Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland tha të martën se administrata e Presidentit Biden mbështet legjislacionin që kërkon që disa prej të ardhurave të sekuestruara nga oligarkët rusë të shkojnë “direkt në Ukrainë”.
“Kjo nuk është duke ndodhur tani”, tha zoti Garland para Komisionit të Senatit për Buxhetin, ndërsa ligjvënësit e pyetën atë në lidhje me pronat dhe pasuritë që Departamenti i Drejtësisë po konfiskonte nga bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë më 24 shkurt.
Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga zoti Garland, krijoi një njësi të re, të quajtur “KleptoCapture”, për të ndihmuar në zbatimin e sanksioneve kundër zyrtarëve të qeverisë ruse dhe oligarkëve, duke vënë në shënjestër jahtet, avionët, pasuritë e paluajtshme dhe asetet e tjera të tyre.
Shtetet e Bashkuara shpresonin se aleatët e Putinit mund t’i bënin presion atij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Disa figura kryesore ruse kanë shprehur kundërshtimet e tyre ndaj luftës, por sulmet ruse po vazhdojnë, të përqendruara tani në Ukrainën lindore pasi Moska nuk arriti të rrëzonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy ose të pushtonte Kievin.
Departamenti i Drejtësisë tha në fillim të këtij muaji se sekuestrimi i tij i parë ishte një jaht luksoz prej 90 milionë dollarësh, 77 metra i gjatë, të cilin policia spanjolle e konfiskoi me kërkesë të Uashingtonit.
Zoti Garland dënoi luftën e Rusisë në Ukrainë gjatë dëshmisë së tij në Senat, duke thënë se “mizoritë e tmerrshme” që po shihen në video dhe foto “janë gjëra që ata që janë rritur në shekullin e 20-të nuk prisnin t’i shihnin në shekullin e 21-të.”
Komentet