VOAL

VOAL

SHBA: Udhëheqës të lartë ushtarakë vetizolohen pas ekspozimit ndaj koronavirusit

October 7, 2020

Komentet

Ngjarjet e Kapitol trembin SHBA-të, Shtëpia e Bardhë rrethohet me gardh metalik 2.5 m të lartë, masa edhe në Kongres e te rezidenca e Harris

Një ditë para zgjedhjes së presidentit të 47-të, autoritetet amerikane kanë marrë masa të rrepta sigurie përreth Shtëpisë së Bardhë dhe ndërtesave të tjera qeveritare në Uashington D.C. Mediat amerikane raportojnë se kryeqyteti po përgatitet për trazira të mundshme gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale.

Shërbimi sekret vendosi gardhe metalike me lartësi 2.5 m rreth Shtëpisë së Bardhë, Kapitolit, Departamentit të Thesarit dhe rezidencës së zv/presidentes Kamala Harris.

“Shërbimi Sekret po punon ngushtë me partnerët federalë, shtetërorë dhe lokalë në Uashington DC dhe Palm Beach County, Florida, për të siguruar nivele të larta të sigurisë ditën e zgjedhjeve”, tha Shërbimi Sekret në një deklaratë për Uashington Post. “Këto masa nuk janë përgjigje ndaj ndonjë çështje specifike, por janë pjesë e përgatitjeve të gjëra të sigurisë publike për zgjedhjet e të martës, 5 nëntor 2024”.

Gjithashtu, Shërbimi Sekret po instalon gardhe metalike jashtë një qendre mbledhjesh në ëest Palm Beach, Florida, ku ish-presidenti Donald Trump do të zhvillojë një festë natën e zgjedhjeve, jo shumë larg rezidencës së tij në Mar-a-Lago.

Videot e shpërndara në rrjet tregojnë se disa biznese në Uashington kanë ndërprerë punën pa mbërritur dita e zgjedhjeve.

Këto masa të rrepta vijnë 4 vjet pasi ish-presidenti Donald Trump refuzoi të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, duke bërë që një turmë mbështetëse e tij të sulmonte Kapitolin, një përpjekje kjo e dhunshme për të certifikuar fitoren e presidentit Joe Biden.

Megjithatë, autoritetet amerikane mohojnë të kenë identifikuar ndonjë kërcënim real dhe nuk ka nevojë për asnjë alarm. Por paralajmërimi që vjen Departamenti i Policisë Metropolitane është konkret: “Ne nuk do të tolerojmë asnjë trazirë. Ne nuk do të tolerojmë shkatërrimin e pronës. Ne nuk do të tolerojmë asnjë sjellje të paligjshme. Shkelësit do të arrestohen dhe do të mbajnë përgjegjësi”.

Të martën e 5 nëntorit amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Presidentin e ri, mes Donald Trump të republikanëve dhe Kamala Harris të demokratëve.

Në kutitë e votimit deri sot, 4 nëntor 2024, janë hedhur 77 mln vota të hershme. Akti final mes dy kandidatëve do të “luhet” nesër. bw

Trashëgimia etnokulturore e Musine Kokalarit do të ekspozohet në shtëpinë e gjyshërve të saj

VOA/Raimond Kola

Objektet personale të disidentes antikomuniste Musine Kokalari do të ekspozohen në shtëpinë e gjyshërve të saj në Gjirokastër, e cila është kthyer këtë vit në memorialin “Muza ime” , nga një prej pasardhësve të fisit Kokalari, Arjeta Kokalari.

“Janë 5 valixhe të mëdha me objekte personale të Musinesë, koleksione artikujsh dhe fotografi, dorëshkrime , materiale etnografike, etj”, i tha Zërit të Amerikës Arjeta Kokalari, që krijoi qendrën “Muza ime”.

Dy të afërm Bibika dhe Palton Kokalari i morën objektet 41 vjet më parë nga vetë Musineja, që vuante në Burrel internimin nga regjimi komunist me porosinë e saj për t`ia dorëzuar muzeut etnografik të Gjirokastrës.

Dy vjet më parë Bibika Kokalari i dhuroi Arkivit të Shtetit 3112 dorëshkrimet e Musine Kokalarit, ndërsa objektet etnokulturore të Musinesë ia dorëzoi Bashkisë së Gjirokastrës me kushtin e vetëm që ato të mos ekspozoheshin në Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë e diktatorit komunist Enver Hoxha.

“Në atë shtëpi nuk i çoj pasi ai ishte xhelati që i mori tërë rininë dhe tërë jetën Musinesë”, deklaroi atëherë Bibika Kokalari.

Në bashkëpunim me bashkinë e Gjirokastrës, Bibika Kokalari i tërhoqi së fundi objektet për t`ia dorëzuar memorialit “Muza ime” në mungesë të ekspozimit, pasi shtëpia ku Musine Kokalari kaloi fëmijërinë në Gjirokastër u dogj disa vite më parë dhe nuk është restauruaar më pas, megjithë premtimet e autoriteteve shqiptare të kulturës.

Musine Kokalari është shkrimtarja e shquar disidente shqiptare që vuajti në 40 vite burgjet dhe internimet e regjimit komunist në Shqipëri.

Donald J. Trump: Një rrugëtim i pazakontë drejt presidencës

VOA/Tina Trinh

Në pak më shumë se nëntë vite, ish-presidenti dhe ndoshta presidenti i ardhshëm Donald Trump ka reformuar Partinë Republikane në një vend gjithnjë e më të ndarë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, i hedh një vështrim përpjekjeve të ish-Presidentit Trump për një rikthim politik historik.

“Tani mund të themi se ish-Nënpresidenti Joe Biden është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara…”, njoftohej në mediat amerikane.

Ky duhej të ishte fundi.

Por kur fundi erdhi, Donald J. Trump, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, nuk ishte i gatshëm ta pranonte humbjen.

“Nëse numëroni votat e ligjshme, unë fitoj lehtësisht. Nëse numërohen votat e paligjshme, ata mund të përpiqen të na i vjedhin zgjedhjet”, tha atëherë ish-Presidenti Trump.

