Organizata jofitimprurëse dhe grupe të tjera që nuk i bëjnë publikë dhuruesit, po shpenzojnë shuma të jashtëzakonshme për fushatat presidenciale dhe të Kongresit për zgjedhjet e vitit 2020, duke sinjalizuar ndikimin e tyre në rritje në politikë, në Shtetet e Bashkuara.
Këto të ashtuquajtura grupe “me para të dyshimta” kanë derdhur deri tani të paktën 177 milionë dollarë në komitete të aksionit politik të pavarura, në ciklin e zgjedhjeve të vitit 2020, sipas të dhënave të analizuara nga Qendra për Politikë të Përgjegjshme, një organizatë të Uashington që studion financimin e partive politike.
Para dy vjetësh këto grupe dhanë 178 milionë dollarë për gjithë kohëzgjatjen e fushatës, sipas kësaj qendre. Grupet e parave të dyshimta kanë shpenzuar gjithashtu mbi 19 milionë dollarë në reklama direkte politike, një shifër që ka gjasa të rritet ndërsa fushata intensifikohet në muajt në vazhdim.
Anna Massoglia, një studiuese në Qendrën për Politikë të Përgjegjshme, tha se shpenzimet nga Komitetet për Aksion Politik dhe grupe të tjera të jashtme që marrin para nga burime të paidentifikuara, pritet të arrijnë një shifër të re rekord në këtë cikël zgjedhjesh.
“Paratë e dyshimta ka vazhduar të hyjnë në ciklin zgjedhor të vitit 2020. Kemi pare se si këto para po ndikojnë në zgjedhjet e vitit 2020, në disa mënyra”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Super Komitetet e Aksionit Politik
Mbështetësit e grupeve politike që përfitojnë nga kontribute të dhuruesve të paidentifikuar si organizata jofitimprurëse dhe korporata “fantazmë”, nuk e pranojnë etiketimin “para të dyshimta”, të përdorur nga kritikët e tyre.
Pavarësisht se si etiketohet kjo praktikë, prania e fondeve nga jashtë partive, shpërtheu pas një vendimi në vitin 2010 të Gjykatës së Lartë, sipas së cilit qeveria nuk mund të kufizonte shpenzimet politike nga korporatat dhe sindikatat. Kjo nxiti konsolidimin e të ashtuquajturave supe Komitete të Aksionit Politik.
Që atëherë kur u mor vendimi i quajtur “Citizens United”, grupe si Dhoma Amerikane e Tregëtisë, kanë raportuar tek Komisioni Federal i Zgjedhjeve afro 1 miliardë dollarë shpenzime të drejtpërdrejta për zgjedhjet, sipas Qendrës për Politikë të Përgjegjshme.
Megjithëse kjo shumë është një fraksion i vogël në raport me shifrën e përgjithshme të shpenzuar në zgjedhjet amerikane, kritikët thonë se u ka mundësuar dhuruesve të pasur që të ndikojnë në zgjedhjet amerikane, ndërsa votuesit nuk janë në dijeni të rolit të tyre.
“Ky është një problem në rritje dhe miliona dollarë do të derdhen në këto super komitete në javët para ditës së zgjedhjeve. Disa prej atyre fondeve mund të vijnë nga burime misterioze, që publiku nuk e ka idenë se ç’janë”, thotë Michael Beckel, drejtor studimesh për organizatën “Issue One”, me qendër në Uashington, që monitoron rolin e parave në politikë.
Mbrojtësit konservatorë të shpenzimeve anonime, i hedhin poshtë pretendimet se ato kanë synime keqdashëse dhe thonë se bërja publike e emrave të dhuruesve të veçantë, mund t’i bëjë ata objekt të frikësimeve dhe ngacmimeve politike.
Kur organizata si Dhoma Amerikane e Tregëtisë dhe “Planned Parenthood” u japin para super komiteteve, votuesit e dinë që fondet vijnë nga anëtarët dhe mbështetësit e këtyre organizatave, thonë ata.
“Prandaj ideja se kjo është diçka për të cilën populli amerikan nuk është në dijeni dhe se nuk e di se kush po përpiqet të ushtrojë ndikim mbi ta, mendoj se është e rreme”, thotë Bradley A. Smith, një ish-kryetar republikan i Komisionit Federal të Zgjedhjeve, që tani kryeson Institutin për Lirinë e Shprehjes, një organizatë konservatore që kundërshton kufizimet financiare të fushatave.
Një Vello Fshehtësie
Grupet e parave me burime të dyshimta nuk u japin thjesht para super-komiteteve dhe organizatave të tjera politike. Gjithnjë e më shumë, ato po financojnë reklama të ashtuquajtura për mbrojtjen e çështjeve të veçanta,
Zonja Massoglia thotë se megjithëse këto reklama me kujdes shmangin shprehjet si “votoni për” ose “votoni kundër” një kandidati, ato gjithsesi e paraqesin një kandidat nën një dritë të caktuar.
