Shtetet e Bashkuara thanë se anulojnë një traktat të miqësisë me Iranin, disa dekada të vjetër, pasi ai u përmend në një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër politikës së sanksioneve të Uashingtonit.
“Njoftoj se SHBA i jep fund Traktatit të Miqësisë me Iranin, të vitit 1955. Ky është një vendim që, në fakt, është vonuar 39 vjet”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, duke iu referuar vitit të Revolucionit Islamik, më 1979.
Të mërkurën, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi SHBA-në t’i lehtësojë sanksionet e rivendosura kundër Iranit, pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.
Gjykata tha se eksportet e mallrave “humanitare”, siç janë ushqimet dhe ilaçet, duhet të lejohen.
Gjykata tha se sanksionet e SHBA-së për mallrat e tilla shkelin Traktatin e Miqësisë, Marrëdhëniet Ekonomike dhe të Drejtat Konsullore midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera” që Gjykata e Hagës “nuk arriti të kuptojë se nuk ka juridiksion të nxjerrë ndonjë urdhër që ka të bëjë me masat e sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara”, të cilat “mbrojnë interesat e tyre thelbësore të sigurisë”.
Traktati i vitit 1955 bën thirrje për “marrëdhënie miqësore” midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, inkurajon tregti dhe investime të ndërsjella, rregullon marrëdhëniet diplomatike dhe ia jep juridiksionin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi mosmarrëveshjet.
Ai është nënshkruar në kohën e marrëdhënieve të ngushta midis Uashingtonit dhe Teheranit, shumë kohë para se Revolucioni Islamik i vitit 1979 të sillte dekadat e armiqësisë mes tyre.
Komentet