Ai u bëri thirrje mbështetësve që ta pengonin Kongresin të certifikonte rezultatet më 6 janar 2021.

“Do luftojmë me gjithçka. Dhe nëse nuk luftoni me gjithçka, nuk do ta keni më vendin tuaj”, tha ish-Presidenti Trump.

Ajo që rezultoi ishte një skenë e paimagjinueshme më parë në Amerikë, që çoi në ngritjen për herë të dytë të akuzave në Kongres për shkarkimin e tij. Mospranimi i humbjes nga zoti Trump, ishte në përputhje me refuzimin e tij të vazhdueshëm ndaj të zakonshmes.

“Mendoj se ajo që shihni është dikush që ka besim të jashtëzakonshëm në intuitën e tij”, thotë Russ Buettner, nga gazeta “The New York Times”.

Russ Buettner dhe Susanne Craig janë gazetarë investigativë në gazetën ‘The New York Times’ dhe bashkëautorë të librit “Lucky Loser”, një vështrim jo i këndshëm i rrethanave se si zoti Trump e shndërroi veten në një miliarder që mbështetet në forcat e tij.

“Që nga fillimi i viteve ‘80, ai nuk u ka besuar vërtet njerëzve që kanë ekspertizë të fushës në pothuajse çdo gjë. Ai gjithmonë kërkon ta rrëzojë mendimin e tyre dhe t’i bëjë gjërat siç i dëshiron ai që të dalin”, thotë gazetari Buettner.

Ndërtesat e zotit Trump mbartnin emrin e tij me gërma të mëdha të arta, një shfaqje e guximshme e ambicieve të tij.

“Kur po jepte një intervistë për gazetën ‘The New York Times’, kishte një pasuri prej 200 milionë dollarësh. Kjo ishte rritur në një miliard kur ai po fliste një dekadë më vonë për emisionin ‘60 Minuta’,” tregon gazetarja Susanne Craig, nga “The New York Times”.

Zoti Trump shkëlqente në tërheqjen e vëmendjes dhe kultivimin e një imazhi për veten e tij si mundësues i marrëveshjeve. Ai fitoi miliona dollarë vetëm nëpërmjet licencave për përdorimin e emrit të tij.

Por pas suksesit qëndronin telashet. Kompanitë e tij shpallën falimentimin gjashtë herë. Kazinotë e tij humbën të ardhura dhe u mbyllën. Zoti Trump u rimëkëmb me spektaklin e tij televiziv, “The Apprentice”, që mundësoi edhe rolin e tij më të madh deri më tani.

“Zonja dhe zotërinj, unë po kandidoj zyrtarisht për president të Shteteve të Bashkuara dhe ne do ta bëjmë vendin tonë sërish madhështor”, deklaroi ai në qershor të vitit 2015.

I vendosur dhe pa doreza, zoti Trump ishte një kandidat polarizues dhe nacionalist.

“Kur Meksika dërgon njerëzit e saj, ata nuk dërgojnë më të mirët e tyre… Ata po sjellin drogën, po sjellin krimin, ata janë përdhunues dhe disa, supozoj, janë njerëz të mirë”, tha zoti Trump.

Si president, ai emëroi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë që ndihmuan në rrëzimin e të drejtave federale për abortin.

“Numri i vdekjeve në SHBA është tani mbi 150,000”, njoftonin mediat gjatë pandemisë.

Në fillim të vitit 2020, pandemia COVID-19 sprovoi ish-Presidentin Trump. Ai përshpejtoi prodhimin e vaksinave për të shpëtuar jetë njerëzish. Por ai gjithashtu u duk se sugjeroi që shkencëtarët të studionin injektimin e klorinës për të vrarë virusin.

Me mbi 9 milionë amerikanë të infektuar dhe me numrin e vdekjeve që i kaloi 230 mijë, votuesit atë nëntor zgjodhën Joe Bidenin si presidentin e tyre të ardhshëm.

Pas lënies së detyrës, ish-Presidenti Trump u përball me padi të shumta penale dhe është ish-presidenti i parë që është gjendur fajtor për një vepër penale.

E megjithatë, ai kurrë nuk ka qenë më popullor se tani.

Duke i mbijetuar dy atentateve këtë vit,… ai vetëm e ka forcuar lidhjen me mbështetësit e tij.

“Zoti ka një plan për Trump-in. Dhe ai absolutisht u kursye për disa qëllime dhe arsye. Dhe shpresojmë se do të bëhet presidenti i 47-të”, thotë mbështetësja Pam Smith, nga Pensilvania.

Politika amerikane nuk ka qenë më e njëjta që kur Donald Trump-i u bë pjesë e saj.

Dhe njeriu që dikur ishte bashkautor i librit “Arti i Rikthimit”, tashmë mund të jetë duke realizuar një nga rikthimet më të mëdha në historinë amerikane.

SHBA kritikon Serbinë për synimin që t’i gjykojë krimet në Kosovë

Departamenti amerikan i Shtetit tha se pajtohet me Bashkimin Evropian se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

“Ne përsërisim mbështetjen e Qeverisë amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Uashingtoni tha se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ka zhvilluar zgjidhje praktike që promovojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

“Kjo duhet të zbatohet. Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë, pa vonesa, zotimet që kanë bërë në Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të raporteve, përfshirë themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Një ditë më herët, BE-ja kritikoi Serbinë për ligjin e miratuar më herët gjatë javës nga Serbia, që synon ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Ligji që Qeveria e Serbisë ia propozoi Kuvendit serb për miratim më 28 tetor, parasheh gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.

Ky ligj u tha se do të zbatohet edhe për procedurat penale të nisura para miratimit të tij.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se ligjet janë reagim, ndaj, siç u shpreh ai, “shtypjes së popullit serb nga regjimi në Prishtinë dhe mungesës së veprimeve të dukshme nga misioni i BE-së, EULEX”.

Ai tha po ashtu se “nëse do të kishte sundim të ligjit në Kosovë dhe nëse serbët do të kishin ndonjë siguri juridike”, atëherë ligji i propozuar nga Qeveria në Beograd nuk do të ishte i nevojshëm”.

