Një trupë gjykuese shpalli të enjten si të paligjshëm një udhëzim të Presidentit Donald Trump për të përjashtuar ata persona që ndodhen në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara nga përfaqësimi në Kongres me nisjen e procesit të ndarjes së vendeve për organin legjislativ. Vendimi i tre gjyqtarëve, i cili mund të apelohet në Gjykatën e Lartë, është një fitore për 38 shtete, qytete e ndarje më të vogla administrative, përfshirë disa organizata jofitimprurëse për të drejtat e emigrantëve, të cilat ankimuan udhëzimin më 21 korrik.
Paditësit kryesisht me prirje demokrate, të udhëhequr nga shteti i Nju Jorkut, akuzuan Presidentin republikan se kishte një qëllim “ksenofobik” sic e quajtën ata me nxjerrjen e një direktive antikushtetuese që sipas tyre reflektonte “frymë diskriminuese” ndaj komunitetit hispanik dhe komuniteteve të tjera emigrante. Ata thanë se direktiva mund të linte me miliona njerëz të panumëruar e të zhvendoste disa vende të Dhomës së Përfaqësuesve duke dëmtuar potencialisht shtete si Kalifornia, Teksasi dhe Nju Xhersi.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Tregtisë, i cili mbikëqyr regjistrimin, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente.
Në vendimin e tij prej 86 faqesh, grupi i gjykatësve tha se zoti Trump e tejkaloi autoritetin e tij ligjor me urdhëzimin e dhënë. Aty thuhej se ligji federal kërkon përdorimin e një grupi të dhënash për të numëruar popullsinë për qëllime regjistrimi dhe ndarjeje të numrit të vendeve në Kongres dhe se për sa kohë që ata (migrantët) banonin në Shtetet e Bashkuara “të huajt e paligjshëm kualifikohen si persona brenda shtetit”, të cilët duhet të numërohen.
“Presidenti duhet të veprojë në përputhje dhe brenda kufijve të autoritetit që i ka dhënë Kongresi“, thuhej në vendimin e gjykatësve. “Ne kemi dalë në përfundimin se presidenti nuk e ka bërë një gjë të tillë“.
Vendimi i së enjtes është një pengesë e re ligjore lidhur me regjistrimin popullsisë për zotin Trump, i cili e ka kthyer çështjen e frenimit të imigracionit në qendër të presidencës së tij dhe fushatës për t’u rizgjedhur.
Udhëzimi vjen një vit pasi Gjykata e Lartë bllokoi përpjekjen e tij për të shtuar një pyetje mbi shtetësinë në formularin e regjistrimit të popullsisë.
“Përpjekjet e përsëritura të Presidentit Trump për të penguar, dëmtuar dhe paragjykuar një regjistrim të saktë dhe ndarjen që pason (për vendet në Kongres) dështuan edhe një herë“, tha në një deklaratë Prokurorja e Përgjithshme e Nju York-ut Letitia James.
Në mbrojtje të udhëzimit, avokatët qeveritarë thanë se presidenti Trump gëzonte mundësi të gjera për të vendosur se kush do të numërohej dhe se ishte spekulativ çdo pohim se ai po përpiqej të krijonte ndonjë dëm.
Por paditësit thanë se direktiva do të shkaktonte një dëm të pariparueshëm duke shkurajuar familjet e migrantëve të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit dhe do të zvogëlonte fuqinë politike. Të dhënat e regjistrimit përdoren gjithashtu për shpërndarjen e miliarda dollarëve në fonde federale.
“Ligji është i qartë, çdo person duhet të numërohet“, tha avokati i Bashkimit Amerikan për Liritë Civile Dale Ho, i cili përfaqësoi organizatat jofitimprurëse. Trupa gjykuese përbëhej nga gjyqtarët e qarkut Richard Wesley dhe Peter Hall, të dy të emëruar nga Presidenti republikan George W. Bush dhe gjykatësi i rrethit Jesse Furman, emëruar nga Presidenti demokrat Barack Obama. zëri i amerikës
Komentet