UASHINGTON – SHBA-të kanë paralajmëruar të hënën ofrimin e 419 milionë dollarëve ndihma humanitare për të prekurit nga kriza në Siri.
Fondet shtesë do të dedikohen për përkujdesje shëndetësore, ujë të pastër për konsum, ushqim, strehë dhe furnizime tjera të nevojshme.
“Kemi thënë që më herët se, kontributi më i rëndësishëm për tu dalë në ndihmë nevojave urgjente të atyre refugjatëve, bëhet duke i përmbushur nevojat themelore të tyre” deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest. “Kjo është ndihmë urgjente për të cilën kanë nevojë refugjatët nga Siria.” tha ai.
Paralajmërimi i së hënës, ka rritur shifrat e ndihmës amerikane për të prekurit nga kriza në Siri në total prej 4.5 miliard dollarë, duke mbajtur kështu pozitën e donatorit më të madh të ndihmave për Sirinë.
SHBA-të më herët paralajmëruan se do të pranojnë së paku 10,000 refugjatë sirian në vitin e ardhshëm fiskal, i cili fillon në tetor dhe përfundon në shtator të vitit 2016.
“Në fund të fundit, ky problem nuk do të zgjidhet duke pranuar 4 milionë refugjatë sirian në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shton më tej Earnest.
“Ky problem do të zgjidhet duke u përballur me kërcënimet e sigurisë që vinë nga ISIS-i, duke shkarkuar Sirinë nga problemet e tmerrshme politike, që janë krijuar nga udhëheqja e dështuar e presidentit Bashar al-Assad dhe në mënyrë paqësore të sjellim tranzicionin politik që është vonuar në atë vend. Kjo për t’u përpjekur për të stabilizuar situatën në mënyrë që këta refugjatë sirianë të mund të bëjnë atë që ata duan të bëjnë, që në fakt është të kthehen në shtëpitë e tyre”, përfundon Earnest.
Më shumë se 250.000 persona janë vrarë gjatë konfliktit sirian, që ka hyrë në vitin e pestë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.
Komentet