Edhe Kosova e ka kritikuar këtë legjislacion të Serbisë dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka akuzuar Beogradin për shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial me këto projektligje.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 dhe janë pajtuar për zbatimin e saj dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa – si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe – në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.

Kjo e shtyri Beogradin zyrtar të njoftojë në shtator se do të krijojë prokurorinë speciale për territorin e Kosovës, si një masë për mbrojtjen e “interesave jetike kombëtare të popullit serb” në Kosovë.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paraqitur më herët gjatë javës disa masa për Kosovën, duke thënë se prokuroria speciale dhe dhomat gjyqësore të veçanta do të “ndjekin të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullsisë serbe” në Kosovë./ REL.

Harris vs Trump, kush do t’i fitojë zgjedhjet- Ja ç’thonë sondazhet 5 ditë para zgjedhjeve

Zgjedhjet e vitit 2024 mes Donald Trump dhe Kamala Harris duken më afër se kurrë ndërsa gara hyn në javën e saj të fundit. Anketuesit dhe parashikuesit thonë se Trump ka një avantazh të vogël ndaj kandidates demokrate.

Shifrat mesatare kombëtare të Trump janë përmirësuar paksa ndaj Harris që nga java e kaluar, megjithëse shumica e sondazheve tregojnë zëvendëspresidenten të ketë një avantazh. Beteja midis Harris dhe Trump në 7 shtetet kyçe, që mund të vendosin përfundimisht zgjedhjet mbetet një lëkundje, me kandidatët ose praktikisht të barabartë ose vetëm pak përpara në sondazhe të ndryshme.

Sondazhi Nate Silver, i cili themeloi FiveThirtyEight dhe tani përdor një model të ngjashëm parashikimi për blogun e tij Silver Bulletin, shkroi kohët e fundit në The New York Times se etiketimi i garës si një goditje 50-50 është “i vetmi parashikim serioz”.

Rruga më e qartë e Harrisit drejt fitores në nëntor do të varet nga fitimi i tre shteteve të fushëbetejës: Pensilvanisë, Miçiganit dhe Wisconsin-it, duke përjashtuar çdo rezultat tronditës diku tjetër. Rruga më efikase e Trump për 270 vota të Kolegjit Elektoral do të përfshinte fitoren e Pensilvanisë, Xhorxhias dhe Karolinës së Veriut.

Mbledhja e sondazheve tregon se Trump ka një shans 54 për qind për të fituar garën këtë nëntor, por thekson se ajo mbetet në thelb një lëkundje.

Capture
Capture

Modeli i Silver i jep Harris një epërsi mesatare kombëtare në sondazh ndaj Trump prej 1.1 pikësh (48.6 përqind në 47.5 përqind). Shifrat e Trump janë përmirësuar me 0.5 pikë krahasuar me javën e kaluar.

Më 26 tetor, RealClearPolitics raportoi se Trump kishte tejkaluar Harris në mesataren e tij kombëtare për herë të parë që kur zëvendëspresidentja u bë kandidati i Partisë Demokratike për vitin 2024. Aktualisht, Trump është përpara Harris me 0.4 pikë, 48.4 për qind ndaj 48 për qind të Harris.

Harris ruan një epërsi kombëtare prej 0.6 pikësh ndaj Trump (48.3 për qind në 47.7 për qind), sipas grumbullimit të sondazheve të Decision Desk HQ/The Hill. Kjo është më pak nga epërsia me 1 pikë që zv/presidentja mbajti javën e kaluar.

Sipas FiveThirtyEight, Harris dhe Trump janë tepër të afërt në katër nga shtatë shtetet e fushëbetejës. Në Nevada, Harris kryeson me 0.1 pikë (47.6 me 47.5), në Wisconsin kryeson me 0.3 pikë (48.0 me 47.7), dhe në Miçigan kryeson me 0.7 pikë (48 me 47.2). Trump është përpara me 0.4 pikë në Pensilvani (48 me 47.6).

Trump gëzon epërsi më të mëdha në Karolinën e Veriut (plus 1.1 pikë), Xhorxhia (1.8 pikë) dhe Arizona (2.2 pikë).

Silver Bulletin tregon se Harris është përpara në Nevada (0.1 pikë), Michigan (0.9 pikë) dhe Wisconsin (0.3 pikë). Trump kryeson Harris në Pensilvani (0.4 pikë), Karolinën e Veriut (1.1 pikë), Xhorxhia (1.9 pikë) dhe Arizona (2.3 pikë).

RealClearPolitics e tregon Trumpin përpara Harris në të gjitha shtetet me përjashtim të Miçiganit, ku Harris kryeson me 0.5 pikë.

Ish-presidenti kryeson në Arizona (plus 2.5 pikë), Xhorxhia (2.4 pikë), Nevada (0.5 pikë), Karolina e Veriut (1 pikë), Pensilvania (0.5 pikë) dhe Wisconsin (0.6 pikë).

Download

bw

SHBA sanksionon firmat serbe dhe malazeze për shkak të mbështetjes të luftës së Rusisë

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj kompanisë serbe, Ventrade, dhe ndaj International Business Corporation Bar (IBC), me bazë në Mal të Zi, për shkak të eksportimit të mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi, të cilat mund të përdoren në industrinë e mbrojtjes.

Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha përmes një deklarate se Ventrade i ka shitur Rusisë radio të kategorisë ushtarake, ndërkaq IBC ka transferuar pajisje të përpunimit dhe kushineta të topave te kompanitë ruse, përfshirë te një kompani që është nën sanksione amerikane.

Sipas të dhënave të tregtisë të kompanisë Ventrade, kompani e themeluar në prill të vitit 2022, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, kjo firmë eksportoi radio në Rusi në vlerë prej 570.000 dollarësh. Këto eksporte ishin bërë në periudhën shtator 2022 deri në qershor 2023 përmes Gjermanisë, Malajzisë, Austrisë, Kinës dhe Meksikës.

Që nga viti 2021, IBC është në pronësi të shtetasit rus me bazë në Mal të Zi, Sergei Kokorev, dhe kjo kompani ka rritur fitimet më 2023 me rreth 1 milion dollarë.

