Shtetet e Bashkuara pritet të kenë qasje të ashpër kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, duke kërcënuar me sanksione kundër gjyqtarëve të së njëjtës, nëse vazhdojnë hetimet për krimet e supozuara të luftës të kryera nga amerikanët në Afganistan.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Bolton pritet të bëjë këtë njoftim përmes një fjalimi në grupin konservator, Shoqëria Federaliste në Uashington.
Kjo ngjarje njëherësh do të shënojë adresimin e tij të madh prej kur i është bashkuar Shtëpisë së Bardhë.
“Shtetet e Bashkuara do të përdorin gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët tanë dhe ata të aleatëve tanë nga një ndjekje e padrejtë në këtë gjykatë jolegjitime”, pritet të thotë Bolton, bazuar në disa pjesë të fjalimit të siguruara nga agjencia e lajmeve, Reuters.
Bolton po ashtu pritet të deklarojë se Departamenti amerikan i Shtetit do të njoftojë për mbylljen e Organizatës Çlirimtare të Palestinës (PLO) në Uashington, pas shqetësimeve se palestinezët po tentojnë të nisin hetim për Izraelin në këtë Gjykatë.
“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me shtetin tonë mik, Izraelin”, pritet të deklarojë Bolton.
Në rast të nisjes së hetimit për amerikanët në Afganistan, në fjalim thuhet se administrata e presidentit Trump do të konsiderojë një vendim përmes së cilit iu ndalon gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij trupi që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe të bllokojë fondet e tyre nëse janë pjesë e sistemit financiar amerikan.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë ratifikuar Traktatin e Romës, përmes së cilit është themeluar Gjykata Ndërkombëtare Penale më 2002, pasi presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush nuk është pajtuar me një gjë të tillë.
Komentet