Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë prezantuar bombarduesin e ri bërthamor, B-21, i cili gradualisht do të zëvendësojë avionët që fillimisht u përdorën në Luftën e Ftohtë.
Bombarduesi i parë, i prodhuar pas 30 vjetësh, mund të kushtojë pothuajse 700 milionë dollarë dhe ai mund të bartë armë bërthamore dhe konvencionale.
Ashtu siç pritej, detajet specifike të kësaj fluturakeje kanë mbetur sekrete.
Por, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se ky bombardues është “dëshmi e avantazheve të qëndrueshme të Amerikës në zotësi dhe inovacion”.
Bombarduesi B-21 Raider u prezantua gjatë një ceremonie të kompanisë prodhuese Northrop Grumman, të mbajtur në Kaliforni.
Austin tha se avioni ofron përparësi krahasur me bombarduesit aktualë në flotën e SHBA-së, duke shtuar se “edhe sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes ajrore do të kenë vështirësi që të detektojnë në qiell bombarduesin B-21”.
“Pesëdhjetë vjet të përparimeve në teknologji të vëzhgimit janë përfshirë në këtë avion”, tha ai.
Ai shtoi se avioni është ndërtuar me një “sistem të hapur arkitekturor” që lejon përfshirjen e “armëve të reja dhe atyre që ende nuk janë zbuluar”.
Përderisa gjatë ceremonisë nuk u përmend nëse ky bombardues mund të fluturojë pa ekuipazh, një zëdhënëse e forcave ajrore amerikane tha se avioni “është i ndërtuar që ta ketë edhe këtë opsion, por ende nuk ka vendim që i njëjti të operohet pa ekuipazh”.
Fluturimi i parë i B-21 është paraparë të ndodhë vitin e ardhshëm.
Ky avion do të zëvendësojë modelet B-1 dhe B-2 që janë pjesë e flotës, dhe autoritetet parashikojnë se do të duhen 203 miliardë dollarë për ndërtimin e tyre, blerjen dhe operimin gjatë 30 vjetëve, raportoi Bloomberg.
Gjatë bombardues të tillë aktualisht janë në prodhim, tha kompania prodhuese, duke shtuar se ata do të jenë “gjeneratën e re të avionëve të padetektueshëm” dhe për ndërtimin e tyre do të përdoren “teknika dhe materiale” të paspecifikuara.
Forcat ajrore amerikane pritet të pajisen me të paktën 100 avionë të tillë.
Komentet