Pesë firma të tjera serbe – MCI Trading, Kominvex, Goodforwarding, Soha Info dhe TR Industries – po ashtu veçse janë nën sanksione nga OFAC për shkak të bashkëpunimit me Rusinë.

Mali i Zi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërkaq Serbia, pavarësisht se është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk i është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë. REL

Ankth dhe zhgënjim mes amerikanëve lidhur me zgjedhjet presidenciale

VOA/Marrë nga Associated Press

Shumica e amerikanëve po ndjejnë shumë emocione në prag të zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, por entuziazmi nuk është një prej tyre. Një sondazh i ri nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra NORC për Kërkimin e Çështjeve Publike (AP-NPRC) arrin në përfundimin se rreth 7 ndër 10 amerikanë thonë se ndjejnë ankth ose nervozizëm lidhur me fushatën presidenciale të vitit 2024, dhe një numër i ngjashëm thonë se janë të interesuar për to.

Vetëm rreth një e treta thonë se ndjehen entuziastë.

Java e fundit a fushatës për garën presidenciale të vitit 2024 po shoqërohet në përgjithësi me një ndjesi të gjerë pasigurie. Gara është e ngushtë në nivel kombëtar dhe në shtetet kyçe, që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, sipas sondazheve të fundit, as demokratja Kamala Harris dhe as republikani Donald Trump, nuk kanë një avantazh të qartë.

Ndërkohë, kandidatët kanë ofruar argumente përmbyllëse që janë në kontrast të plotë me njëri-tjetrin. Demokratja Harris argumenton se zoti Trump është i përqendruar tek hakmarrja dhe interesat personale, ndërsa republikani Trump iu referua zonjës Harris në një tubim të dielën në mbrëmje si “një e paaftë që ka shkatërruar gjithçka”.

Disa grupe votuesish janë edhe më të shqetësuar se sa ishin katër vjet më parë, edhe pse ato zgjedhje u zhvilluan në mes të një pandemie vdekjeprurëse.

Në vitin 2020, një sondazh i AP-NORC arriti në përfundimin se rreth dy të tretat e amerikanëve ishin të shqetësuar për zgjedhjet. Por për ata që mbështesin njërën palë ose tjetrën, ankthi është pak më i lartë. Rreth 8 ndër 10 demokratë thonë se ndjejnë ankth në këtë cikël, një numër pak më i lartë se rreth tre të katërtat në zgjedhjet e fundit. Rreth dy të tretat e republikanëve janë të shqetësuar, një rritje e moderuar nga rreth 6 ndër 10 në vitin 2020.

Ndërsa tek të pavarurit kjo ndjesi nuk ka ndryshuar në mënyrë domethënëse dhe ata ndihen më pak të shqetësuar se demokratët, apo republikanët. Rreth gjysma thonë se ndjejnë ankth, një nivel i ngjashëm me vitin 2020.

Emocionet e tjera janë intensifikuar në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore, përfshirë nivelin e entuziazmit. Rreth një e treta e amerikanëve thonë se ndjehen entuziastë për fushatën e vitit 2024, nga rreth një e katërta në vitin 2016. Por shumica e amerikanëve thonë se nuk janë entuziastë për garën e këtij viti.

Megjithatë, një faktor ka mbetur konstant: niveli i zhgënjimit të amerikanëve me fushatën. Afërsisht 7 ndër 10 amerikanë e përshkruajnë gjendjen e tyre emocionale si të zhgënjyer, një nivel i ngjashëm me vitin 2020. Megjithatë për ata amerikanë, ka një dritë në fund të tunelit: pas disa ditësh, zgjedhjet do të përfundojnë.

Burg i përjeshtëm për sulmuesin e bashkëshortit të Nancy Pelosit

VOA/Marrë nga Associated Press

Personi i dënuar me 30 vjet në një burg federal për sulmin me çekiç ndaj bashkëshortit të ish kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u dënua të martën me burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht pas një gjyqi të veçantë shtetëror.

Në muajin qershor, një juri në San Françisko e shpalli fajtor të pandehurin David DePape nën akuza ku përfshihen edhe rrëmbimi me dhunë dhe sulmi ndaj një anëtari të familjes së një zyrtari federal.

Përpara shpalljes së dënimit të sulmuesit DePape me burgim të përjetshëm në akuzën për rrëmbim, gjykatësi Harry Dorfman hodhi poshtë argumentet e avokatëve mbrojtës për një gjykim të ri shtetëror për sulmin e vitit 2022 ndaj Paul Pelosit, i cili në atë kohë ishte 82 vjeç.

“Qëllimi im është që zoti DePape të mos dalë kurrë nga burgu, ai kurrë nuk mund të lirohet me kusht”, tha gjykatësi Dorfman ndërsa shpalli dënimin. “Unë nuk ndjej simpati për ju. Ndjej simpati për viktimën në këtë rast, i cili është me fat që është gjallë”, tha më pas gjykatësi.

Adam Lipson, një avokat mbrojtës publik i San Françiskos, i kishte kërkuar gjykatësit Dorfman që të merrte në konsideratë shëndetin mendor dhe izolimin e të pandehurit DePape, çka e kishte bërë klientin e tij të ndjeshëm ndaj propagandës në internet.

“Ky është një njeri që ka qenë gjithmonë një person paqësor, që i bindet ligjit deri në rastin në fjalë”, tha avokati Lipson përpara se të jepej dënimi.

Të pandehurit iu dha mundësia t’i drejtohej gjykatës përpara shpalljes së dënimit. I veshur me kostumin ngjyrë portokalli të burgut, ai foli gjatë për 11 shtatorin duke e cilësuar si vepër të organizuar nga brenda, ndërsa tha se ish gruan e tij e kishin zëvendësuar me një sozi dhe se avokatët mbrojtës, të siguruar nga shteti, po komplotonin kundër tij.

Në muajin maj, një gjykatëse federale e dënoi me 30 vjet burg 44-vjeçarin David DePape i cili në vitin 2022 hyri me forcë në shtëpinë e ish kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi dhe sulmoi me çekiç bashkëshortin e saj, Paul Pelosi.

