Ashtu si edhe në disa zgjedhje të mëparshme, rezultati i garës presidenciale në Shtetet e Bashkuara mes presidentit republikan Donald Trump dhe kandidatit të pritshëm demokrat, Joe Biden do të varet nga vota e një numri të vogël shtetesh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Redisch shpjegon gjeografinë e kolegjit elektoral.
Po t’i shohësh nga jashtë, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mund të duken si një referendum kombëtar për dy kandidatët.
Por në fakt, ato janë shuma e përgjithshme e votimeve në secilin nga shtetet. Sa më e madhe popullsia e një shteti, aq më shunë vota ka në të ashtuquajturin Kolegj Elektoral.
Shtatë shtete kanë numrin më të vogël të votave elektorale, tre: një për anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe dy për senatorët e shtetit.
Edhe kryeqyteti Uashington ka tre vota të tilla.
Kalifornia, Teksasi, Nju Jorku dhe Florida kanë numrin më të madh të votave elektorale.
Fituesi i votës popullore në një shtet, zakonisht merr të gjitha votat elektorale të atij shteti. Objektivi është që të fitohet në një numër të mjaftueshëm shtetesh për të siguruar të paktën 270 vota elektorale, shumica e thjeshtë mes 538 votave të tilla.
Në vitin 2016, demokratja Hillary Clinton fitoi votën popullore, me tre milionë vota më shumë.
Por republikani Donald Trump fitoi Kolegjin Elektoral me mbi 70 vota elektorale përfshirë në shtete që kishin votuar për demokratët në vitin 2012, si Uiskonsi, Miçigani dhe Pensilvania, me më pak se 80 mijë vota diferencë. Dhe pikërisht aty është beteja politike e këtij viti.
“Në Florida, Uiskonsi, Pensilvania dhe Miçigani, lufta politike vitet e fundit ka qenë e ashpër. Këto shtete votuan dy herë për Barack Obamën. Karolina e Veriut votoi vetë një herë për Obamën në vitin 2008. Dhe Arizona nuk ka votuar për një president demokrat që në vitet ’90. Por në shtete si Arizona dhe Karolina e Veriut, po shihet një revoltë kundër Presidentit Trump nga banorët me studim universitar, që po e shton konkurrencën në ato shtete.Kështuqë shumë vetë mendojnë se rezultati i zgjedhjeve do të varet nga këto shtete”, thotë analisti Kyle Kondik, i Qendrës për Politikë në Universitetin e Virxhinias.
Ai i sheh me rezerva anketat sipas së cilave demokrati Joe Biden do të ketë një epërsi të konsiderueshme.
“Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij shekulli kanë pasur rezultat të ngushtë, me përjashtim ndoshta të fiores me epërsi prej shtatë pikësh të Barack Obamës në vitin 2008. Prandaj nuk kam shumë besim tek këto sondazhe që tregojnë se Biden do të ketë epërsi të ndjeshme dhe mendoj se votimi do të reflektojë realitetin. Besoj se zoti Biden mund të fitojë, por jo me mbi 10 për qind, sepse ka kohë që nuk e shohim një gjë të tillë”, thotë zoti Kondik.
Presidenti Trump ka mjaft kohë deri në zgjedhjet e nëntorit për të rritur mbështetjen në anketa.
“Nëse e rifiton një pjesë të mbështetjes dhe e minimizon epërsinë e zotit Biden, dihet tashmë që në vitn 2016 ai fitoi zgjedhjet pa fituar votën popullore. Prandaj nëse diferenca është 3-5 për qind në ditën e zgjedhjeve, mendoj se do të kemi një debat se cili është fituesi”, thotë zoti Kondik.
Komentet