Poetja 22 vjeçare, Amanda Gorman u vendos në qendër të vëmendjes dhe mbizotëroi në mediat sociale të mërkurën, pasi recitoi në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Joe Biden.
Ja disa nga vargjet e poezisë së saj:
“Ne, trashëgimtarët e një vendi dhe kohe,
Ku një vajzë trupvogël me ngjyrë,
Pasardhëse skllevërish, e rritur vetëm nga nëna,
Ëndërron që një ditë të bëhet presidente,
Dhe e sheh veten duke recituar para një presidenti.”
Gorman, që ishte vetëm 16 vjeç kur u shpall Poete e Re e Shquar e Los Angelesit, është më e reja ndër recituesit në ceremonitë e inaugurimit presidencial në historinë moderne.
Në një gjest simbolik për të nderuar poeten dhe shkrimtaren Maya Angelou, autore e librit “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” ajo kishte vënë një unazë në formën e një kafazi zogu. Angelou kishte recituar në inaugurimin e ish-presidentit Bill Clinton në vitin 1993. Personaliteti i medias, Oprah Winfrey ia kishte dhuruar unazën poetes së re.
“Nuk kam qenë kurrë ndonjëherë më krenare për suksesin e një vajzë të re!” shkruante Winfrey në Twitter.
Poezia e Amanda Gormanit, “Kodra që përshkojmë”, përfshinte edhe referenca ndaj shfaqjes muzikore “Hamilton”, duke ngjallur reagimin e autorit të saj, Lin-Manuel Miranda.
“Ishe e mrekullueshme. E shkruar në mënyrë të përkryer, e recituar në mënyrë të përkryer”, shkruante kompozitori në Twitter.
Në një intervistë me gazetën New York Times, Gorman tha se kishte shkruar vetëm disa vargje të poezisë, në momentin kur mbështetësit e ish-presidentit Trump sulmuan Kapitolin më 6 janar. Ajo shtoi se pas ngjarjes së dhunshme, e përfundoi poezinë brenda natës.
Në ceremoninë e inaugurimit, ikona e muzikës pop, Lady Gaga këndoi himnin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Këngëtari i muzikës country, Garth Brooks këndoi këngën “Amazing Grace,” ndërsa Jennifer Lopez këndoi një kombinim të këngëve “This Land is Your Land” dhe “America the Beautiful,” duke përfshirë pjesë në spanjisht nga Betimi ndaj Flamurit.
Komentet