Në një sulm të motivuar politikisht, David DePape hyri me force në shtëpinë e zonjës Pelosi në San Françisko më 28 tetor të viti 2022, një javë para zgjedhjeve të atij viti për Kongresin amerikan. Në kohën e sulmit, zonja Pelosi gjendej në Uashington.

I pandehuri e pranoi gjatë gjyqit se qëllimi i tij ishte të merrte peng zonjën Pelosi, e cila atëherë ishte Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, zyrtarja e dytë më e lartë në radhë për presidencën e Shteteve të Bashkuara.

44-vjeçari e goditi Paul Pelosin me çekiç në kokë përpara se policia të mbërrinte në vendngjarje dhe ta neutralizonte atë.

Paul Pelosi, 82 vjeç në atë kohë, pësoi frakturë në kafkë dhe lëndime të tjera që i kanë lënë pasoja, siç shprehej ai në një letër dërguar gjykatëses përpara vendimit të majit. Zoti Pelosi tha se vazhdon të ketë marrje mendsh, probleme me ekuilibrin dhe ka dëmtime të fijeve nervore në dorën e majtë.

Shtohet përfshirja e votuesve të rinj në procesin zgjedhor të 5 nëntorit

VOA/Laurel Bowman

Votuesit e rinj që marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale quhen ndryshe gjenerata Z. Mosha e tyre varion nga 18-27 vjeç. Nga marrja e njohurive mbi procesin zgjedhor, deri tek angazhimi për të dalë derë më derë për të kërkuar mbështetje për kandidatët presidencialë, shumë të rinj po përqafojnë procesin e votimit. Korrespodentja Zërit të Amerikës, Laurel Bowman sjell më shumë hollësi mbi rolin e tyre.

Studentë aktivistë në Kolegjin Montgomery në Rokvill të shtetit të Marilendit, organizuan një sesion për edukimin e votuesve për zgjedhjet e 5 nëntorit me pjesëmarrjen e zyrtarëve zgjedhorë.

Një lëvizje e tillë, është një përpjekje për t’i përgatitur të rinjtë që të votojnë në zgjedhjet presidenciale

“ Synimi sot ishte edukimi i votuesve dhe që njerëzit të shohin se si zhvillohet procesi në qendrat e votimit…”

Pjesëmarrësit si Akhyan Damang e vlerësuan nismën.

“Thjesht doja të shihja se si është të votosh herën e parë. Do të jetë hera e parë që votoj për zgjedhjet presidenciale dhe doja të shihja procedurën.”

Këta votues të rinj janë të shqetësuar për një sërë çështjesh.

“Më shqetëson çështja e borxhit. Nuk e kuptoj shumë mirë, por më duket se është borxhi i lartë dhe nuk e kuptoj pse”.

“Ndryshimet klimatike dhe aborti janë çështje me rëndësi”.

“Roli i Amerikës në botë është një çështje shumë e rëndësishme veçanërisht për votuesit e rinj.”

Shumica e studentëve nuk treguan se për kë do të votonin në garën mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris.

Por shteti i Merilendit, një bastion i demokratëve, pritet të votojë për Kamala Harrisin.

Zëri i Amerikës pyeti drejtuesen e republikantëve të rinj në shtetin e Xhorxhias, Jacquelyn Harn, se cilat çështje kanë rëndësi për bashkëmoshatarët e saj republikanë. Sipas saj, për shumë prej tyre, rëndësi ka ekonomia.

“Mes kostove për shtëpitë, rritjes së çmimeve për ushqime dhe karburantit është e papërballueshme të jetosh dhe të kesh një familje tani”, shprehet ajo.

Por si duhet t’u qasen votuesve të rinj ekipet e fushatave?

“ Ne jemi brezi i mediave sociale. Ne shohim çdo gjë në mediat sociale. I marrim lajmet prej aty”, thotë Jacquelyn Harn

Të njëjtin mendim ka edhe Harry Sisson, videot e të cilit kanë shumë ndjekës në mediat sociale.

“Unë do të thosha se aplikacioni kryesor i lajmeve për të rinjtë është ndoshta rrjeti TikTok. Kjo është platforma ime kryesore. Kjo sepse është e lehtë për ta marrë informacionin, shumë lajme në TikTok janë nga 30 deri në 60 sekonda”, tregon ajo.

Ndërkohë, në qytetin Herndon, në shtetin e Virxhinias, mbështetësja e Kamala Harrisit, Camila Alfonzo Meza shkon shtëpi më shtëpi për të nxitur njerëzit që të votojnë për kandidaten demokrate. Njerëzit jo gjithmonë e hapin derën, por ajo nuk dorëzohet.

Ajo thotë se zëvendësimi i Joe Bidenit nga Kamala Harrisi në garën presidenciale shtoi energjinë tek të rinjtë demokratë.

“Kam parë një ndryshim të madh në energjinë dhe entuziazmin e të rinjve që kur Kamala Harrisi mori emërimin”, shprehet Camila Alfonzo Meza.

Camila Alfonzo Meza mendon se elektorati i gjeneratës Z prej mbi 40 milionë të rinjsh mund të ketë rol shumë të madh në zgjedhjet presidenciale.

Kamala Harris paraqet sot argumentet përmbyllëse të fushatës

VOA/Marrë nga Associated Press

Nënpresidentja Kamala Harris pritet të paraqesë sot argumentet përmbyllëse të fushatës në kryeqytetin e vendit, në Uashington, nga i njëjti vend ku ish-Presidenti Donald Trump mbajti fjalimin përpara se mbështetësit e tij të sulmonin dhunshëm Kapitolin, më 6 janar të vitit 2021.

Zonja Harris do të zotohet para amerikanëve sot se do të punojë për të përmirësuar jetën e tyre, duke i mëshuar argumentit se rivali i saj, Trump punon vetëm për veten e tij.

Ndërsa mbetet një javë nga dita e zgjedhjeve, fjalimi i zonjës Harris në vendin e njohur si Elipsi, referuar ndonjëherë si Parku Jugor i presidentit, pranë Shtëpisë së Bardhë, është projektuar për të inkurajuar amerikanët të bëjnë dallimin mes një të ardhmeje me të (Harris) në Zyrën Ovale, apo me Donald Trumpin.