“Në këtë mënyrë, ato në fakt luajnë rolin e reklamave politike, por pa iu dashur që të raportojnë tek Komisioni Federal i Zgjedhjeve”, thotë ajo.
Transparenca është objektivi kryesor i Sistemit të Financimit të Fushatave, megjithëse shpesh nuk realizohet. Në bazë të ligjit, të gjitha organizatat politike, duhet të raportojnë emrat e dhuruesve në Komisionin Federal të Zgjedhjeve për të ndihmuar votuesit që të marrin vendime më të informuara lidhur me partitë ose kandidatët. Super-Komitetet e Aksionit Politik, nuk përbëjnë përjashtim.
Por informacioni që këto Komitete depozitojnë në Komisionin e Zgjedhjeve, nuk zbulon burimin e vërtetë të këtyre fondeve.
Për shembull, “Victory 2020” është një komitet i ri për mbledhje fondesh, që përfshin dy super-komitete të aksionit politik që po bëjnë përpjekje për zgjedhjen e demokratëve këtë nëntor. Njëri quhet “Ura Amerikane e Shekullit të 21-të” dhe tjetri është grupi pro kandidatit demokrat Joe Biden, “Të Bashkojmë Vendin”.
Të dhënat që “Victory 2020” ka depozituar në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, tregojnë se 5.7 milionë nga 5.9 milionë dollarët që ka grumbulluar gjatë këtij cikli zgjedhjesh, vijnë nga një entitet i quajtur “Fondi 1630”. Por duke qenë se “Fondi 1630” është regjistruar si një organizatë për mirëqenie sociale, objektivi kryesor i së cilës nuk është politik, ajo nuk është e detyruar që t’i bëjë publike dhuruesit. Ky grup thotë se ndihmon “udhëheqës së organizatave jofitimprurëse që të merren me një gamë të gjerë sfidash”, nga ngrohja globale tek drejtësia sociale.
Kjo mungesë transparence ekziston në gjithë spektrin politik. Nga kampi republikan, Super-Komiteti i Aksionit Politik “Fondi për Udhëheqjen” ka marrë 9 milionë dollarë në qershor nga Rrjeti për Aksion Amerikan. Ashtu si “Fondi 1630” liberal, edhe ai është regjistruar si një organizatë për mirëqenie sociale, që nuk është e detyruar të publikojë se cilët janë dhuruesit e saj.
Në faqen e tij të internetit, grupi thotë se “objektivi i tij është të vërë në jetë idetë e së djathtës së qendrës, duke mobilizuar zemrat dhe mendjet e amerikanëve dhe duke i nxitur për pjesëmarrje aktive në demokracinë tone”.
Roli i kompanive “fantazëm”
Megjithëse organizatat jofitimprurëse janë instrumenti që përdoret më shpesh për futjen e parave me burim të dyshimtë në politikë, dhuruesit e pasur përdorin edhe kompani “fantazëm” për të financuar super-komitetet.
Në një raport të fundit “Issue One” identifikoi mbi dhjetë korporata të tilla, mes së cilave një kompani me bazë në Nju Jork që i kishte dhënë 75 mijë dollarë që super-komiteti liberal në Teksas. “Issue One” tha se nuk kishte arritur të gjente një lidhje të qartë mes kompanisë dhe ndonjë individi. Kompani të tjera “fantazëm” mesa duket janë krijuar me synimin e vetëm për të bërë dhurime tek Super-komitetet.
“Ne nuk kemi asnjë informacion se ku i morën fondet disa nga këto organizata ‘fantazëm’”, i tha Zërit të Amerikës, zoti Beckel i organizatës “Issue One”.
Ky është një defekt në sistem, që mund të shfrytëzohet nga aktorë të huaj që duan të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane, paralajmëron ai.
“Kërcënimi është serioz dhe kushdo nga spektri politik mund të përfitojë nga paratë e fshehta”, shtoi ai.
Në vitet e fundit, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj disa individëve se u kanë dhënë fonde të huaja super-Komitetevet ë Aksionit Politik në favor të ish-Presidentit demokrat Barack Obama, apo Presidentit Republikan Donald Trump.
“Ky është një problem që kërkon zgjidhje tani dhe është një defect flagrant në ligjin për financimin e fushatave që është shumë i ekspozuar ndaj abuzimeve”, thotë zoti Beckel.
Avokatët e transparencës duan që Kongresi t’i bëjë më të rrepta kërkesat për bërjen publike të fondeve. Një projektligj dypartiak që është paraqitur në Kongres, i quajtur Ligji Kundër Abuzimit nga Kompanitë “Fantazëm”, do ta bënte vepër penale krijimin e një kompanie “fantazëm” me sunuimin për të fshehur identitietin e dhuruesve të huaj në fushatë.
“Nëse Kongresi nuk e bën më të rreptë legjislacionin, ne parashikojmë që aktorët e huaj të përpiqen ta keqpërdorojnë këtë mangësi në system”, thotë zoti Beckel. zëri i amerikës
Komentet