyd ka paralele të forta me atë të Eric Garner, i cili vdiq gjatë një arrestimi fatal të vitit 2014 në New York, duke përgjëruar vazhdimisht oficerët: “Nuk mund të marr frymë”.
Fraza u bë një moto e marshimit për protestuesit kundër vrasjeve të burrave dhe grave të paarmatosur nga policia.
Komentet