Ajo shpreson të vërë theksin në kontrastin mes tyre, duke e mbajtur fjalimin nga i njëjti vend ku gati 4 vjet më parë, zoti Trump pohoi pa fakte se zgjedhjet e vitit 2020 u manipuluan, dhe ku frymëzoi turmën e mbështetësve të tij të marshonin drejt Kapitolit në një përpjekje që dështoi, për të penguar çertifikimin e rezultatin që shpallte fitues demokratit Joe Biden.

Ndihmësit e fushatës së zonjës Harris thanë se ajo synon të përforcojë argumentet se pse votuesit duhet të refuzojnë zotin Trump dhe të marrin në konsideratë politikat që ajo ofron.

“Ka një ndryshim të madh mes meje dhe atij” u tha zonja Harris gazetarëve të hënën që e pyetën lidhur me përmbatjen e fjalimit.

Nëse (Trump) zgjidhet, ditën e parë që ai do të ulet në Zyrën Ovale do të punojë në hartimin e listës së armiqve të tij. Ndërsa unë, në ditën e parë, nëse do të zgjidhem, siç dhe pres që të ndodhë, do të punoj në emër të popullit amerikan dhe do të hartuar listën e detyrave që kam”, tha ajo.

Pas fjalimit të saj në kryeqytet, zonja Harris do t’i rikthehet shteteve të fushëbetëjës në kërkim të mbështetjes.

Tubimi vjen disa ditë pasi zonja Harris udhëtoi në Teksas, një shtet i njohur për besnikërinë ndaj republikanëve ku ajo u shfaq krah këngetares së famshme amerikane Beyoncé. Nënpresidetja vuri theksin tek pasojat që ka sjellë për gratë rrëzimi nga Gjykata e Lartë amerikane e vendimit historik ‘Row kundër Wade’, që ofronte mbrotje kushtetuese për abortin.

Fjalimi në këtë shtetet kishte mesazhe që synonin të rezononin me votuesit në shtetet e fushëbetejës.

Për fjalimin në Uashington të nënpresidentes është punuar prej javësh, por ndihmësit e saj shpresojnë se mesazhi që zonja Harris do të përcjellë, do të ketë më shumë ndikim për shkak dhe tubimit të zotit Trump të dielën në arenën “Madison Square Garden” të Nju Jorkut.

Tubimi u përshkrua nga mesazhe fyese e raciste të mbështetësve të zotit Trump që morën fjalën, hedhur në drejtim të grupime të ndryshme në vend.

Zonja Harris tha se ajo që ndodhi në Nju Jork vuri theksin tek ajo “se Trump është i fiksuar në ankesat e tij, tek vetja dhe tek ndarja e vendit”, siç tha ajo.

Zonja Harris pritet ta përdorë fjalimin e saj në Uashington për të parashtruar një plan pragmatist dhe largpamës për vendin, duke u kujtuar votuesve planin e saj mbi ekonominë, si dhe premtimin për të punuar me vendosmëri për qasje tek kujdesi riprodhues, përfshirë abortin.

Gjithashtu qendrore në mesazhin e saj do të jetë dhe pozicionimi i saj si një “gjeneratë e re” udhëheqësish, pas zotit Trump dhe madje edhe shefit aktual të saj, zotit Biden.

Ndihmësit e zonjës Harris, shumë prej të cilëve ishin këshilltarë të fushatës së zotit Biden për t’u rizgjedhur përpara se të largohej nga gara, besojnë se përqendrimi tek ajo se kush është Trump dhe se çfarë mund të bëjë ndryshe zonja Harris, është mesazhi i tyre më i fortë për votuesit.

Guvernatori demokrat i Pensilvanisë Josh Shapiro, tha se ishte e rëndësishme që votuesve në shtetet fushëbetejë t’u bëhej e qartë se cilat do të ishin pasojat e zgjedhjes që ata do të bënin më 5 nëntor.

Ai tha se zonja Harris kishte propozime të forta lidhur me ekonominë, lirinë riprodhuese, duke shtuar se ajo “ka një vizion që do të sjellë më shumë rregull, më shumë shpresë e më shumë gëzim”.

Ndërkohë sot zoti Trump në një takim me gazetarët në klubin e tij në Mar-a-Lago të Floridës do të përpiqet të kundërshtojë paraprakisht tezat e fjalimit të zonjës Harris, sipas një personi në dijeni të kësaj çështjeje.

Ish-ndihmësit e quajnë zotin Trump fashist, JD Vance i quan ata “ish-zyrtarë të pakënaqur”

John Kelly

 

VOA/Veronica Balderas Iglesias

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili po kandidon për një mandat të dytë, është quajtur “fashist” dhe njeri “i papërshtatshëm për postin e presidentit” nga disa ish-ndihmës të tij të lartë, por kandidati republikan për nënpresident, JD Vance të dielën i kundërshtoi këto vlerësime. Ndërkohë drejtuesit e fushatës së demokrates Kamala Harris e kanë përfshirë këtë çështje të debatueshme në reklamat e tyre politike në shtetet e pavendosura.

John Kelly ka qenë shef i personelit të Shtëpisë së Bardhë nga viti 2017 deri në vitin 2019. Në një intervistë të fundit me gazetën The New York Times, gjenerali në pension kur u pyet nëse republikani Donald Trump është fashist tha: “ai është sigurisht një autoritar, adhuron diktatorët. Ai e ka thënë vetë këtë. Pra, ai sigurisht që është pjesë e përkufizimit të përgjithshëm të termit fashist.”

Zoti Trump reagoi ndaj këtyre akuzave në platformën e mediave sociale “Truth Social”, duke shkruar ndër të tjera se “John Kelly është një njeri i paditur dhe një gjeneral i keq, këshillat e të cilit nuk i mora parasysh më në Shtëpinë e Bardhë dhe i kërkova që të largohej!”

Të dielën, kandidati republikan për nënpresident, JD Vance komentoi rreth deklaratave të gjeneralit Kelly, si dhe të ish-komandantit të Shtatmadhorisë Amerikane Mark Milley lidhur me çështjen nëse zoti Trump është fashist.

