Një rekord prej 3.3 milion amerikanësh paraqitën kërkesa për kompensim javën e kaluar ndërsa miliona të tjerë pritet të kërkojnë pagesë papunësie gjatë javëve të ardhshme.
Kjo shifër është pothuajse pesë herë më e madhe se sa rekordi i vendosur në vitin 1982 brenda një jave.
“Ky numër i kërkesave të reja për përfitime papunësie është me të vërtetë i pashembullt,” tha Mark Hamrick, analist në Bankrate.com.
Kërkesat për ndihmë papunësie në përgjithësi pasqyrojnë ritmin e pushimeve nga puna.
“Secili që bën kërkesë përfaqëson një punëtor që është hequr nga puna. Dhe ,në shumë raste, ata janë njerëz që nxjerrin të ardhurat për familjen. Pra, kjo tregon rëndësinë e përpjekjeve për të rrafshuar kurbën e koronavirusit, siç edhe duhet të bëjmë, por kërkon njëkohësisht një haraç ekonomik,” tha analisti.
Është e sigurt që pushimet nga puna do të përshpejtohen tani që ekonomia amerikane zhytet në recesion. Restorantet, hotelet, kinematë, palestrat dhe linjat ajrore po humbin të ardhura në masë. Shitjet e automjeteve janë në rënie, dhe prodhuesit e makinave kanë mbyllur uzina. Shumica e punëdhënësve të tillë kanë për të bërë pagesa kredie dhe kosto të tjera, prandaj po shkurtojnë vende pune për të kursyer para.
Ndërkohë, treguesit kryesorë të bursave në SHBA patën rritje të ndjeshme të enjten, edhe pse tregjet pësuan rënie në Azi dhe Evropë.
Rritja e tregjeve në SHBA erdhi vetëm pak orë pasi Senati miratoi një paketë masive prej 2 trilion dollarësh për të kompensuar dëmet e mëdha ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.
Presidenti Donald Trump ka premtuar ta kthejë në ligj paketën e shpëtimit ekonomik, sapo Dhoma e Përfaqësuesve ta finalizojë atë.
Paketa synon të hedhë në ekonominë amerikane miliarda dollarë fonde në formë shpenzimesh të reja për bizneset, shumë prej të cilave praktikisht janë pezulluar nga koronavirusi, pasi klientët janë vetizoluar për të shmangur kontaktin me këdo që mund të jetë infektuar .
Pas humbjeve të mëdha në tregun e aksioneve javët e fundit për shkak të frikës së koronavirusit, treguesit kryesorë të bursës amerikane rifituar terren këtë javë, kur u bë e qartë se Kongresi do të miratonte paketën e shpëtimit. zëri i amerikës
Komentet