“Shumica e njerëzve që kanë punuar ngushtë me zotin Trump e mbështesin atë. Mendoj se Mark Milley dhe John Kelly janë të dy ish-punonjës të pakënaqur”, tha zoti Vance.

Megjithatë, trembëdhjetë ish-ndihmës të zotit Trump publikuan një letër të hapur të premten, duke mbështetur komentet e gjeneralit John Kelly. Ata paralajmëruan se kandidati republikan për president është “i papërshtatshëm për postin e presidentit.”

Senatori republikan Lindsey Graham nuk është dakord me këtë vlerësim.

“Unë kam qenë afër tij. Nuk mendoj se ai është fashist. Mendoj se ai ishte një president shumë i fortë në një kohë kur ne kishim nevojë për një president të fortë. Unë mendoj se ai do të jetë një president i fortë për ta rikthyer këtë vend në rrugën e duhur”, tha ai.

Me synimin për të fituar mbështetjen e votuesve në shtetet e pavendosura, ekipi i fushatës së demokrates Kamala Harris ka publikuar një reklamë të komenteve të gjeneralit John Kelly. Nënpresidentja Harris nuk i është shmangur shprehjes së shqetësimeve të ngjashme për rivalin e saj.

“Donald Trump është gjithnjë e më i paqëndrueshëm dhe më i ashpër. Në një mandat të dytë, njerëz si John Kelly nuk do të ishin të pranishëm për të mbrojtur vendin nga prirjet dhe veprimet të tij”, tha ajo.

Senatori i pavarur Bernie Sanders, i cili mbështet kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris, u pyet të dielën nëse ai beson se zoti Trump është fashist.

“Nuk më pëlqen t’i përdor ato fjalë, por është e qartë se ai ka një prirje të fortë drejt autoritarizmit dhe minimit të demokracisë amerikane”, tha ai.

Debati mbi këtë çështje vjen ndërsa dy kandidatët presidencialë janë në ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet e 5 nëntorit.

Gara për postin e Shtëpisë së Bardhë- Cilët janë emrat që do të plotësojnë kabinetet Trump apo Harris

Pavarësisht nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë do të zgjidhet ish presidenti Donald Trump apo zëvendës presidentja Kamala Harris, e rëndësishme është edhe se cila do të jetë përbërja e kabinetit të secilit.

Politico i ka kushtuar një artikull emrave që aludohen për kabinetin e secilit kandidat.

KABINET I I KAMAL HARRIS :

Në rast se Kamala Harris zgjidhet, ajo pritet të sigurohet që këshilltarët e saj më të afërt dhe anëtarët kryesorë të kabinetit të saj do të jenë njerëzit e saj më të besuar.
Mund të ketë edhe njëfarë vazhdimësie me administratën aktuale.
Zëvendëspresidentja e SHBA dhe ekipi i saj do të përpiqen të sigurojnë që kabineti i ardhshëm të përmbushë angazhimin e saj ndaj diversitetit – racor, gjeografik dhe politik. Madje ajo ka premtuar se do të emërojë një republikan në kabinetin e saj.

Ministër i Punëve të Jashtme
Linda Thomas Greenfield- veterane e Ministrisë së Jashtme, pasi ka shërbyer më parë si ambasadore në Liberi.

Chris Murphy – dallohet pjesërisht sepse është i gatshëm të jetë më i ashpër ndaj aleatëve të SHBA-së me të dhëna të dobëta për të drejtat e njeriut, si Egjipti dhe Arabia Saudite.

Pete Buttige- ka qenë pjesë e kabinetit Biden prej katër vitesh.

William Burns- drejtori i CIA-s, një ish-diplomat karriere dhe ambasador i SHBA-së në Greqi, i cili ka shërbyer si ambasador në Rusi nën administratën e Bushit dhe zëvendëssekretar shteti nën administratën e Obamës.

Jake Flake – ish-senator republikan nga Arizona, i cili u grind me Trump dhe shërbeu si i dërguar i Biden në Turqi deri muajin e kaluar, një detyrë e vështirë diplomatike.

Ministri i Financave

Lael Brainard – ekonomist me përvojë të gjatë në politikë-bërje dhe mund të shihet si një zgjedhje solide dhe konsensus.

Michael Bennett – një nga ish-kolegët e Senatit të Harris, me të cilin ajo mban lidhje, Bennett është marrë me kapitalin privat, gjë që do ta qetësonte Ëall Street-in.

Wally Adejemo – ka shërbyer administratës Obama si zyrtari numri 2 i Thesarit në Senat.

Gina Raimondo – ish-guvernatori ka qenë në ballë të politikës industriale të administratës Biden dhe konkurrencës me Kinën.

Brian Nelson- Ishtë zv. sekretar i Thesarit derisa u largua për t’iu bashkuar fushatës së Harris në korrik.

Blair Efron – financier i shquar dhe bankier i investimeve. Donator demokratik për një kohë të gjatë dhe ishte një nga mbështetësit e parë të mëdhenj të Harris për presidencialet e 2020.

Ministër i Mbrojtjes

Christine Warmuth – ka përvojë të gjerë në Pentagon. Karrierën e nisi gjatë administratës së Obamës dhe ka mbuluar të gjithë sektorët.

Michel Flournoy – emër i shquar në qarqet e sigurisë kombëtare dhe shihej si një kandidat kryesor për të drejtuar Pentagonin nga kandidatët e mëparshëm demokratë, duke përfshirë Biden dhe Hillary Clinton.

Adam Smith- ka shërbyer si kryetar dhe anëtar i rregullt i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës për gati 14 vjet.

Ministër i Brendshëm

Deb Haaland – pritej të qëndronte në Departamentin e Brendshëm gjatë një mandati të dytë të Bidenit dhe deri më tani nuk është folur për largimin e saj nëse Harris fiton.

Steve Bullock – kandidoi në vitin 2020, për të mbikëqyrur Byronë e re jofitimprurëse të Menaxhimit të Tokës, misioni i së cilës është të ndihmojë qeverinë të mbrojë tokat publike.

Mike Connor- i njohur i vjetër në qarqet politike të Uashingtonit, mbajti detyrën nr. 2 të Departamentit të Brendshëm gjatë administratës së Obamës dhe ishte një pretendent për postin kryesor në Departamentin e Brendshëm nën Biden.

John Tester – ka sfiduar prej kohësh vështirësitë politike në Montana.

Shefi i Shtabit të Shtëpisë së Bardhë

Karen Dun – mbikëqyri përgatitjet e Harris për debatin e saj të vetëm me Donald Trump, është një avokate e njohur gjyqi në Uashington.

Marty Walsh – Gjatë mandatit dy-vjeçar të Ëalsh-it si sekretar i punës i Biden-it, ai kishte një marrëdhënie shumë të mirë me Kamala Harris.

Cedric Richmond – ish-ligjvënësi i New Orleans, një nga të parët që i kërkoi Biden të kandidonte në 2020, u takua me Harris përmes CBC kur të dy punonin në Capitol Hill.

Lafonza Butler – Senatorja nga Kalifornia ka qenë një këshilltare e besuar e Harris në muajt e fundit dhe përvoja e saj administrative në drejtimin e Emily’s List dhe Këshillin e Kalifornisë të SEIU mund të bëjë një argument se ajo do të ishte e përshtatshme për postin.

Minion Moore – Një e besuar e ngushtë e Harris, Moore ka shërbyer për një kohë të gjatë si këshilltare.

KABINETI I TRUMP:

Ministër i Punëve të Jashtme

Rick Grenell- Grenell është një nga mbështetësit më të vendosur të MAGA-s dhe është emëruar nga administrata Trump si një nga diplomatët më të lartë të ish-presidentit.

Bill Haggerty- Senatori i Tenesit është një nga zyrtarët republikanë që iu drejtuan lëvizjes MAGA pas fitores së Trump në 2016.

Robert O’Brien- O’Brien shquhet si i vetmi nga katër këshilltarët e Trumpit për sigurinë kombëtare që nuk pati një grindje me ish-presidentin.

Marco Rubio – Rubio është një ish-kundërshtar i Trump-it, i kthyer në mbështetës me pikëpamje të vijës së ashpër për shumë çështje të politikës së jashtme, veçanërisht për Kubën dhe Iranin.

Mike Walz – Veteran i ushtrisë amerikane. Ai ka mbështetur ofrimin e ndihmës amerikane për Ukrainën.

Ministër i Brendshëm

Doug Bergham – Guvernatori i Dakotës së Veriut u cilësua si një zgjedhje e mundshme e Trump për sekretar të brendshëm në fillim të këtij viti.

Kathryn McGregor – McGregor, si anëtar i Komitetit të Burimeve Natyrore të Dhomës së Përfaqësuesve, shërbeu si Departamenti i Brendshëm Nr. 2 nën Trump.

Cynthia Loomis – Loomis kandidoi dhe nuk fitoi dy herë dhe u refuzua – dy herë për postin e lartë të Departamentit të Brendshëm gjatë administratës Trump.

David Bernhardt – Bernhard, komandanti i dytë i Trump për punët e brendshme, është thënë se është i interesuar të bashkohet me një administratë të dytë Trump.

Ministër i Mbrojtjes

Mike Walz – Koloneli i Forcave Speciale të Gardës Kombëtare në pension, me përvojë në Pentagon dhe Shtëpinë e Bardhë, ka qenë këshilltari i Trumpit për sigurinë kombëtare dhe ka thënë se është i hapur për t’u bërë sekretar i mbrojtjes.

Tom Cotton – Senatori i Arkansas ishte në shqyrtim për t’u bërë sekretari i parë i mbrojtjes i Trump përpara se gjenerali në pension Jim Mattis të zgjidhej përfundimisht.

Mike Pompeo – Pompeo, një ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe i diplomuar në West Point, ka qenë një pjesë e politikës së sigurisë kombëtare gjatë presidencës së Trump si shef i CIA-s dhe më vonë si sekretar i shtetit.

Shefi i Shtabit të Shtëpisë së Bardhë

Brooke Rollins – Rollins shërbeu si drejtuese e Zyrës së Inovacionit Amerikan dhe më vonë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Këshillit të Politikave të Brendshme në Shtëpinë e Bardhë të Trump.

Kevin McCarthy – Kur Trump ishte president, ai iu referua McCarthy-t si “Kevini im”. Kongresmeni nga Kalifornia e menaxhoi me mjeshtëri marrëdhënien e tij me Trump dhe si numri 2 në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe shërbeu si një lloj ndërmjetësi midis degëve ekzekutive dhe legjislative.

Suzi Wiles – Nëse Trump arrin të fitojë në vitin 2024, Wiles do të katapultohet shpejt në një pozicion në Uashington.

Ministri i Financave

Howard Lutnick – Lutnick drejton firmën e investimeve Cantor Fitzgerald dhe u zgjodh personalisht nga Trump për të udhëhequr tranzicionin e tij së bashku me Linda McMahon.

Robert Lighthizer – Si zyrtari kryesor i tregtisë i Trump gjatë mandatit të tij të parë, Lighthizer ndihmoi në përmbysjen e tregtisë globale dhe ortodoksisë republikane për këtë çështje.

Jay Clayton – Clayton, një veteran i Wall Street dhe avokat i korporatës, ishte kryetar i Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim gjatë mandatit të Trump.

Larry Kudloë – Analisti ekonomik në TV, për një kohë të gjatë ishte drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Trump dhe një figurë kyçe në politikëbërjen ekonomike të Shtëpisë së Bardhë gjatë pandemisë Covid-19.

John Paulson – Financieri i shquar miliarder ka qenë një aleat dhe mbështetës i Trump që nga viti 2016.

Scott Bessent – Menaxheri i fondit mbrojtës dhe financuesi i Trump, i cili ka qenë një këshilltar jozyrtar i fushatës, shihet gjerësisht si një kandidat për një post në kabinet.

Bill Haggerty – Një nga zyrtarët e rrallë të administratës Trump ende afër shefit të tij të vjetër dhe gëzon respekt dypartiak në Capitol Hill.

(BalkanWeb)


Send this to a friend